Këta janë hapat që e presin Kosovën pas rekomandimit të KE-së 

E Enjte, 19 July 2018 08:34

Saga disavjeçare për liberalizimin e vizave për kosovarët, prej sot (e mërkurë) ka hyrë në fazën finale të saj, pasi Komisioni Evropian (KE) ka dhënë rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve të shtetit më të ri në Evropë.

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, kumtoi sot raportin e Komisionit Evropian, duke thënë se Kosova tanimë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ai ka theksuar se tanimë pritet të vazhdohet me procedurat e mëtejme, të cilat do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë, shkruan Telegrafi.

“Mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Mund të themi se është bërë një punë e madhe në këtë drejtim. Më lejoni të uroj autoritetet në Kosovë për punën e bërë drejt liberalizimi”, ka thënë Avramopoulos.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE.

 

Ai ka thënë se sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane.

“Lajmi i sotëm e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç edhe kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe sot me plot kuptimin e fjalës, kemi pajtim të plotë me partnerët tanë në Komision Evropian”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se kjo nuk ka qenë një dhuratë, por sipas tij, një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar ka theksuar se Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kemi bërë përparim të madh, një punë të jashtëzakonshme, por angazhimi ynë në rrugën evropiane duhet të vazhdojë edhe më tutje. Tani, i takon BE-së për t’ua lejuar qytetarëve kosovarë lëvizjen e lirë në Zonën Schengen. Shpresojmë që edhe kjo të ndodhë sa më shpejtë, sepse e meritojnë qytetarët tanë. Urime”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova mori lajmin e shumëpritur për hapjen e rrugës drejt lëvizjes së lirë dhe përafrimit me familjen e madhe evropiane.

“Populli i Kosovës me shumë arsye i gëzohet sot rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së, duke u vlerësuar i barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe ata evropianë. Me shumë përkushtim dhe vizion Qeveria që unë drejtoj, pergjatë tërë këtyre muajve, ka punuar pa u kursyer, në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së”, ka shtuar Haradinaj.

Se cilat janë procedurat, të cilat duhet të ndjeken që liberalizimi i vizave të bëhet realitet, ka treguar edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se Kosova ka mbështetje nga Parlamenti Evropian (PE) në këtë proces. Mirëpo, sipas saj, barra më e madhe i mbetet Këshillit të Ministrave të Evropës për të dhënë fjalën e fundit për liberalizmin e vizave ndaj Kosovës.

Ajo tha se është mjaftë vështirë të flitet për një datë të saktë se kur mund të lëvizet lirshëm pa viza.

“Shpresoj që rekomandimi të thotë që janë plotësuar kriteret”, tha Osmani.

Deputeti i “Alternativës”, Ilir Deda ka sqaruar se vendimi i parë, nga tre sosh, për liberalizim të vizave më në fund u përmbyll me sukses.

Njohësi i integrimeve evropiane, Artan Murati ka treguar se cilat janë hapat e mëtutjeshëm pas rekomandimit pozitiv të KE-së.

“Parlamenti Europian mandatohet nga Komisioni Parlamentar kompetent (LIBE – Komisioni për të drejta civile, drejtësi dhe punë të brendshme) për të proceduar me çështjen në fjalë.

Më pas, Këshilli miraton pozicionin negocues që i hapë rrugë trialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjen e tekstit i cili më pas hidhet në votim në seancë plenare në Parlament, ku nevojitet shumica e kualifikuar”, ka thënë Murati, përmes një postimi në Facebook.

Në të njëjtën kohë, sipas Mjuratit, edhe Këshilli duhet ta votojë propozimin, me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë). E tërë kjo procedurë mund të zgjasë deri në 9 muaj.

“Megjithatë, nëse institucionet e vendit do të tregohen të shpejta dhe të suksesshme në lobim, liberalizimi mund të ndodhë edhe sivjet, por vetëm nëse Kosova dhe liberalizimi i vizave kthehen në agjendë menjëherë. Diskutimi i paraparë për liberalizim të vizave për Kosovën u hoq nga rendi i ditës me 10 korrik, sepse Komisioni ende nuk e kishte nxjerrur raportin me konkludimet mbi përmbushjen e kritereve.

Tash, topi është te BE-ja. Korrupsionin, megjithatë, duhet ta luftojmë edhe më fort, njëmend”, ka thënë Murati.

Modifikuar më E Enjte, 19 July 2018 08:51
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...