SHBA: Avokatët e presidentit përgatisin mbrojtjen në Senat

Premte, 24 Janar 2020 18:20

E premtja është dita e fundit për demokratët që të paraqesin Senatit argumentet e hapjes në gjyqin kundër Presidentit të SHBA Donald Trump.

Shkarkimi i Presidentit Trump nuk ka gjasa të ndodhë, pasi republikanët e tij kanë shumicën në Senat. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar politikanët demokratë të mbajnë fjalime pasionante, me lutjet që senatorët të bëjnë gjënë e duhur, që sipas tyre është shkarkimi i presidentit.

Adam Schiff
Adam Schiff

"Nëse e drejta nuk ka rëndësi, ne jemi të humbur. Nëse e vërteta nuk ka rëndësi, ne jemi të humbur", tha ligjvësi demokrat Adam Schiff, njëkohësisht kreu i Komisionit të Inteligjencës në fjalën e tij të mbylljes.

Ligjvënësi tjetër demokrat, Jerrold Nadler e quajti argumentin e zotit Trump se ai nuk mund të shkarkohet për shpërdorim pushteti "një marrëzi të rrezikshme".

Nadler, i cili është kreu i Komisionit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, foli në ditën e dytë të argumenteve kundër presidentit Trump në Senat, ku 100 senatorët do të vendosin nëse presidenti është ose jo fajtor.

"Një president i cili nuk sheh asnjë kufi mbi fuqinë e tij kërcënon qartë republikën," tha ligjvënësi Nadler ndërsa akuzoi presidentin Trump për "shpërdorim të pushtetit, tradhëti ndaj vendit dhe korrupsion në zgjedhje". Të gjitha këto, tha ai plotësojnë standardin kushtetues për krime të larta dhe shkelje, pra largim nga detyra.

"Është e gabuar, është e paligjshme," tha zoti Nadler, duke shtuar se të 44 presidentët e SHBA që i paraprinë Trump "do të ishin tronditur" nga kjo.

"Presidenti Trump e ka bërë të qartë me fjalë dhe vepra se ai do të vazhdojë me sjellje të tilla. Ai paraqet një kërcënim për vendin tonë, për integritetin e zgjedhjeve tona, për rendin tonë demokratik. Ai nuk duhet të qëndrojë në pushtet as edhe një minutë më tepër,” tha zoti Nadler.

Presidenti Trump akuzohet se i ka bërë presion ndaj Ukrainës për të hapur një hetim korrupsioni ndaj ish-zëvendës Presidentit Joe Biden, rivali kryesor demokrat i presidentit Trump për zgjedhjet e 2020s. Ai gjithashtu dyshohet se ka vonuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, nëse Presidenti Volodymyr Zelenskiy nuk njoftonte publikisht një hetim për zotin Biden dhe për djalin e tij Hunter.

Nga ana e tij, ligjvënësi Schiff tha se i gjithë interesi i Presidentit Trump ishte të hetohej rivali i tij Biden, veçanërisht pasi sondazhet tregonin se ish-nënpresidenti do ta mundëte zotin Trump në zgjedhje.

Ligjvënësja nga Florida, Val Demings tha se republikanët besojnë se e vetmja gjë për të cilën interesohen demokratët janë zgjedhjet e ardhshme, që presidenti të mos marrë një mandat të dytë. Në fakt, tha ajo, çështja është për të garantuar se vota e çdo amerikani ka rëndësi.

Val Demings
Val Demings

Ndaj Presidentit Trump janë ngritur dy akuza: abuzim me detyrën dhe pengim i përpjekjeve të kongresit për të hetuar veprimet e tij të lidhura me Ukrainën.

Të shtunën është radha e ekipit ligjor të presidentit të paraqesë argumentet në Senat. Ekipi i tij do të ketë tre ditë kohë.

Jay Sekulow, një nga avokatët e Presidentit Trump, ka thënë se thjesht fakti që po zhvillohet një gjyq i tillë është “qesharak”.

"Ne po përpiqemi të shkarkojmë një president thjesht për një telefonatë?" pyeti ai gazetarët. "Apo është kjo një përpjekje tre-vjeçare për të hequr një president që u zgjodh në mënyrë të rregullt nga populli amerikan? Dhe ne po e bëjmë këtë 10 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Shumë e rrezikshme kjo për republikën tonë, sipas mendimit tim."

Avokati Jay Sekulow
Avokati Jay Sekulow

Presidenti Trump ka thënë gjatë gjithë procesit se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar në bisedat e tij me Zelenskiy-n, duke e përshkruar shpesh telefonatën e tyre prej gjysmë ore si "perfekte".

Sekulow tha: "Ne besojmë, pa diskutim, se Presidenti do të lirohet nga akuzat. Nuk ka asnjë dyshim."

Ky rezultat pritet gjerësisht pasi anëtarët e Partisë Republikane të zotit Trump kanë një shumicë 53-47 në Senat dhe për shkarkimin e një presidenti kërkohen dy të tretat e votave.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...