Humanizmi, rezistenca e dashuria e bëjnë regen e Marleyt me status të mbrojtur

Hënë, 03 December 2018 16:12

Në emër të thirrjes për drejtësi sociale, paqe dhe dashuri, si thesar global që duhet ruajtur, muzika rege mbrohet tash e tutje me status nga komiteti i posaçëm i UNESCO-s. Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, me seli në Paris, e mori këtë vendim gjatë një mbledhjeje të javës që shkoi. Tanimë muzika rege ka një status të mbrojtur, duke iu shtuar listës me më shumë se 300 tradita kulturore, siç janë forma e artit spanjoll, flamenko, iso-polifonia shqiptare ose joga në Indi. “Muzika rege funksionon si një mjet i komunikimit social, si një përvojë katarsisi, mjet i lavdërimit te zoti dhe muzika vijon të sigurojë një zë për të gjithë”, thuhet në deklaratën e UNESCO-s. Në deklaratë theksohet kontributi i saj për diskursin ndërkombëtar në çështje të padrejtësisë, rezistencës, dashurisë dhe humanizmit, nënvizon dinamikat e elementit që është njëherësh mendor, socio-politik, sensual dhe shpirtëror. UNESCO-ja futi në ombrellën e vet një zhanër që filloi në Xhamajka për mbledhjen e saj të “Trashëgimisë kulturore jomateriale” që konsiderohet mbrojtje dhe promovim i vlefshëm. “Pjesëmarrja e muzikës rege në diskursin ndërkombëtar për çështjet e padrejtësisë, rezistencës, dashurisë dhe humanizmit nënvizon elementin dinamik në të njëjtën kohë si mendore, socio-politike, sensuale dhe shpirtërore”, thuhet në deklaratën e UNESCO-s.

Ashtu siç edhe shkruhet,  muzika rege ka lindur në lagjet e varfra të Kinsgtonit më 1960-n. Rege ka pasqyruar kohët e vështira dhe betejat, njëherazi edhe muzikë e gëzueshme për vallëzim, me ritmin e dallueshëm. Mediet e huaja si CNN dhe BBC cilësojnë se muzika rege nëpër botë identifikohet më së shumti me kompozitorin dhe këngëtarin Bob Marley, i cili u bë yll botëror me këngët si “No Woman, No Cry” dhe “Get Up, Stand Up”. Të tjerë artistë me famë të rrymës rege janë Jimmy Cliff dhe “Toots and the Maytalls”

Ndër të tjera, në CNN shkruhet se rege lidhet me besimin fetar rastafarianizëm. Muzika rege shpesh kremton Jahun, që do të thotë zot, ganga, (marihuanën) dhe Ras Tafasin, perandori etiopian Haile Selassie, që është shndërruar në perëndi në këtë religjion. Në këtë mbledhje të UNESCO-s listës së trashëgimisë kulturore iu shtuan edhe pesë tradita të tjera; si Kidaoba (mundje) nga Gjeorgjia, sporti irlandez i vërvitjes etj. “Përfshirja e tyre në këtë trashëgimi simbolike besohet se ndihmon profilin e shtetit dhe praktikën”, shkruhet në “Gazetasi.al”.

Ky vendim i UNESCO-s ka marrë edhe vëmendjen e muzikantëve të Ballkanit. Në medien kroate “Gastro.vijesti” shkruhet se në këtë rajon njerëzit që në një mënyrë ose në një tjetër ishin të lidhur me këtë zhanër të muzikës me gëzim e kanë pranuar lajmin me komentin se ishte koha për një konfirmim të tillë.

Dejan Dedoviq i grupit të “Who See – Dedduh” nga Mali i Zi është një adhurues i kësaj muzike. Ai vlerëson se vendimi i UNESCO-s ishte privilegj i klasit të parë. “Ky vendim është një realitet i institucionalizuar ose i formalizuar, i cili është  mirënjohur për të gjithë dhe se muzika rege është një fenomen global që ka sjellë pikëpamje të reja në botë”, ka deklaruar ai për “Gastro.vijesti”.

Vendi ynë fqinj Mali i Zi organizon vazhdimisht festivalin e muzikës rege “Sun Reggae Festival”. Drejtori i këtij festivali, Vinko Mihajlovië, gjithashtu beson se muzika rege meriton një vend të veçantë. “Njerëzit e kuptuan se dashuria e madhe është dominante në këto këngë reflektive. Isha i lumtur me këtë lajm dhe shpresojmë që festivali ynë do të fitojë rëndësi edhe më të madhe”, tha ai për medien kroate “Gastro.vijesti”.

Artistët eminentë të këtij zhanri muzikor ishin dhe mbeten: Bob Marley, Peter Tosh, Burning Spear, Damian Marley dhe Jimmy Clif. D.E 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...