7 orë në SPAK/ VOA: Veliaj mashtroi për arsyet e paraqitjes në prokurori

E mërkurë, 01 May 2024 10:13
Në Shqipëri, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës. Kjo është hera e parë që ai paraqitet për këtë çështje, duke dhënë shpjegime për afro 7 orë para hetuesve dhe prokurorëve. Ai ka mohuar të jetë përfshirë në shkeljet e zbuluara. Deri më tani për rastin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në kryeqytet janë kryer 15 arrestime.
 

Zëri i Amerikës 

Ndonëse njoftimi zyrtar kërkonte praninë e tij në Prokurorinë e Posaçme në orën 10.00 kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u paraqit aty gati 60 minuta më herët. Ai u detyrua të presë orarin e paracaktuar në mjediset e hyrjes së godinës, përpara se të ngjitej në zyrat e hetuesve të çështjes së inceneratorëve.

Zoti Veliaj doli i qeshur nga Prokuroria e Posaçme pak para orës 17.00. Si për të relativizuar arsyet për kohën tejet të gjatë të qëndrimit para hetuesve, ai tha se kishte qenë aty si bashkëpunëtor me prokurorët e hetuesit, të cilët çuditërisht i quajti kolegë. Zoti Veliaj u përpoq gjithashtu që të linte të kuptohej se ai kishte shkuar në Prokurorinë e Posaçme pas kërkesave të tij të vazhdueshme, ndonëse në të vërtetë, ndaj tij ka patur një fletë-thirrje për t’u paraqitur për të dhënë shpjegime rreth çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Ai nuk ofroi shumë detaje rreth pikave për të cilat i është kërkuar të japë versionin e tij, por u mjaftua të deklarojë se “patëm një shterrim total, të çështjes së inceneratorëve, me të gjitha shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC-së i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish Bashkia me 37 euro/ton dhe se si ky proces ishte tërësisht krejt gjë tjetër, e pakërkuar, nga investitorë që nuk kishin asnjë lidhje me Bashkinë e Tiranës dhe s’kishin lidhje me IFC-në, dhe besoj se u sqaruam”, u shpreh ai, duke e distancuar Bashkinë nga procesi i inceneratorëve, por duke deklaruar ndërkohë se “Bashkia e Tiranës ka sjellë edhe disa prova të tjera, për të cilat m’u kërkua të mos i ndaj me gazetarët”.

Prej një kohe të gjatë zoti Veliaj ka qenë në qendër të sulmeve të opozitës, e cila e konsideron atë si personin kyç për rastin e inceneratorit të Tiranës. Një akuzë të ngjashme lëshoi ndaj tij, por pa ofruar prova e fakte, edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në arrati që prej verës së shkuar, pasi Prokuroria e Posaçme, kërkoi arrestimin e tij, po për çështjen e inceneratorëve.

Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Por ende pas 7 vitesh, impianti i djegies nuk ekziston, dhe gjithçka funksionon vetëm si një landfill i zakonshëm.

Sipas Prokurorisë e Posaçme, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier.

Në muajin dhjetor, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes të arrestuarve ishte dhe Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në arrest përfundoi dhe për një tjetër ish drejtor i Bashkisë, ndërkohë urdhërat e Prokurorisë prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri e Zoto.

Zoti Veliaj ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i qytetit”.

Në mars të këtij viti, Bashkia e Tiranës mori një tjetër goditje kur dy ish drejtuesë në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, dhe Maringlen Qato, u arrestuan nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. Një urdhër i dytë arresti, u lëshua dhe për Taulant Tushen. Ai dyshohet për “shkelje të barazisë në tendera”. Ish drejtorët, Molla dhe Qato, dyshohet të jenë pronarët realë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve të deritanishme, ka përfituar në mënyrë të parregullt, tendera nga agjensitë në varësi të Bashkisë.

Në një dalje të gjatë publike në fillim të muajit, zoti Veliaj u distancua nga ish drejtorët e tij, duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Opozita, e cila ka kërkuar daljen e zotit Veliaj përpara Këshillit Bashkiak për të dhënë shpjegime, prej disa javësh ka organizuar protesta përpara Bashkisë, me thirrjet për dorëheqjen e tij. Protestat janë shoqëruar me tensione me forcat e shumta të policisë si dhe me episode të dhunshme, të lëshimit të molotovëve drejt hyrjes së godinës së Bashkisë. I njëjti skenar u përsërit edhe sot pasdite, ndërsa ishte njoftuar mbajtja e mbledhjes së Këshillit bashkiak, e cila më pas u mbajt online. Një vendim që për përfaqësuesit e opozitës në Këshillin bashkiak, u konsiderua i papranueshëm, në një kohë që ata kanë kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme, ku zoti Veliaj sipas tyre do të duhet të japë përgjigje për abuzimet me fondet nga ish bashkëpunëtorët e tij.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...