Tetovë, “Tradita” organizoi edicionin e pestë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

Hënë, 11 June 2018 11:21

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, sot, më 10 qershor 2018, e organizoi në Tetovë edicionin e V me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, veprimtari kulturore që këtë vit përkoi me 140 – vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila meriton të kujtohet sidomos në këtë periudhë të zhvillimeve të mëdha në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve tha se pas 140 vitesh, ne të gjithë së bashku e risjellim në vëmendjen tonë kontributin e  autoriteteve shqiptare të Lidhjes së Prizrenit, të cilët pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave të kombit. 

“Studiues të njohur të historisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit  e vlerësojnë si ngjarjen më të veçantë në historinë moderne shqiptare, sepse sipas tyre e krijoi njësinë e tërësisë kombëtare dhe njësinë e shkollës shqipe. Në të njëjtën kohë është lëvizja që krijoi platformën historike, politike dhe kulturore për formimin e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia jonë na rrëfen se kjo ngjarje është ndër të arriturat më të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sidomos kur dihen rrethanat historike të popullit shqiptar, robëria shekullore, lakmitë e shteteve fqinje, qëndrimi i qendrave evropiane të vendosjes, por edhe qëndrimi armiqësor i Portës së Lartë”, theksoi Selam Sulejmani. Ai, po ashtu vuri në dukje se manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”, përtej aspektit historik, në esencën e tij dhe konceptin e përgjithshëm ka edhe karakterin letrar, dhe për këtë arsye ai solli në vëmendje të auditorit vargje nga “Lahuta e Malësisë”, kryevepra e  At Gjergj Fishtës, i cili në këtë poemë e fton zanën që së bashku me të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, siç është Lidhja e Prizrenit.
Në fjalimin e tij, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” shtoi se ngjarjet që u zhvilluan pas vitit 1878, treguan edhe një herë se në çdo situatë kritike që ka kaluar populli shqiptar, atë e ka shpëtuar vetëm organizimi dhe përpjekja e forcave kombëtare, ndërgjegjja e njerëzve më të aftë, më të guximshëm dhe më largpamës.
Referatin kryesor për përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit para pjesëmarrësve në manifestim e paraqiti historiani i njohur, Prof. Dr. Zeqirja Idrizi, ligjërues në Katedrën e Historisë të Universitetit të Tetovës.
Sipas profesor Zeqirja Idrizit, Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.  “Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo është një nga përpjekjet më serioze për pavarësinë e vendit, jo vetëm për nga numri i përfaqësuesve që mblodhi, por edhe nga platforma ideologjike. Në këtë kohë dramatike për atdheun 1875 - 1878, kur atdheu kishte më tepër nevojë për me qenë, mendimtarë, politikanë, luftëtarë dhe poetë, pa humbur kohë për asnjë çast, vëllezërit Frashëri si ideologë u rreshtuan në Komitetin e Stambollit  si organizatorë të mirë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me përpjekjet e tyre Lidhja e Prizrenit mori një fuqi të re”, deklaroi Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.
Në referatin e tij, historiani Idrizi i theksoi edhe emrat e delegatëve pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, në mesin e tyre edhe delegatë nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë. “Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Unë po përmendi vetëm delegatët nga Tetova: Sheh Mustafë Tetova, Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan pashë Derralla, Esat pashë Tetova, Mehmet Efendiu, Rexhep beu, ndërsa nga Gostivari: Haxhi Zylbehari”, deklaroi Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.
Referatin e tij profesori i UT-së e përmbylli me pyetjen: ,,A ka sot burra në këto hapsira, sikur dikur moti, që t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos i shesin, as mos i falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afatshkurtëra, personale e partiake?”, për të vazhdura më tej: “Në këtë udhëkryq të historisë së shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për kombin tonë – 550-Vjetorin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe 140-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqësit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin? Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, apo drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetorë kombëtarë shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha mes tjerash Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.

Modifikuar më Hënë, 11 June 2018 11:22
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...