“Shtëpia prej fjale”, me Islamin në prag!

E mërkurë, 19 December 2018 14:05

Nga Ahmet Prençi

Të hënën, në ditën e pestë të Nëntorit 2018, në orën 12.53 minuta, poeti Islam Çenga ndërroi jetë! Pata fatin ta shoh edhe një herë, pak minuta para se të jepte frymën e fundit, ndërsa vështrimet tona kryqëzoheshin duke folur poetikisht, pa fjalë, pa lëvizje. Ai po bëhej gati për në mbretërinë e qiellit, ndërsa unë zbrita në sheshin para pallatit dhe, së bashku me Ben Hysenin qëndruam heshtur, derisa familjarët na sollën lajmin, që me mendje e prisnim, por me zemër e shtynim sa mundeshim;- Islami, na la! “Na la!”. Pra, të gjithë e kuptuam se ai iku, si zogu që grihet nga dega dhe fluturon qiellit të pamasë.

Mësuesin tim të dashur, poetin e pashtershëm, mikun e çmuar s’do mundesha ta takoja më, përveçse në ëndrrat, kujtimet dhe në librat e tij.

Bisedën e fundit me Islamin e bëra të premtën e datës 2 Nëntor, në mesditë, pranë krevatit të tij. Ishte i lodhur, krejt i tretur, “si një varg”, siç thoshte ai, në njërën nga poezitë e tij. Atë ditë biseduam për amanetin, që më kishte lënë disa ditë më parë; botimin e librit e tij më të ri. Nuk e thamë as unë e as ai, por në fakt, të dy e denim, se ai ishte libri i tij i fundit…
Gjatë sëmundjes së tij të gjatë, plot një vit e shtatë muaj, kishte botuar librin, “Dy pëllëmb qiell”, ku cikli i këtij vëllimi, “Vdekatari” ishte një paralamërim i hidhur, për çdo mik e lexues të vëmendshëm. Islami kishte shkruar aty prologun e udhëtimit të tij pa kthim, një udhëtim qiellor, i gjatë e i përjetshëm.
Javët e fundit, sa herë takoheshim, e shihja se nuk i ndante nga dora poezitë e poetit turk Nazim Hikmet dhe librin e poetit të dashur latin, Carlos Ernesto Garcia. Tek kafe “Aroma”, pranë shtëpisë së tij, ku unë gati çdo dite do shkoja e ta takoja, e gjeja teksa merrej një ditë me njërin autor e një ditë me tjetrin. Këto ishin dy librat e fundit, me të cilët u nda Islami nga kjo botë, që do të thotë se ishin edhe librat më të dashur për të në atë periudhë.
Ishte njëra nga këto ditë, kur krejt papritur, më tha se kishte gati një vëllim të ri me poezi. U befasova, pasi nuk e mendoja se ai kishte patur forcë të shkruante më, ndërkohë që as laptopin nuk e hapte prej kohësh.
“Gjithë jeta ime është një udhëtim dhe i vetmi vend familjar, ku kthehem gjithnjë, është sëmundja ime!”, pati thënë Niçja. Dhe këta 19 muaj të Lames, ishin si të Niçes së sëmurë”, - mendova në ato çaste!

-Janë poezi të hershme këto? - e pyeta, duke menduar se kishte gërrmuar në sënduqe, ku mund të kishte arkivuar poezi të shkruara në kohë të ndryshme dhe tani donte t’u jepte frymën e tij të fundit.
-Jo, jo! Janë poezi të shkruara tani!
Pushoi pak, mori frymë thellë dhe vazhdoi: Shkak për t’i shkruar këto poezi u bë biseda, që bëmë dy muaj më parë tek kafja me Arben Çejkun, - sqaroi me zërin, që ashtu si trupi i tij i ishte tkurrur, i ishte zbehur thellë.. Heshti një copë herë dhe, pyeti:
-Të kujtohet?
-Po, patjetër që e kujtoj - i përgjigjem.
Në fakt ishte një bisedë e bërë pak kohë më pare, po tek bar “Aroma”. Atë ditë u diskutua për librin e Platonit, “Apologjia e Sokratit”, e më pas për Danten, për Nicen, për... Arbeni i foli me shumë pasion mbi raportin e trupit me shpirtin, mbi frikrat për vdekjen, mbi poetët e shkrimtarët, që i kanë shkruar bukur dhe vdekjes, mbi hapsirën e vendin e veçantë, që kanë poetët në parajsë etj. Në fakt, ishte një bisedë e gjatë plot art e filozofi, që Beni e bëri me shumë dëshirë. Sigurisht, për t’i dhënë kurajo poetit tonë, që nga çasti në çast mund të ftohej në dyluftim nga vdekja, dhe të mundej si Pushkini. Mesa duket, ai këto fjalë po priste dhe unë me Benin, prandaj ishim aty.
-Kjo bisedë me Benin më nxiti të shkruaj këtë vëllim me poezi! -më tha. Dhe amaneti i Islamit ishte që unë të ndiqja tek shtëpia botuese “Dita Print” botimin e librit.
-Bëj ç’të duash me të, unë nuk kam mundësi ta ndjek proçesin e botimit, nuk lëviz dot më…
Bisedova me botuesin, një nga miqtë e çmuar të poetit, zotin Naim Buci, të cilin e sqarova mbi urgjencën që kisha për botimin e këtij libri. Naimi, u angazhua shumë seriozisht dhe me shumë dashamirësi, ndaj gjej rastin ta falenderoj atë së bashku me Alketa Lekën e Sokrat Gjovarën dhe stafin e shtypshkronjës.
Draftin e përgatitur ja tregova Islamit, tre ditë para se ai të na linte. Kjo ishte edhe biseda jonë e fundit. Ramë dakort për të gjitha detajet finale të librit dhe për titullin “Shtëpia prej fjale” dhe jo për “Paradise”, siç e kishte titulluar ai në fillim. Bëri dhe detikimin që e kishte me shumë merak. I lexova me zë poezinë, që do të vihej e para e që do të mbante si titull atë që i vumë edhe librit. Ja lexova dy herë që të ndryshonte ndonjë fjalë, por ai buzëqeshi me shumë dashamirësi, i pëlqeu… Ishte plotësisht dakort dhe e dha miratimin përfundimtarë për librin.
Të hënën, një kopje të printuar do ja sillja unë, thjesht për ta parë para se të futej në print.
Nuk arriti ta shikonte. Ndërkohë që nga shtypshkronja me njoftuan që të merrja këtë kopje, Nadi më njoftoi se Islami ishte shumë rëndë. Vajta tek banesa dhe kjo ishte dita, që unë do e shikoja me frymën e fundit poetin vdekatarë.
Një kopje speciale të librit “Shtëpia prej fjale” e printuam me shumë urgjencë dhe ja dhamë me vete Islamit, si një pashaportë për në atë botë. Sot që libri është në duart tuaja, them se amaneti u përmbush! Ai e mori kopjen e parë të librit të tij, në një mënyrë që askush nuk e kishte imagjinuar, në një mënyrë më shumë sesa poetike! Një njeri po shuhej në shtratin e vdekjes, ndërsa shpirti i tij poetik po ngjallej si një libër në shtypshkronjë. Dhe ja, tani e kemi të gjallë mikun tonë, poetin që më shumë dhe më bukur se askush tjetër i këndoi jetës, dashurisë dhe vendlindjes së tij të bukur, Peshkopisë!
Ditën e parë të panairit të librit, së bashku me Arben Çejkun shkuam fillimisht tek varri i poetit Islam Çenga, për të hyrë në panair, nga “Shtëpia prej fjale”, në pragun e së cilës ishte Islami.
Ndërsa lexon këto poezi, nuk mund të mos reflektosh thellë! Janë fjalët dhe vargjet e një poeti, që këtë vëllim e shkroi duke pritur ditët, orët, minutat dhe sekondat për të kapërcyer në qiell, në qiellin e pafund, që nuk është më metaforë e poezive të tij, por banesa e përjetshme, nga ku ai rri e na vështron.
Lamtumirë Islam Çenga!

***
Sot 45 ditë, pa ty mik i shtrenjtë!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...