1973/Dy ditët e revoltës së Spaçit

E mërkurë, 20 May 2020 15:39

Nga Kastriot Dervishi

Mëngjesin e datës 21.5.1973, rreth orës 5.00, nënoficeri polic Mark Tuci shkon për t’u hequr batanijet të dënuarve në regjim biruce (me masë disiplinore), njëri prej të cilëve ishte edhe Pal Gjergj Zefi. Të dënuarve në izolim, batanijet u liheshin vetëm për të fjetur. Zefi përfiton nga hutimi i nënoficerit, i ikën nga dora, gjen një shufër hekur dhe bashkohet me të dënuarit e tjerë.

Mark Tuci njofton oficerin e rojës se repartit, oficer Fejzi Liço (punëtori operativ i Sigurimit të Shtetit) dhe ky informon kryetarin e Degës së Zbatim Vendimeve Penale Sulejman Manoku, i cili ndodhej atje me shërbim! Operativi së bashku me 3 policë shkojnë në tarracë për ta marrë Pal Zefin i cili mbrohej me një hekur në dorë. Vijnë edhe 4 policë të tjerë. Këtyre u shtohet pabesisht edhe i dënuari Medi Noku, i afërt me komandën. Teksa bëhen në raportin 9 me 1, me ndihmën e Nokut, mundën ta ndalojnë Pal Zefin. Pikërisht në këtë kohë, të dënuarit sulen në mbrojtje të Pal Zefit dhe pas një përleshje prej 5 minutash e lirojnë atë. Komisari i repartit Shahin Skura dhe Sulejman Manoku morën kontakt dhe bënë thirrje pa sukses për dorëzimin e Pal Zefit.

Në orën 15.30 erdhi grupi operativ i kryesuar nga prokurori i rrethit Zef Deda, shefi policisë së rrethit oficer Rexhep Karaj, shefi seksionit të Sigurimit Gjergj Zefi dhe hetuesi i degës punëve të brendshme, Shaban Dani. Këta në orën 17.00 bënë arrestimin e të dënuarit Pal Zefi dhe e nisën për në degën e punëve të brendshme të Rrëshenit. Gjatë këtij procesi, pasi Dervish Bejko thirri “mos e arrestoni more të poshtër”, të dënuarit sulmuan grupin operativ. Mundën të arrestojnë Syrja Lamen. Të dënuarit të revoltuar tentuan të kapnin hetuesin dhe prokurorin që rrinin në infermieri, por nuk mundën. Filluan të hedhin parullat: "Ja vdekje ja liri", "ne nuk punojmë", "ju jeni katila" etj. Në orën 21.00 të dënuarit thyen birucat dhe nxorën të izoluarit.

Të dënuarit grumbullohen në shesh dhe në tarracë disa prej tyre si Skënder Daja, Dervish Bejko, filluan të mbajnë fjalime e recitojnë poezi kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje, etj. Gjatë kësaj kohe u hodhën parullat: “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “ja vdekje ja liri”, “ne nuk punojmë as sot as mot”, “ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, "ushtria është me ne”, “populli është me ne dhe kundër jush”, "shokë ushtarë dorëzoni armët”, “ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “do t'ju djegim si Stalini", “mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “poshtë komunistët”, “rroftë Europa e lirë”, etj.

Sipas përgjithësimit të përpiluar nga operativi i kampit, më 22.5.1973 është mbajtur në mencë një mbledhje e këshillave krahinorë, në të cilën morën pjesë 38 të dënuar, ku u vendos:

1-Të thuhet se revolta nisi e rastit për faj të operativit dhe nënoficerëve.

2-Të këshilloheshin personat që nuk morën pjesë në mbledhje dhe të qëndronin të vendosur në revoltë.

3-Të mos punonin në galeri.

4-Të dërmonin personelin e prapavijës

Në orën 17.00 të dënuarit ngritën flamurit kombëtar pa yllin komunist. Në orën 8.00 të datës 22.5.1973, zëvendësministri Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në emër të ministrit nga pika dominuese e kampit u bëri thirrje të burgosurve që të vendosin rregull e qetësi sepse organizatorët do të dënoheshin.

Me qëllim presioni, forcat e shumta policore të regjimit, filluan të bëjnë një demonstrim jashtë kampit. Sipas pasojë e këtyre veprimeve, në orën 7.00 të datës 23.5.1973 shumica e të dënuarve pranoi dorëzimin pa kushte. Sipas përgjithësimit, nuk pranuan të dorëzoheshin të dënuarit Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgji Papa e Dervish Bejko e ndonjë tjetër që me hekura e me dërrasa në duar hipën mbi tarracë duke hedhur parulla. Grupi i operacionit ndërhyri forcërisht dhe i arrestoi. Gjatë përleshjes u plagosën 5 të dënuar.

Operativi analizonte se revolta ishte kundërrevolucionare e organizuar, me pjesëmarrje aktive,  për “sabotimin e prodhimit”, djegien e emulacionit socialist, ngritjen e flamurit pa yll të kuq, shkrimin e parullave në mure dhe hedhjen e parullave “armiqësore”, “duke shprehur dufin, egërsinë dhe urrejtjen e pakufishme ndaj pushtetit popullor”. Ai cilësonte si 56 persona aktivë në këtë ngjarje. U zhvilluan 5 procese gjyqësore. Te i pari u dënuan me vdekje me një shkallë gjykimi: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...