Dedikimet prekëse të kolegëve për aktorin Xhevdet Ferri

Premte, 17 Janar 2020 12:25

“Sëmundja është e pabesë”, regjisori Saimir Kumbaro: Besoja se Xhodi do ia dilte, por…

Regjisori Saimir Kumbaro në një prononcim për “News 24”, duke folur për ndërrimit nga jeta të aktorit Xhevdet Ferri tha se ai ishte shumë mirë dhe nuk mund ta besojë këtë që ka ndodhur. Kumbaro vlerësoi se Ferri i kishte thënë se do ia dilte nga sëmundja, por që për fat të keq nuk ia doli.

 “Ka tre a katër muaj që e kam takuar së fundmi. Ishte shumë mirë. E dija sëmundjen e tij. Sëmundja që kishte po përhapet në mënyrë të madhe sot, ishte e pabesë. Por besoja se do ta munddte atë sëmundje. Është fatkeqësisht e madhe që humbëm një aktor karakteri. Ishte aktor i planit dramatik, ka xhiruar edhe një film si regjizor, plus që ka qenë kryetar i qendrës kombëtare të filmit. Xhevdeti ishte njeri i gjerë. Xhod do jetë gjithmonë në kujtesën tonë. Familjarët duhet të bëhen të fortë”, tha regjisori Kumbaro.

Ndërsa aktorja Zamira Kita tha se lajmi për ndarjen nga jeta të Xhevdet Ferrit ishte tronditës.

“Kur lexova lajmin u trondita shumë. Unë e kam pasur mik Xhevdetin dhe bashkëshorten e tij. Ai ishte një ikonë e kinematografisë sonë. Ai ka kaq shumë portrete të veçanta. Ai ka qenë një mik shumë i mirë i imi. Kur kemi punuar, Xhevdeti më është gjendur pranë, ka bërë që shumë materiale tonat të jenë në përjetësi. Ngushëlloj familjen dhe të bëhen të fortë, ngushëllime artistëve, të gjithëve”, deklaroi Kita.

Dje i shkova në spital…’, Ndriçim Xhepa zbulon nga se vuante Xhevdet Ferri: Jam personi i fundit nga njerëzit e artit që e pashë

Ndriçim Xhepa ka zbuluar për News 24 se kolegu i tij, Xhevdet Ferri i cili vdiq sot vuante nga një sëmundje pulmonare në mushkëri. Ai bëri me dije se dje i shkoi për vizitë Xhevdet Ferrit në spital dhe e pa në një gjendje shumë të rëndë por nuk ja mori mendja se aktori do të vdiste pas 24 orësh. Po ashtu Ndriçim Xhepa thotë se është i pikëlluar pasi në dhjetor e kishte takuar për herë të fundit kurse rrugëtimin si aktorë e kanë pasur së bashku pasi përkojnë të së njëjtës kohë.

”Nuk është se nuk i kam ditur gjërat që në pranverë. Por besoj se mund të jem personi i fundit nga njerëzit e artit që e kam parë mbrëmë.

Unë kur mora njoftimin jo më larg se dje në drekë që nuk ishte mirë. Isha dje deri në 9 në spital. Bënë një tolerancë mjekët, një mjek reanimator. Ndoshta bëra mirë, ndoshta keq pasi pashë në gjendje të keqe. Mjeku tha që kishte shpresa shumë të vogla.

Më shpjeguan gjithçka, me frymëmarrje të drejtuar. As 24 orë nuk janë mbushur kur e kam parë. Fola sot me të shoqen pasi kishim një dëshirë që Sanatoriumi të bëntë një përpjekje por fundi është siç po bisedojmë dhe s’më erdhi në mendje që do vinte kaq shpejt, brenda 24 orëve. Ishim shumë miq bashkë, jemi ata aktorë që përkojmë si kohë dhe si moshë. Jemi aktorët e fillimit të punës në teatër, dhe në kinema. Xhoda kontribuoi në shumë filma, është 2-3 vjet më i ri se unë.

Kam punuar shumë tepër me të se sa të tjerët. Kemi qenë tek ‘Vendimi’ te ‘Dasma e Sakos’, te ‘Delegacioni’, te ‘Treni niset në 7 pa pesë’.

Kemi shkuar bashkë në Përmet kur xhiruam filmin e fundit. Kemi bashkëpunuar edhe tek Universiteti pasi ka qenë dekan i Arteve ndërsa unë isha pedagog i jashtëm. Në 96’ kemi qenë bashkë deputetë në parlament, pavarësisht kohës së keqe kur përkoi dhe pse ishte parlament cilësor.

Fillimit të dhjetori jemi takuar, por gjendja spitalore e tij ka qenë shumë pak ditë para vitit të ri. Ky dy javëshi i fundit ka qenë në spital .Unë kam pasur disa lëvizje por jemi takuar, e kisha pranë Xhevdetin bashkë me Viktorin.

Nuk e di por nga ana profesionale këta mjekët, mjeku i brendshëm ishte i mrekullueshëm po më thoshte se ishte një nga dy rastet e rralla kur sëmundja godet pulmonet.

Ishte shumë kurajoz, me të vërtetë me bagazh, djalë me shije dhe i lexuar. Jo më kot ka qenë në 3-4 raste si drejtues në art. Me filmin, me teatrin kishte gamë të gjerë, zonë të gjerë mentale, tepër të gjerë.

Kur e kam uruar në verë që u bë gjysh e shijoi dhe e mori këtë lumturi nga e bija. Kemi punuar bashkë, kemi jetuar bashkë dhe ka qenë një kënaqësi.”- tha Ndriçim Xhepa.

Ndarja nga jeta e Xhevdet Ferrit/ Mesazhi i veçantë i Kurtit: Guximi i Marigosë dhe Trimit mbeten porosia për ne, Gjino...

Vdekja e parakohshme e aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri ka sjellë edhe reagimin e politikës në Kosovë. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, shpreh ngushëllimet e tij.

 ‘Është fati im, më ra nga qielli!’ Xhevdet Ferri na jep lamtumirën!

Duke marrë shembull filmin ‘Përrallë nga e kaluara’, Kurti shprehet se, guximi i Margiosë dhe Trimit mbeten porosia për ne, pasi shoqëria duhet të përparojë dhe Gjinoja duhet të rritet.

POSTIMI I PLOTË I ALBIN KURTIT:

Mora vesh se sot paska vdekur aktori i mirënjohur, Xhevdet Ferri. Në moshën 59 vjeçare, prej një sëmundjeje të rëndë. Fytyra e tij, fuqia shprehëse e mimika përcillte bashkë me guximin e paepur edhe një lloj melankolie, përballë situatave shoqërore të cilat duken si të pandryshueshme. Kështu në filmin “Vitet e pritjes”, ku luan rolin e mërgimtarit të kthyer pas shumë vitesh në atdhe, ku fatkeqësisht pritet si i huaj, dhe e gjen vendin pa përparim, me të njëjtat probleme të kahershme. Por mbase më mbresëlënës është filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku Xhevdet Ferri luan rolin e trimit. Edhe ai film, krijuar mbi veprën e shkruar para më se një shekulli prej Çajupit, rrëfen fatalitetin e shoqërisë të marrë peng prej një mentaliteti të vjetër, që i ka ikur koha. Duket sikur ky mentalitet i vjetëruar vijon ta përndjekë shoqërinë shqiptare. E megjithatë, guximi i Marigosë dhe i trimit mbeten porosia për ne, sepse shoqëria duhet të përparojë e Gjini duhet të rritet.

U prehsh në paqe Xhevdet Ferri, ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe publikut të kinemasë. Mbetesh i paharrueshëm në kujtesën tonë të përbashkët.

Ti ke qenë një burrë i rrallë, Xhodë!

Nga Ermal Mulosmani

Një sms i tmerrshëm mbërriti në telefonin tim dje, në orët e hershme të mbrëmjes. Një mik i përbashkët më njoftoi për humbjen e parakohshme të Xhevdet Ferit!

Ndarja nga jeta e Xhevdet Ferrit/ Mesazhi i veçantë i Kurtit: Guximi i Marigosë dhe Trimit mbeten porosia për ne, Gjino...

U shtanga dhe s’po gjeja fjalë të reagoja. Si kishte mundësi vallë ky kob kaq shpejt?! I shkruajta një “Mosss” dërguesit dhe ndenja si i mpirë për pak minuta.

Vdekja ia kishte mësyrë njërit prej më të mirëve që kam njohur.

Pak muaj më parë, mora vesh rastësisht që Xhoda ishte sëmurë, "ka kaluar një periudhë të keqe"-më tha dikush…

U tmerrova kur e mora vesh, u ndjeva fajtor, shumë fajtor.

“Si u ndamë kështu Xhodë” – thashë me vete atë ditë?!

Xhoda më nderoi me miqësinë e tij. Dikur ishte shumë intensive e më vonë erdhëm duke e rralluar. Kombinim rastësish por unë gjithmonë mendoja se do shkoja ta takoja. “Ja, nga java tjetër se s’bën” -thoja me vete.

Sa herë takoheshim 3 orë iknin si pa ndjerë…

Xhevdet Feri nuk ishte vetëm aktor brilant. Ai ishte njeri erudit së pari. Me të mund të flisje për historinë, Bismarkun, Hitlerin Çurçillin, Ruzveltin, Stalinin; kalonte nga letërsia klasike greke te letërsia ruse ku ndjehej dobësia për Gogolin mbi të gjithë; Pastaj merrej me ekzistencialistët , modernistët dhe përfundonte në dashurinë e tij më të madhe, shkollën angleze të Teatrit. Fliste për Harold Pinterin, Strindbergun, Dario Fo.

Më dukej sikur kishte lexuar në një jetë tjetër dhe kishte mbërritur i lexuar në këtë jetë.

Fliste me pasion për themeluesit e kinemasë moderne, Spilbergun, Woody Allen-in, Kubrik-un apo Scorsese-n….

Me të njëjtin patos , pak më pas zhytej në historinë e preferuar të tij, fisin Feri, rrrënjët në Plavën e dashur, mallin për vëllezërit e tij nga babai që kishin mbetur në Sarajevë…

Aventurat e arratisjes së babait nga Jugosllavia, mbërritja në Durrës dhe martesën me nënën shumë herë më të re i rrëfente bukur, shtruar plot detaje. Ishte një pus i madh i dijes, një karakter shumë i fortë, një personalitet artistik e njerëzor i jashtëzakonshëm.

Rrallë në jetë kam takuar një njeri me dimensionin kulturor, artistik dhe me intuitën e Xhevdet Ferit. Nëse nuk do ishte aktor, padyshim mund të ishte inxhinier, doktor apo shkencëtar i shkëlqyer. Sepse universi i tij ishte jashtëzakonisht i gjerë, fantazia dhe dija e tij e kalonin talentin e aktorit.

U takuam për herë të fundit në Gushtin e këtij viti, të nesërmen e ditës që mora vesh që “ka kaluar një siklet të madh”. E mora menjëherë në telefon dhe e lamë të takohemi te Pazari i ri, jo larg shtëpisë së tij. Ishte i lumtur, i gëzuar, zërin e kishte gjithë dritë.

Më shpjegoi gjerë e gjatë sesi sëmundja e kishte vënë përfundi, sesi shkoi te spitali, doktori fantastik dhe së fundi rezultatet e analizave të pabesueshme! Ishte aq kënaqësi ta dëgjoje atë gëzim fëmijëror në atë trup të madh e me atë zë të thellë e burrëror! U binda edhe unë që e ka kaluar. “Nuk ka asnjë gjurmë të “bishës” në trupin tim”- më tha. Dhe e besova. Ndoshta edhe sepse doja ta besoja, sepse shpresoja të bëhej mirë. Ndoshta energjia e tij e asaj dite ishte e tillë sa ma përcolli gëzimin edhe mua…

Ndenjëm gjatë, folëm për politikë, për teatrin, Ramën, politikën… Pas dy orësh u ndamë. Për të mos u takuar më!

I dashur Xhodë,

Unë nuk shkruaj kurrë mesazhe për të vdekur. Sepse mendoj se vuajtja për humbjen e njerëzve të afërt është diçka thellësisht personale. Por mesazhin po e shkruaj për të thënë faleminderit për ndihmën e pakursyer që më ke dhënë, për miqësinë e ofruar, këshillat e vlefshme; për netët e kaluara bashkë duke folur pafund, për të gjithë atë kohë që ma ke dhënë me bujari.

Ti ke qenë një burrë i rrallë Xhodë, vërtetë burrë i rrallë! Babai yt, heroi yt do të kishte qenë krenar për ty.

Rajmonda Bulku: Ndërpremë provat, u shokuam...

Ditën e sotme një lajm i hidhur tronditi kinematografinë shqiptare. Aktori i mirënjohur, Xhevdet Ferri, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë.

Burimet thonë se aktori i ndjerë do përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 13:00 në varrezat e Sharrës. Për të nuk do të ketë homazhe.

Për vdekjen e tij kanë reaguar shumë kolegë.

Rajmonda Bulku tha se ka mbetur e shokuar.

“Jemi të shokuar nga lajmi. Jo se nuk prisnim të them të drejtën, por lajmi i fundit ka qenë i tmerrshëm. Do të doja që të mos flisja asnjëherë për këtë. Më vjen shumë keq, nuk e di pse mendoja se mund të ndodhte ndonjë mrekulli kur ai u bë gjysh dhe i thosha së shoqes se forca e dashurisë për këtë qenie të vockël që do të vijë në shtëpi, mund ta ndryshojë. Jetoi shumë pak si gjysh i lumtur. Mendoja se do të kalonte gjithçka, shpreson njeriu deri në momentin e fundit. Është një jetë e gjatë që kemi punuar dhe kemi qenë miq të mirë me të. Jemi pak të lodhur nga këto vdekjet e kolegëve tanë, miqve tanë, u bënë pak si tepër dhe është shumë e dhimbshme. Xhevdeti ishte një student i shkëlqyer, shumë i ditur, një familjar me gati gati nga ato dashuritë e frikshme. Më vjen keq që tani u iku shoku i tyre, babi, bashkëshorti. Ne ishim në skenë dhe ngelëm, ngrimë, regjisorja filloi të bërtiste duke thënë “çfarë”, i ndërpremë provat”, tha aktorja për News24.

Petrit Malaj: Ç'dhimbje! Pas Xhuvanit, humbëm dhe Xhevdet Ferrin

Aktori Petrit Malaj ka rrëfyer mëngjesin e sotëm, dhimbjen e thellë për humbjen e mikut të tij Xhevdet Ferri, një dhimbje e re dhe humbje e re për kinematografinë shqiptare pas ndarjes nga jeta para kohe disa muaj më parë edhe të regjisorit Gjergj Xhuvani.

Në një intervistë në Abcnews, Petrit Malaj tha: "Një djalë kurajoz, që gjatë gjithë këtyre viteve ka dhënë shumë jo vetëm në interpretim, por edhe në një drejtim tjetër që arti ka nevojë, sa i takon menaxhimit të tij.  Ai gjithmonë është përpjekur të jetë vetëvetja dhe të thotë të vërtetën. Nuk përpiqej njeri që me Xhevdetin të bisedonte para se të kishte një komunikim, kishte një mendim të tijin shumë të prekur.

Ndarja nga jeta e Xhevdet Ferrit/ Mesazhi i veçantë i Kurtit: Guximi i Marigosë dhe Trimit mbeten porosia për ne, Gjino...

Prandaj fola për këtë pjesë të dytë të tij, do e mbajmë med shumë për këtë gjë dhe kemi nevojë për këtë. Mendoj se ka lënë gjurmë, që edhe në Universitetin e Arteve kemi vite që punojmë së bashku. Xhoda ishte një nga dekanët e parë, filloi të hapë fakultetin. Ishte një hapje që i dha frymë fakultetit. Xhoda ishte hartuesi kryesor i ligjit për kinemanë.

Përpiqej të krijonte lobingje në të mirë të artit të kinema. Xhoda nuk mund të rrinte i fjetur, ai i gjente punë vetes. Në fakt përfitonim të gjithë. Jemi mërzitur shumë me ikjen e tij.

Prej një viti ka qenë shumë sëmurë. Ka pasur sëmundje të keqe tumoriale. I përballi me sukses rreth 8 kimioterapi. Filloi mësimdhënien nga data 17 dhjetor. Një ditë i thamë o Xhodë,por nga shkurti i kemi provimet, dua të avancoj me ta më tha.

Para 5 ditësh pata një takim me të në spital dhe ishte i shqetësuar për studentët. Fundin nuk e priste asnjëri. Edhe këtë do mendosh tani, i thonim. “Jo mor jo tha”. Ishte me kurajo. Të nesërmen tentoj të shkoj në spital dhe më thonë e kishin cuar në reanimacion.

Unë kam pasur fatin të interpretoj me Xhodën që 20 vjeç. Ishte filmi i tretë i tij kur unë kam interpretuar me të. Një djalosh që vinte nga Durrësi, shumë më i hedhur sesa ne. Edhe regjisori kishte një komunikim  shumë më xhentil. Ishte për një atmosferë të shkëlqyer në sheshin e xhirimit. Ishte njeri i komunikimit. Ajo që në dhemb është se e kemi humbur si koleg aty. Këto vite kemi humbur disa njerëz të nevojshëm. Humbën Gjergj Xhuvanin, tani Xhevdet Ferrin. Njerëz që i kanë dhënë shumë asaj shkolle.

Ne të tjerët të cilët nuk ishim artistë, ishim të dhënë edhe nga mënyra sesi ai jetonte,miqësohej dhe e përcillte të gjithë këtë energji. Mua më ka bërë përshtypje një shkrim nga Ermal Mulosmani, një producent, dua të të shkëpus një gjë të vogël që ai thotë “Xhevdet Feri nuk ishte vetëm një njeri brilant, kalonte nga letërsia greke te ajo ruse, pastaj merrj me realistët sipas tij ai mund të ishte bërë shumë mirë, nëse do nuk do ishte bërë aktor, mjek…” Ka qenë kurajoz, merrte përsipër. Për mua do të thotë shumë."

ip-1.jpg

Vjet e sollëm me urgjencë në spital.../ Vdekja e Xhevdet Ferrit, përlotet për humbjen Viktor Zhusti

Aktori i njohur, Viktor Zhusti, merr vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit të madh, Xhevdet Ferri, në një lidhje live nga “News24” dhe nuk mban dot lotët.

I shokuar nga ndarja e parakohshme e aktorit të madh, Zhusti shpërthen në fjalë dhimbjeje dhe në thirrje të trishta “O Zot”, është e paimagjinueshme”.

 ‘Është fati im, më ra nga qielli!’ Xhevdet Ferri na jep lamtumirën!

“Është e paimagjinueshme. Është gjëja më shokuese dhe më tronditëse, që kam pasur në këtë periudhë. Kohët e fundit bëmë filmin “Delegacioni” me të, që pati sukses të jashtëzakonshëm. Xhevdeti ka qenë, o Zot, ka qenë studenti im. Ka qenë i shkëlqyer, nuk di ç’të them. Iu shpreh ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njohur.

E kam takuar një vit më parë, kur ishim me xhirimet e filmit. Nuk e dija që ishte i sëmurë. O Zot, në atë kohë pati një incident dhe me një aktor tjetër, por e sollën në Tiranë me urgjencë dhe shpëtoi. Xhevdeti ishte shumë bashkëpunues, shumë i dashur dhe i sjellshëm.

Çdo gjë mund të prisja sot, por vetëm këtë jo. Unë kam luajtur disa filma me Xhevdetin. E kuptoni sa e vështirë, pas një lajmi aq tronditës, të përqendrohem dhe të përmbledh kujtimet e mia me të. Sa e rëndë, sa e papritur dhe sa shokues ishte gjithë ky lajm. Me Xhevdetin kam një rrugë 50-vjeçare, ne ishim miq, aktorë, bashkëpunëtorë, studentë, pedagogë, e donim dhe e respektonim njëri-tjetrin … nuk e di”, tha Zhusti.

Modifikuar më Premte, 17 Janar 2020 12:39
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...