VOA/Përvjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë

Premte, 12 June 2020 19:36

21 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.

 

Më 12 qershor të vitit 1999, filloi vendosja e mbi 50 mijë ushtarëve të KFOR-it, numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht më pak se 4 mijë trupa, nga të cilët rreth 640 ushtarë amerikanë shërbejne në kuadër të misionit të drejtuar nga NATO-ja, roli i së cilës në Kosovë vlerësohet i jashtëzakonshëm jo vetëm për çlirimin dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e vendit.

Në 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s udhëheqësit politikë në Kosovë e vlerësuan 12 qershorin si një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të saj.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneral Michele Risi dhe ambasadorët e vendeve perëndimore, përkujtuan të premten pjesëtarët forcave paqeruajtëse të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

 

Zonja Osmani tha se ndërhyrja e NATO-s ishte shpëtim i qytetërimit.

“Kosova është sot e lirë, një komb i pavarur i përkushtuar ndaj paqes dhe është vend për njerëzit me prejardhje të larmishme, që me krenari e quajnë shtëpi dhe për këtë ju falënderojmë. Të dashur aleatë, ajo që ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e qytetërimit tonë, duke ardhur në ndihmë, duke shpëtuar njerëz të pafajshëm që e gjetën vetën nën kërcënimet e një regjimi barbar, ju na shpëtuat, por më e rëndësishmja, ju shpëtuat qytetërimin tonë. Ne do të jemi gjithmonë të mirënjohës që qëndruat me ne, që qëndruat për njerëzimin”, tha ajo.

Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Michele Risi tha se forcat e tij do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në ruajtjen e paqes.

“Misioni siç e dini nuk ka përfunduar, ne duhet të mbajmë shpirtin, freskinë dhe entuziazmin e paraardhësve tanë, duhet të qëndrojmë të bashkuar për një Kosovë më të mirë”, tha gjenerali Risi.

 

Pjesë e manifestimeve ishte edhe një seancë solemne e parlamentit të Kosovës, gjatë së cilës u shfaq edhe një video mesazh nga ish senatori amerikan, Bob Dole, që njihet një nga përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës.

“Unë jam i lumtur që kam qenë pjesë e kësaj historie dhe kam bërë çfarë kam mundur që të jem i dobishëm por ishin kryesisht njerëzit e vendit tuaj të madh që e kanë mundësuar këtë. Jam këtu për çdo gjë që do të keni nevojë dhe nëse mund të ju ndihmoj vetëm më thoni”, tha senatori Dole.

Nëntë vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 që njihet nga mbi 100 vende të botës por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Të dyja vendet janë në pritje të rifillimit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që është kusht për integrimet evropiane.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur. Në oborrin e parlamentit të Kosovës sot u mbollën 1 mijë e 133 lule, në kujtim të 1 mijë e 133 fëmijëve të vrarë nga forcat serbe.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Globi

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Tre ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ministri i Brendshëm i Francës përshëndeti forcat e rendit siç tha ai “për punën e tyre të palodhur”. Ai tha se përkushtimi i oficerëve...

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

Politikë

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

  Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK. Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks...

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

Aktualitet

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

  Një aksion i policisë të dielën zbuloi mallra kontrabandë në biznesin e fushës së kozmetikës, “Global Cosmetics & Distribution”. Policia njoftoi se në ambientet e biznesit në Tiranë janë gjetur rreth...