1951/Dinamiti në legatën sovjetike

Premte, 19 February 2021 12:32
Qazim Laçi, njëri nga dy pjesëmarrësit në aksion Qazim Laçi, njëri nga dy pjesëmarrësit në aksion

Nga Kastriot Dervishi

Organizata Bashkimi Kombëtar, doli nga organizata Grupi i Rezistencës (apo Fronti i Rezistencës), pasi u zbulua (jo plotësisht) se kjo e fundit e formuar në vitin 1949 kish rënë në duart e Sigurimit dhe drejtohej prej tij. Grupi që më vonë themeloi organizatën e re, kish vepruar si degë e Grupit të Rezistencës për Tiranën. Mbledhja themeluese u bë në shtëpinë e Qazim Laçit në nëntor 1950. Qendra e takimeve ishte pijetorja e Zenel Rikës në rrugën “Mine Peza”. Qazim Laçi qe njohur më parë me pijeshitësin Zenel Rika. Ky i fundit e njohu me mareshal Ali Voglin nga Kruja, i cili e njohu (nga afër) me Hysen Llullën. Në fund fare, Hysen Llulla njohu Sejfulla Shimën me Qazim Laçin. Midis anëtarëve të organizatës është zhvilluar edhe ky debat:

Rustem Thaçi: Duhet të bëjmë një aksion.

Hysen Llulla: Çfarë aksioni?

Rustem Thaçi: Po të kemi dinamit e hedh në erë shtëpinë e oficerëve?

Riza Shehu: Çfarë organizate jemi terroriste apo politike?

Hysen Llulla: Jemi organizatë politike.

Rustem Thaçi: Ta hedhim në legata të ndryshme.

Aksioni për hedhjen e dinamitit në legatën sovjetike u caktua disa orë më parë. U mbajt shumë i fshehtë midis anëtarëve të organizatës. Dinamiti u sigurua nga Kruja. Për të kryer aksionin u ngarkuan dy veta:

-Hysen Bajram Llulla, 25 vjeç, lindur në Krujë, por me banim në Tiranë, në lagjen e “Tabakëve”.

-Toger Qazim Abdi Laçi, 27 vjeç, lindur në Pukë, banues në Tiranë.

Autorët e aksionin nuk përcaktuan se kush do ta hidhte e pari e kush i dyti dinamitin. Koha e atentatit i takonte përkujtimeve që po bëheshin në Tiranë për nder të Ushtrisë së Kuqe. Autorët kishin disa alternativa se si të shkonin deri në objekt: ecja në këmbë, me biçikletë dhe me makinë. Për disa ditë ishin në pritje të Sejfullait. Sapo filloi të erret të hënën e 19 shkurt 1951 Qazim Laçi (në një dyqan përballë pijetores së Zenel Rikës) u takua me Ali Voglin. Ky i thotë se Hysen Llulla vendosi që aksioni të bëhej atë mbrëmje pasi ishte kohë me shi. A.Vogli ishte caktuar nga H.Llulla për ta shoqëruar, por kërkoi zëvendësim. “Mundësisht shko ti, pasi unë kam shumë punë në repart” - i është drejtuar Ali Vogli, Qazim Laçit. Ky i fundit niset drejt shtëpisë së vet ku gjen Hysen Llullën duke përgatitur dinamitin me më shumë se një metër të gjatë. Kanë marrë dy kallëpe, njëri që do hidhej dhe tjetri që do ishte rezervë po të mos ndizej njëri. Hoqën dorë nga ideja e bashkimit të dinamitit me gëlqere e llamarinë, ngaqë do bënte zhurmë e nga kjo mund të zbuloheshin.

Ora 19.30 Hysen Llulla dhe Qazim Laçi dolën nga shtëpia e këtij të fundit dhe u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Të dy do bënin një xhiro që do zgjaste 30 minuta. Qazim Laçi ecte i pari, ishte i  veshur ushtarak, por nuk mbante armë. Hysen Llulla që udhëtonte pas tij, mbante me vete një revolver dhe dy bomba. Ishte një natë e errët dhe e frikshme. Rruga krejt e zbrazët sikur po i priste ta thyenin heshtjen e asaj nate. Qazimi kaloi legatën dhe shkoi në drejtim të shtëpisë së oficerëve, afër ambulancës së madhe. Hyseni ngeli prapa sepse ndezi një cigare, në mënyrë që ta përdorte për ndezjen e fitilit. Qazimi ngurroi, e hetoi rastin si të papërshtatshëm pasi një makinë po shkarkohej aty pranë shtëpisë së oficerëve. Pikërisht në këtë kohë Hyseni hedh dinamitin. Qazimi pa Hysen Llullën të ecë me shpejtësi të madhe në drejtim të tij, duke u larguar nga legata. Duke kujtuar se atë e kanë kuptuar Qazimi iu bashkua Hysenit dhe të dy vazhduan me shpejtësi nëpërmjet rrugës së Radio Tiranës që të çon në rrugën e Kavajës. Vijuan të ecin deri sa kanë mbërritur te pallatet buzë Lanës, vend ku dëgjuan shpërthimin që ndodhi në legatë. Largësia e madhe e tyre nga vendi i ngjarjes do të thotë se vigjilenca e Sigurimit ishte zero dhe se gjatësia e fitilit të dinamit nuk ka qenë e vogël.

Organizata Bashkimi Kombëtar u zbulua rastësisht. Ky zbulim lidhet me faktin se Mark Zef Pali nuk i kishte shkëputur lidhjet me dy elementë të Sigurimit si “Fiku” dhe “Angazhonjësi”. Ua tregoi këtyre me sinqeritet si ishte puna. Sigurimi u vu në ndjekje të anëtarëve të organizatës. Hysen Llulla nuk ra në dorë të tyre dhe u vra. Të tjerët u arrestuan midis datave 3 mars- 3 prill 1951. Qazim Laçi, Sejfulla Shima, Rustem Thaçi, Zenel Rika dhe Ali Vogli u dënuan me vdekje, pushkatim dhe u ekzekutuan në Tiranë më 28.12.1951.

 

Modifikuar më Premte, 19 February 2021 18:11
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...