1920/Pesë ditët e Kongresit të Lushnjës dhe vendimet e tij

Hënë, 20 Janar 2020 16:59

Nga Kastriot Dervishi

Kongresi i Lushnjës është ngjarja më kryesore pas kuvendit të Vlorës së vitit 1912 dhe kongresit të Durrësit të vitit 1918. Ai u mbajt në kushtet kur Shqipëria rrezikohej nga copëtimi në kushtet e mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Austro-Hungaria nuk ekzistonte më, ndërsa Italia ndaj Shqipërisë kishte synime të pangjashme me ato që viteve 1912-1914. Kongresi u organizua nën nxitjen britanike, nga konsulli Eden dhe përçonte këtë politikë. Karakteri i parë i kongresit ishte ai antiitalian. U bashkuan në këtë linjë fituesi i vetëm i Luftës së Parë Botërore, Esat Toptani (zgjodhi delegatët e Tiranës) dhe gjithë klasa humbëse e kësaj lufte që kishte qenë me Austro-Hungarinë (organizatorët kryesorë të kongresit), duke pranuar të qeverisnin Shqipërinë e 1913-s.

21 janar 1920

Në orën 10.00 u çel mbledhje në shtëpinë e Kase Fugës. Pjesëmarrja nuk ishte e plotë. Mbledhja filloi me një lutje të Sheh Ibrahim Karbunarës e të Ferit Vokopolës. Për komisionin organizator, Aqif Biçakçiu (Elbasani) mbajti një ligjëratë në përgjigje të fjalës së mikpritësve. Një komision i përbërë nga Ibrahim Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Faslli Frashëri dhe Adem Gjinishi, kontrolloi letërpërfaqësimet. Meqenëse nuk kishin ardhur të gjithë delegatët, mbledhja u mbyll dhe i rinisi punimet më 28 janar.

28 janar 1920

Në orën 14.00 rinisën punimet. U verifikuan mandatet. Xhavit Leskoviku mbajti fjalën e hapjes, në emër të grupit nismëtar, duke përmendur shkaqet që çuan në mbajtjen e mbledhjes kombëtare. U zgjodh kryesia e kongresit: Aqif Biçakçiu (Elbasani)-kryetar, Sotir Peci-nënkryetar, Kostaq Kotta-sekretar, Ferit Vokopola-sekretar. U mbajt zi për Abdyl Ypin e vrarë ato ditë dhe mbledhja e mbyll.

29 janar 1920

Në orën 9.00 u çel mbledhja. Nënkryetari i kongresit Sotir Peci parashtroi rendin e ditës së mbledhjes:

1-Masat që duhet marrë kundër vendimit të tri fuqive të Antantës për copëtimin e Shqipërisë sipas paktit të Londrës 1915.

2-Zgjedhjen e qeverisë së re sipas programit që do caktonte kongresi.

3-Formën e regjimit që do kishte përkohësisht shteti shqiptar.

4-Votëbesimi i qeveria e përkohshme.

5-Zgjedhjet e autoriteteve sipas vendimit që do të jepet.

Për të kundërshtuar paktin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, u vendos të bëhen protesta të shumta si dhe u ngrit një komision i përbërë prej 10 anëtarësh. Në lidhje me qeverinë e Durrësit kongresi vërejti se:

a-Ka vepruar jashtë tagrit dhe programit të dhënë nga kongresi i Durrësit.

b-Ka sjellë pengesa që kanë çuar në mosmbledhjen e Senatit.

c-Administrata e keqe ka shkaktuar anarki në të gjithë anët e Shqipërisë.

ç-Duke mbështetur politika të veçanta, ka sjellë një gjendje të keqe politike në Shqipëri.

e-Duke përdorur intrigat ka penguar mbledhjen e Lushnjës.

Nisur nga këto, kongresi me 45 vota pro dhe 6 kundër vendosi rrëzimin e qeverisë si dhe zgjodhi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes të përbërë nga Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Mihal Turtulli.

30 janar 1920

Në orën 9.00 u çel mbledhja. U bisedua në lidhje me protestën që do t’i dërgohej Konferencës së Paqes si dhe letrën që do t’i dërgohej Senatit Amerikan. Nuk u ra dakord për letrën që do i dërgohej parlamentit italian, sepse ishte e butë. U vendos të formohej një komision. Për formën e regjimit, nuk u kundërshtua monarkia, por u vendos krijimi i Këshillit Kombëtar (Senati) në rolin e organit legjislativ të shtetit dhe Këshilli i Naltë (KN) në rolin e përkohshëm të kryetarit të shtetit. Bazat e Kanunores së KN-së me 6 pika, përbënë nyjën e parë kushtetuese funksionale të Shqipërisë. KN-ja përveç rastit të parë në Lushnjë, zgjidhej nga legjislativi. KN-ja mund të zgjidhte një kryeministër në kohë krize. Funksioni i saj përfundonte me ardhjen e mbretit. Pas miratimit të kësaj “dispozite kushtetuese”, Iljaz Vrioni propozoi 4 anëtarët e Këshillit të Naltë: Aqif Biçakçiu, Abdi Toptani, Mihal Turtulli dhe Imzot Luigj Bumçi, të cilët u votuan njëzëri. Këta dy të fundit, u vendos që të mbeteshin në Konferencën e Paqes në Paris, ndërsa punën ta vijonin dy këshilltarët e tjerë. Delegati Bektash Cakrani propozoi ministrat e kabinetit të ri: Sulejman Delvina (kryeministër), Iljaz Vrioni, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica, të cilët u miratuan njëzëri me përjashtim të Iljaz Vrionit, i cili me dëshirën e vet ia la vendin Hoxha Kadriut. Delegati Idhomen Kosturi propozoi që qeveria të betohej para mbretit (Këshillit të Naltë). Nënkryetari S.Peci tha se duhej së pari që KN-ja të betohej para kongresit, e qeveria para KN-së. Aqif Biçakçiu kërkon që edhe delegatët të betohen para KN-së. Pas këtyre filloi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar (Senati), organit legjislativ të shtetit. U caktua një komision me 8 anëtarë.

31 janar 1920

Në orën 9.00 u çel mbledhja. Delegati Eshref Frashëri tha se sipas disa lajmeve, vendi ka ngelur pa qeveri e për këtë duhej që sa më parë të shkonin në Durrës. Iljaz Vrioni tha se shumica e ministrave nuk ndodheshin në Lushnje atë çast. Për të mos u gjendur para ndonjë krize ministrore, u vendos ndarja e portofoleve e plotësimi i qeverisë si vijon:

Sulejman Delvina-kryeministër

Ahmet Zogu-ministër i Punëve të Brendshme

Sotir Peci-ministër i Arsimit

Hoxha Kadri-ministër i Drejtësisë

Hysen Vrioni-zëvendësisht ministër

Ndoc Çoba-ministër i Financave

Idhomen Kostur-zëvendësisht ministër

Po ashtu mbledhja zgjodhi vetëm për këtë herë dhe dy drejtorë të përgjithshëm: për Punët Botore Eshref Frashëri (i cili do ishte një lloj zëvendëskryeministri) dhe për Postë – Telegrafët, Idhomeno Kosturi. Kongresi i riçeli punimet ora 15.00. U vendos caktimi i numrit 37 të deputetëve, si dhe miratoi listën e paraqitur. Në mbyllje, Xhafer Ypi falënderoi Lushnjën dhe propozoi të asaj t’i jepej një vend i veçantë deputeti në Këshillin Kombëtar. Sheh Karbunara mori fjalën e tha se Lushnja bëri veçse detyrën. Atëherë Eshref Frashëri, propozoi që t’i shkruhej një letër falënderimi popullit të Lushnjës.

Delegatët e Shkodrës, Lezhës e Malësisë së Gjakovës, nuk morën pjesë në Lushnje dhe i nënshkruan vendimet në Tiranë më 13 shkurt 1920.

Modifikuar më Hënë, 20 Janar 2020 17:03

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Kërkoi dorëheqjen e Shahinit dhe llogari për AMA-n, ‘ndëshkohet’ kryetarja e komisionit të mediave

Politikë

Kërkoi dorëheqjen e Shahinit dhe llogari për AMA-n, ‘ndëshkohet’ kryetarja e komisionit të mediave

Opozita parlamentare duket se nuk po gjen rehat edhe pse nuk ka mbajtur ndonjë peshë të madhe në skenën politike shqiptare. Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se grupi parlamentar...

VIDEO/ Koronavirusi, një fëmijë afgan izolohet në Sarandë

Aktualitet

VIDEO/ Koronavirusi, një fëmijë afgan izolohet në Sarandë

Një fëmijë afgan po mbahet i izoluar në Spitalin e Sarandës, pasi fillimisht është dyshuar për koronavirus për shkak të temperaturës së lartë që ka pasur gjatë kontrollit. Burimet policore thonë...

PD kërkon shkarkimin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini

Politikë

PD kërkon shkarkimin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini

Partia Demokratike deklaron se heshtja e qeverisë duke mos e dënuar abuzimin seksual të një mësuesi me nxënësen e mitur në një shkollë të Fierit është tregues se qeveria nuk...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!