Nuk jepte edukatore për fëmijën autik, prindërit fitojnë betejën 4-vjeçare me Veliaj

Saturday, 18 Mars 2023 14:20
Shumëkujt mund t’i kujtohen pamjet e Erion Veliajt me fëmijë rom në krahë, kur ai mori mandatin si Ministër i Mirëqënies nëmandatin e parë të kryeministrit Edi Rama.

Shumëkush tashmë e ka kuptuar se jo vetëm ajo foto, por edhe shumë gjëra të tjera që propagandon kryebashkiaku i Tiranës për fëmijët janë thjesht fasadë, që mbulon një individ me një sjellje aspak normale me shtresat vulnerabël.

Në vijim po sjellim një rast tejet flagrant, ku kuptohet qartësisht qasja e Erion Veliaj për fëmijët.

Diskriminimi 

Në vitin 2019, dy prindër regjistruan fëmijën e tyre të diagnostikuar me çrregullim të spektrit autik, në një prej kopshteve publike të Tiranës.

Për shkak të problemeve shëndetësore, prindërit kërkuan caktimin e një edukatoreje shtesë, e cila do të ndihmonte fëmijën që të avanconte në mësim-dhënie, njëlloj me bashkëmoshatarët e tjerë.

Fëmija paraqitet para Komisionit Multidisiplinar Mjekësor, i cili rekomandon që i mituri duhet të asistohet nga një mësues shtesë të paktën pesë orë në javë.

Pas një morie veprimesh proceduriale, nga Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtoria Vendore e Arsimit Tiranë, caktohet një mësuese shtesë për fëmijën e mitur.

Mësueses i caktohet që të zhvillojë vetëm një orë mësim në javë për fëmijën e mitur.

Prindërit nuk ishin aspak dakord me këtë vendim të vartësve të Veliajt, pasi kjo kohë ishte tërësisht e pamjaftueshme për zhvillimin e fëmijës së tyre.

Ata ankohen pranë Komisionerit për Diskriminim, ku kërkojnë konstatimin e diskriminimit të fëmijës së tyre.

Komisioneri, në Prill të vitit 2020, konstaton se institucionet shtetërore, përfshirë drejtoritë e Bashkisë së Tiranës dhe Zyra Arsimore e kryeqytetit kanë diskriminuar fëmijën e mitur.

Në atë vendim lexohet ndër të tjera se “Rekomandimi i komisionit multidisiplinar për të asistuar fëmijën me mësues ndihmës i është njoftuar Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve (DPÇK) më datë 07.01.2020. Edhe pas datës 07.01.2020 DPÇK, Bashkia Tiranë nuk rezulton që të ketë marrë asnjë masë për të zbatuar rekomandimin e komisionit multidisiplinar dhe për të siguruar mësuesin ndihmës”.

Në foto: Vendimi i Komisionerit Kundër Diskriminimit

Bashkia e Veliaj dhe Zyra Arsimore Tiranë hedhin topin e përgjegjësisë tek njëra-tjetra, ndërkohë që muajt kalonin dhe fëmija i mitur vijonte të mos merrte shërbimin e nevojshëm nga strukturat shtetërore.

Komisioneri për Diskriminimin konstaton gjithashtu në vendimin e tij se strukturat e Bashkisë së Tiranës nuk ishin bashkëpunuese dhe, në disa raste, nuk kanë kthyer përgjigje mbi kërkesat e këtij institucioni.

Në përfundim të shqyrtimit administrative, Komisioneri për Diskriminim e gjen të drejtë ankesën e prindërve dhe konstaton se Bashkia e Tiranës dhe Zyra Arsimore e kryeqytetit kanë diskriminuar fëmijën e mitur, duke mos i siguruar mësuesin shtesë sipas rekomandimeve të Komisionit Multidisiplinar.

Gjykata rrëzon Veliaj

Çështja përfundon në Gjykatën Administrative, ku prindërit gjenden sërish në betejë ligjore përballë Bashkisë së Tiranës, e cila kundërshtonte pretendimet e prindërve.

Në gjykatë u thirrën ekspertë psikologjikë, të cilët arritën në konkluzionin se “Mungesa e mësueses ndihmëse ka sjellë që fëmija i mitur të ketë regres në zhvillimin e tij mendor. Ngjarja ka sjellë ndryshime themelore në stilin dhe cilësine e jetës së familjarëve të tij, ndikim negativ në funksionimin e jetës së përditshme, si dhe në marrëdhëniet ndërpersonale”..

Gjykata Administrative e shkallës së parë, në Mars të vitit 2021, e konstaton të drejtë vendimin e Komisionerit kundër Diskriminimit dhe cakton detyrimin e Bashkisë së Tiranës dhe Zyrës Arsimore të kryeqytetit që të dëmshpërblejnë secila me nga 500 mijë lekë (në total 1 milionë lekë të reja) prindërit e fëmijës së mitur, për shkaktim dëmi moral dhe ekzistencial.

Përballja e prindërve të fëmijës së mitur nuk ndalet as këtu. Bashkia e Tiranës e ankimon vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Në foto: Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ

Pak javë më parë, edhe Gjykata e Apelit Administrativ u dha të drejtë prindërve të fëmijës së mitur.

Në vendimin e Gjykatës lexohet se “për shkak të pakujdesisë në bashkëpunim së të dy organeve, ZVA Tiranë dhe DPÇK pranë Bashkisë Tiranë, ka ndodhur shkelja e të drejtës për trajtim të barabartë në situata të ngjashme apo të njëjta dhe trajtim ndryshe në situata të ndryshme”.

Në këtë mënyrë përfundoi beteja ligjore 4-vjeçare e dy prindërve, të cilët nuk kërkuan as më e shumë e as më pak se sa një të drejtë ligjore për fëmijën e tyre të mitur-një mësues shtesë.

Modifikuar më Tuesday, 21 Mars 2023 09:08
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...