Njerëzit në Iran po rebelohen- kundër regjimit të mullahëve dhe kundër rregulloreve islamike.Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë të martën. Arsyeja: Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini. Ajo vdiq pasi u arrestua nga policia e moralit e regjimit në Teheran. Mahsa nuk kishte veshur shaminë e kokës, siç kërkohet nga ligjet strikte të mullahëve.
Videot e bëra publike në shumë qytete iraniane tregojnë gratë që djegin shamitë e kokës gjatë demonstratave ose që presin flokët në shenjë proteste.
Secila prej tyre rrezikon dënim të gjatë me burg, madje edhe torturim.
Arsyeja është se sipas Sharias, grave u kërkohet që të mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjata të lirshme për të maskuar format e tyre.
Tre persona e kanë paguar deri më tani me jetë kurajën për të demonstruar për një Iran modern. Kjo është konfirmuar edhe nga autoritetet, por edhe nga grupet e të drejtave të njeriut.
Vetëm në Teheran, mijëra njerëz u mblodhën dhe kërkuan një shpjegim për vdekjen e Aminit. Forcat e sigurisë arrestuan shumë demonstrues. Njerëzit vërshuan sërish në rrugë të martën. Një prej sloganeve të tyre ishte: “Vdekje diktatorit!”
Eksperti për çështjet e Iranit, Adnan Tabatabai nga qendra kërkimore Carpo mendon se regjimi do të vazhdojë të reagojë me ashpërsi. “Druhen se aparati i sigurisë do t’u japë fund protestave me të gjithë forcën”, tha ai.
SHBA ka shprehur kritika të ashpra ndaj Iranit. Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Joe Biden, Jake Sulivan, tha se “fakti që nj grua, e cila kërkon vetëm të ushtrojë të drejtat e saj themelore, vdes në këtë mënyrë, tregon shtypjen dhe brutalitetin e regjimit”.
Ndërkohë ka ndërhyrë edhe bosi i kompanisë Tesla, Elon Musk. Ai thotë se do të ofrojë lidhje të pacensuruar interneti për të gjithë protestuesit. Për këtë arsye, ai kërkon që të përjashtohet nga sanksionet e Departamentit të Thesarit në SHBA. Normalisht marrëveshje të tilla janë subjekt sanksionesh. Por Musk ka një arsye të fortë për këtë: Në fillim të protestave për vdekjen e Aminit, regjimi fiku pjesë të tëra të interneti në vend.