Biden zemëron Francën, BE-në me iniciativën e re të sigurisë me Australinë dhe Britaninë

Premte, 17 September 2021 13:29

 

Vendimi i Presidentit Joe Biden për të formuar një aleancë strategjike Indo-Paqësore me Australinë dhe Britaninë për t’iu kundërvënë Kinës ka zemëruar Francën dhe Bashkimin Evropian. Ato po ndihen të mënjanuar dhe e shohin këtë veprim si një kthim në epokën e Presidentit Trump.

Nisma e sigurisë, e njoftuar këtë javë, duket se i ka dhënë fund të papritur një vere pozitive të Presidentit Biden me Evropën. Nisma AUKUS, një bashkëpunim mes Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, e cila përjashton Francën dhe Bashkimin Evropian, është ndër hapat e fundit, nga Afganistani deri në Azinë Lindore, që kanë befasuar Evropën.

Pasi u premtoi udhëheqësve evropianë se "Amerika është kthyer" dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndiqnin modelin e diplomacisë shumëpalëshe në politikën e tyre të jashtme, Presidenti Biden zemëroi shumë aleatë me veprimet e tij të njëanshme për disa çështje të rëndësishme. Ministri i Jashtëm i Francës e quajti lëvizjen e fundit të Presidentit Biden, një "goditje pas shpine", dhe shefi i politikës së jashtme të BE -së u ankua se Evropa nuk ishte konsultuar.

Franca do të humbasë një marrëveshje me vlerë gati 100 miliardë dollarë për ndërtimin e nëndetëseve për Australinë, si rezultat i nismës së re, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të furnizojnë Kanberrën me nëndetëse me energji bërthamore.

Zemërimi francez në një nivel thjesht komercial do të ishte i kuptueshëm, veçanërisht pasi Franca, që nga viti 1997 kur Britania hoqi dorë nga kontrolli i Hong Kongut, është i vetmi vend evropian që ka zona të konsiderueshme territoriale dhe një prani të përhershme ushtarake në Paqësor.

Por zyrtarët francezë dhe ata të Bashkimit Evropian shkuan më tej, duke thënë se marrëveshja vë në pikëpyetje të gjithë përpjekjen bashkëpunuese për të zbehur ndikimin në rritje të Kinës dhe nënvizon rëndësinë e planeve të lëna pasdore të Brukselit për të rritur aftësitë mbrojtëse të Evropës.

Disa analistë i kanë krahasuar veprimet e fundit të Presidentit Biden me ato të paraardhësit të tij, Donald Trump, të bazuara në doktrinën "Amerika e Para". Kjo është befasuese për një president të zhytur në çështjet ndërkombëtare, i cili gjatë fushatës për president u zotua se do të përmirësonte lidhjet e tronditura me aleatët dhe do të rikthente besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore.

 

LEXONI EDHE KËTË
Franca shpreh indinjatën ndaj SHBA-së pas marrëveshjes për nëndetëset me Australinë
Megjithëse është e pamundur të parashikohet nëse do të kenë një dëm afatgjatë, ndikimi afatshkurtër duket se ka ringjallur dyshimet e evropianëve për qëllimet e amerikanëve, që mund të kenë pasoja më të gjëra mbi përpjekjet e Presidentin Biden për të bashkuar demokracitë botërore kundër autoritarizmit, të fokusuara kryesisht ndaj Kinës dhe Rusisë.

Vetëm tre muaj më parë, në vizitën e tij të parë në Evropë si president, Biden u përshëndet si një hero nga homologët evropianë të etur për tejkalimin e tensioneve transatlantike të krijuara gjatë mandatit të Presidentit Trump. Por ajo ndjenjë e dukshme lehtësimi tani është zbehur për shumë njerëz.

Që nga qershori, Presidenti Biden ka zemëruar aleatin më të vjetër të Amerikës, Francën, e ka lënë Poloninë dhe Ukrainën me shumë pikëpyetje rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e tyre dhe ka zemëruar Bashkimin Evropian me vendimet e njëanshme për rajonet si Afganistani dhe Azia Lindore. Ndërsa Evropa brohoriste kur Presidenti Biden u zotua të kthehej në negociatat bërthamore me Iranin dhe të ringjallte bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, përpjekjet në lidhje me këto dy çështje vazhdojnë të jenë të bllokuara nëntë muaj pas fillimit të mandatit të tij

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...