1951/Historia e miratimit të dekretit të terrorit

E Enjte, 27 February 2020 16:39

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1951, kur vendi ende nuk kishte një Kod Penal, u miratua një dekret i marrë nga Bashkimi Sovjetik, sipas së cilit gjykimet për “terrorizëm” bëheshin shpejt dhe pa u ankimuar. Çudia është se ky dekret i miratuar nën valët e hakmarrjes për dinamitin që u hodh në legatën sovjetike, nuk u aplikua në asnjë rast. Nismën e mori qeveria. Sipas procesverbalit, kanë folur vetëm dy zyrtarë. I pari, kryeministri Enver Hoxha ka thënë: “Ky (dekret) nuk ka ekzistuar në legjislacionin tonë, prandaj mendojmë të ekzistojë. Materiali është përgatitur mirë”. Më pas, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, tha se projektligji u propozua nga Gjykata (e Lartë) Ushtarake dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ai e cilësoi dekretin “shumë të domosdoshëm” dhe se kjo ministri ishte në gjendje t’i mbaronte proceset. Me praktikë sekrete, me vendimin nr.150, datë 26.2.1951, Këshilli i Ministrave miratoi projektdekretin “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të cilin ia dërgoi për miratim Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në raportin justifikues thuhej: “Legjislacioni që kemi deri sot në fuqi, nuk lejon që të goditen me shpejtësinë e duhur organizatat terroriste dhe terroristët që veprojnë kundër punonjësve të pushtetit popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Projekdekreti që ju paraqesim për aprovim, jep të gjitha mundësitë për të kryer një veprim gjyqësor të shpejtë, të drejtë dhe revolucionar. Për të kryer veprimet gjyqësore të shpejta, ligji ndalon pjesëmarrjen e palëve dhe të drejtën e kërkesës për faljen e jetës, d.m.th. ndalon pjesëmarrjen e prokurorit dhe të avokatit në zhvillimin e gjyqit, nuk lejon të dënuarin të bëjë rekurs në instanca më të larta gjyqësore dhe kërkesën për faljen e jetës te Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ky dekretligj është marrë nga legjislacioni sovjetik”. Presidiumi i Kuvendit Popullor u mblodh në orën 19.00 të datës 26.2.1951 me praninë e 11 anëtarëve. Sekretari lexoi projektin dhe relacionin. Asnjë anëtar nuk bëri pyetje.

***

 

Dekreti nr.1223, 26.2.1951 i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, nënshkruar nga kryetari Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli

Në mbështetje të nenit 58, pika nr.6 të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë, me propozimin e qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nxjerr këtë dekret : “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Neni 1

Hetimet në lidhje me veprimtarinë e organizatave terroriste dhe akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, duhet të përfundojnë brenda një kohe jo më të gjatë se 10 ditë.

Neni 2

Aktakuza i dorëzohet të pandehurit një ditë përpara shikimit të çështjes në gjyq.

Neni 3

Gjyqi bëhet pa pjesëmarrjen e palëve.

Neni 4

Rekursi kundër vendimit si dhe paraqitja e kërkesave për falje nuk lejohen.

Neni 5

Vendimi në masën ndëshkimore më të lartë ekzekutohet menjëherë pas dhënies së vendimit.

Neni 6

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...