Dëshmitë nga Himara/ Si na grabitën Goro dhe Bollano

Hënë, 08 July 2024 10:04
 

Për më shumë se një dekadë, pushtetarët e Rilindjes kanë treguar se nuk bëjnë dallime krahinore kur vjen puna për ta shfrytëzuar postin për të vjedhur. Por në Himarë rrëmbimi i pronave është bërë në mënyrë më agresive për shkak se kërkesat për investime kanë qenë të mëdha.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro u arrestua nga SPAK, i akuzuar pikërisht për grabitjen e një prone që më pas iu shit investitorit Artan Gaçi, bashkëshort i ministres Olta Xhaçka.

Por disa ditë më parë SPAK po i ngarkoi një rast tjetër falsifikimi për pronën, që me gjasë do t’i shtojë vitet e burgut për Jorgo Goron.

Skema e marrjes së pronës është e njëjtë. Për t’ia shitur investitorit, në fillim toka kalon në emër të një banori të Himarës, që ka pranuar ta shesë tek biznesmeni.

Në rastin e parë, prona kaloi te Stavri Mëhilli.

Në rastin e dytë, që tashmë është zbardhur në media, prona u kalua tek Arqile Bollanos. Ky është edhe zëvëndësuesi i Jorgo Goros në detyrë për momentin.

Denoncimi i pronarëve realë të tokës

Në dosjen e dytë në SPAK, Jorgo Goro akuzohet se ka grabitur dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato” me një vlerë financiare rreth 1 milion euro në Himarë.

Në vitin 2022 mësuesi i shkollës 9-vjeçare në Himarë, Irakli Likoka ka bërë denoncim për Arqilea Bollanon për “Falsifikimit të dokumenteve”.

Likoka thoshte se tokën e kishte të trashëguar nga babai i tij, ndërkohë që Bollano në 2016 kishte nxjerrë AMTP, ndërsa në 2022 kishte marrë çertifikatën e pronësisë. “Kjo sipërfaqe toke është kullotë dhe nuk është tokë bujqësore si e tillë nuk mund të jepet me AMTP…” ka treguar Likoka për Oraneës, duke treguar se pas denoncimit Bollano i bëri ofertë për t’i dhënë një tokë tjetër.

“Më thotë “Atë AMTP që e kë aty poshtë, të ta çoj aty në brinjë lart? Ku do ta kesh më të garantuar”. Edhe unë iu shpreha “Me koordinatat e AMTP time nuk do të trazohesh se për mua, të gjithë thonë “S’ka drejtësi”, unë do them gjithmonë që “Ka drejtësi!” është shprehur mësuesi i shkollës së Himarës.

Por Bollano tashmë e kishte shitur tokën dhe kompania që do të ndërtonte, kishte bërë kërkesë në bashki për të rrethuar zonën. Jorgo Goro i çoi puntorët, ndërsa policia mbajti larg pronarët realë, që shikonin se si u vidhej prona e të parëve të tyre sy për sy.

Dy bashkëshortët, Irakli Likoka dhe Filia Likoka treguan përplasjen fillestare që kanë pasur me puntorët e firmës që po i shkatërronin pronën dhe peripecitë që hasën me policinë.

…ditën e parë që i morëm ne në telefon nuk na erdhën. Ditën e dytë që mori zotëria, sa erdha që mbërita këtu me nipin edhe me burrin tim, i thotë Irakliu me çfarë të drejte më keni shkelur tokën time? I thotë ai: “…urdhëro letrat…”.Letrat janë që të gjitha të fallsifikuara. I thashë kështu policit:”…në qoftëse do na marësh në polici do vijnë dhe puntorët, do vijë dhe ai zotnija do vijmë dhe neve…”.Morën makinën, na vunë përpara na çuan në polici, ne na mbajtën aty, ndërsa puntorët dhe zotërinë e kthyen prapë dhe erdhën e punuan këtu.Dhe kur kam vajtur në polici atë nipin e futën nëpër hekura, brenda sikur çfarë kishte bërë. Nuk ngacmuam njeri, puntorët janë të gjallë dhe letë vijnë të tregojnë.As kemi ngacmuar njeri, kemi kërcënuar njeri asnjë gjë o vëlla…”-ka pohuar Filia Likoka.

Në ambjentet e Komisariatit të Himarës, Filia Koka është rrëzuar. Shkak është bërë sëmundja dhe fakti që nuk i lejuan për të marrë mjekim. Gjatë qëndrimit në komisariat, kur është rrëzuar në dysheme, ka thyer dhëmbët.

“…Më falni mua më kanë çuar me ambulancë në shtëpi, as çelësa nuk kisha ta hapja derën, ndërsa burri ishte brenda në polici dhe burri ka ardhur në darkë, e kanë mbajtur 7-14 orë bashkë me nipin…Unë jam invanlide, nga shteti. Jam me Parkinson dhe Epileptike.Kërkova leje nga polici, “…të lutem shumë nuk kam marë ilaçet, më kaloi ora, mund ti thuash zotërisë të më marë çfarë do nga unë, se më ka sjellë këtu dhe të iki…”. Shkon ai polici, e njoftoi dhe më thotë që i thanë: “…jo të rrijë atje…”.Prita 1 orë, 2 orë dhe sa prita atje hëngra turinjtë dhe theva dhëmbët, theva gojën. Ka ardhur ambulanca, më ka marë ambulanca dhe nuk e di si kam qënë.Se kush e di vëlla si është çështja epileptike e di shumë mirë dhe më ka çuar ambulanca në shtëpi. Dhe e thërasin burrin në darkë, të shkonte të jepte kallëzim. E pse të shkonte të jepte kallëzim, që më lanë aty dhe theva turinjtë.Çfarë kisha bërë unë, kë kam vrarë, jam zënë me drogë, çfarë kam bërë…”-tregon Likoka.

E moshuara shprehet se do kërkojë nga SPAK dhe ligji hetim të thelluar për Jorgo Goron dhe Arqile Bollanon.

“…Shtetit do ti kërkoj në SPAK, jo në SPAK, do ia kërkoj ligjit.Dua kullotën, kullotë dhe tokën buke, tokë buke. Se ato ligje që kërkoj, i ka shteti dhe ai të përgjigjet dhe të shkojnë që të gjithë në burg, se ka bërë falsifikime.Nuk jam as e para as e fundit vëlla, vjen në Himarë dhe të dalin të flasin, se nuk dolën kot dhe nuk i dhanë votën Jorgo Goros. Pse nuk ja dhanë votën Jorgo Goros?Se ishin të kënaqur nga ata, nga ai?Nuk jemi të kënaqur, i ka dhënë pasurinë e Himariotëve qën bir qënve. Kalamanjtë e mi, kanë mbaruar univesritetin dhe kanë ikur nxjerin bukën e gojës nëpër rrugët e Evropës.Ndërsa zotnitë që janë këtu, që vene, na qeshin kur dalin me policët vijnë të marin dhe pasuritë. Vijnë të ndërtojnë shtëpi këtu në shtëpi.Kjo është shtëpia dhe pasuri që në 1910 vëlla. Ja ku janë shtëpitë, është një shtëpi e banueshme dhe dy janë pa çati. Janë ndërtuar që në 1910 dhe Jorgo Gorua ka sjellë nga Tropoja, nuk e di nga janë o vëlla, nga Tropoja i ka sjellë këtu të marë pasurinë.Pse? Se neve nuk jemi të mirë të marin pasurinë tonë?Nuk ishim të mirë kur e nxorëm Jorgo Goron? Jam në proces gjyqësor dhe Jorgo Gorua i ka dhënë firmën zotnisë që të vijë në tokën e tija. Dhe mua më thotë mos kalo këtej se do të pres këmbët, se është pasuria ime…”-ka pohuar Filia Likoka.

Më tej kjo e fundit thotë se gjatë fazës së votimeve e ka mbështetur Jorgo Goron, duke e votuar. Madje dhe fëmijët e saj kanë ardhura nga Tirana dhe Amerika për të votuar pro Jorgo Goros.

“…Jorgo Gorua na shiti jo vetëm rrobat, por na shiti dhe këpucët, na ka lënë pa këpucë, pa shapka. Unë, që më shikon këtu kam sjellë nga Tirana dhe Amerika këtu, që ti jap votën Jorgo Goros.Dhe këtu Jorgo Gorua, ka sjellë hajdutër, ka bërë shkatërim këtu që nuk e mar me mënd, nuk e honeps dot…” ka treguar ajo.

Çfarë thonë Jorgo Goro dhe Arqilea Bollano

Jorgo Goro është njohur me çështjen tre ditë më parë dhe ka shkarkuar përgjegjësitë tek vartësit e tij. Ai pretendon se ka firmosur si kryetar bashkie, pasi dokumentat kishin kaluar disa filtra tek vartësit e tij në bashki.

Por masa e dytë e sigurimit personal ndaj tij është caktuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, Arqilea Bollano thotë se tokën e ka përfituar si pronar faktit dhe si provë ka sjellë faktin se dikur kishte mbjellë edhe pemë aty. Në dëshminë e tij të publikuar nga Oraneës, Bollano thotë se ka aplikuar për pronën sipas ligjit.

 “…këtë pronë e kam përfituar si përdorues faktik. Unë e kam pasur në përdorim që pas viteve 1990 dhe nuk ka pasur pretendime nga asnjë. Para shumë vitesh unë kam mbjellë edhe disa ullinj në këtë tokë por duke qenë e parrethuar, i ka dëmtuar bagëtia dhe nuk jam marrë më. Kam rënë në dijeni se në vitin 2013 ka dalë një VKM që këto toka që kishim në përdorim të na jepeshin në pronësi.

Kam paraqitur kërkesë në Bashkinë Himarë, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe pasi është trajtuar kërkesa dhe është kryer procedura, me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë është miratuar lista e përfituesve ku është edhe emri im. Pas kësaj nga Bashkia Himarë më është dhënë AMTP me nr. akti 11, datë 25 gusht 2016 për parcelën me sipërfaqe 4263 m/2 në vendin e quajtur “Vllatorja”, Himarë. Për këtë pasuri sipas ligjit kam aplikuar dhe e kam regjistruar në hipotekën e Vlorës…”.

Hetimet ndaj Bollanos tashmë janë duke u kryer nga SPAK. Socialistët vendosën që zgjedhjet në Himarë të zhvillohen në datën 4 gusht, ndërkohë që ndëshkimi për Goron duket se është një mea culpa për masakrën me pronat që është konsumuar deri tani.

Por ndërsa Goro ra në burg, në krye të bashkisë erdhi Arqile Bollano, një bashkëpuntor i tij në skemat e grabitjes së pronave.

Modifikuar më Hënë, 08 July 2024 10:07
Login to post comments

Lajmet e fundit

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Globi

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Tre ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ministri i Brendshëm i Francës përshëndeti forcat e rendit siç tha ai “për punën e tyre të palodhur”. Ai tha se përkushtimi i oficerëve...

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

Politikë

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

  Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK. Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks...

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

Aktualitet

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

  Një aksion i policisë të dielën zbuloi mallra kontrabandë në biznesin e fushës së kozmetikës, “Global Cosmetics & Distribution”. Policia njoftoi se në ambientet e biznesit në Tiranë janë gjetur rreth...