Presidenti Biden paralajmëron të pavaksinuarit: Po rrezikoni komunitetet

E mërkurë, 07 July 2021 08:05

 

Ndërsa 10 shtete amerikane po përjetojnë një rritje të rasteve të koronavirusit, Presidenti Joe Biden paralajmëroi të martën se “miliona amerikanë janë ende të pavaksinuar dhe të pambrojtur dhe, për shkak të kësaj, komunitetet e tyre janë në rrezik”. Në thirrjen e tij më të fundit televizive për njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19ës, presidenti tha se varianti delta i virusit, i cili është më i transmetueshëm dhe potencialisht më i rrezikshëm, është tashmë përgjegjës për gjysmën e rasteve në shumë pjesë të vendit.

Në veçanti, shtetet Kansas dhe Misuri po raportojnë rritje dyshifrore të përqindjes së infeksioneve për shkak të variantit delta. Për t’iu përgjigjur përhapjeve të mëtejshme të parashikuara mes të pavaksinuarve, Presidenti Biden tha se qeveria federale po mobilizon ekipet e përgjigjes ndaj valëve të COVID-19ës, të plotësuar me ekspertë nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe agjenci të tjera.

 

Këto ekipe do të ndihmojnë shtetet me “probleme të veçanta [për] parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen ndaj përhapjes së variantit delta mes njerëzve të pavaksinuar në komunitete me norma të ulëta vaksinimi”, tha Presidenti Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë. “Ne nuk mund të përgëzojmë veten tani”, paralajmëroi presidenti.

 

Skeptikët ndaj vaksinave
Pak para se të fliste Presidenti Biden, udhëheqësi i republikanëve të opozitës në Senat, Mitch McConnell, tha në Kentucky, ku vetëm rreth 43% e banorëve janë inokuluar plotësisht, “nuk ka asnjë arsye të mirë për të mos u vaksinuar”.

Duke ia drejtuar komentet e tij skeptikëve të vaksinave, zoti McConnell tha se ndërsa vaksinat nuk garantojnë se dikush nuk do të infektohet nga COVID-19, “kjo pothuajse garanton se nuk do të vdisni nga sëmundja nëse e merrni”. Hezitimi ndaj vaksinave, veçanërisht mes republikanëve, mendohet si shkaku pse administrata e Presidentit Biden nuk ia arriti qëllimit të saj që 70% e të rriturve amerikanë të ishin të paktën të vaksinuar pjesërisht kundër COVID-19ës deri më 4 korrik.

 

Vetëm 45% e republikanëve kanë marrë dozën e tyre të parë, sipas një sondazhi të Washington Post-ABC News. Disa grupe të pakicave janë gjithashtu të vonuar në vaksinim.

Presidenti të martën tha se brenda pak ditësh do të ketë “160 milionë amerikanë të vaksinuar plotësisht, nga afërsisht 3 milionë kur morëm detyrën pesë muaj më parë”. Sipas CDC-së, rreth 67% e amerikanëve kishin marrë një dozë të vaksinës ndaj COVID-19ës dhe 47% kishin marrë dy doza pak para festës së Ditës së Pavarësisë.

Ekziston një kontrast i fortë rajonal në përqindjet e vaksinimit. Në verilindje, më shumë se gjysma e të rriturve janë vaksinuar plotësisht. Në të kundërt, shtetet e Jugut kanë rezultate të dobëta. Në Alabama, Arkansas, Louisiana dhe Mississippi, 35% ose më pak e të rriturve kanë marrë dozat e plota, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Megjithëse jo në të gjitha pjesët e Shteteve të Bashkuara, ekziston një kërkesë e dëshpëruar për këto doza në vendet e tjera.

 

Dhurimi i vaksinave

 

Administrata e Presidentit Biden të martën njoftoi dërgimin e dozave të vaksinës Moderna në Guatemalë dhe Vietnam, pasi nuk arriti objektivin e saj për të dhuruar 80 milionë doza në pjesën tjetër të botës deri në fund të qershorit.

Të gjitha dozat janë alokuar, por ka pasur sfida logjistike, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki kur u pyet të martën në lidhje me mungesat. “Ndonjëherë duhet të punojmë përmes pengesave ligjore, duhet të punojmë përmes pengesave rregullatore. Ka probleme për sa i përket materialeve të nevojshme për shpërndarjen e këtyre vaksinave. Dhe madje ka edhe probleme të transportit frigoriferik që është gjithashtu i nevojshëm”, tha zonja Psaki gjatë konferencës së përditshme të Shtëpisë së Bardhë, të zhvilluar përpara komenteve të presidentit.

“Vendet duhet të jenë të gatshme t’i presin në terren. Dhe nuk ka asnjë precedent të mëparshëm për këtë. Pra, sigurisht që ka mësime që kemi nxjerrë”, tha ajo.

Në një kohë kur furnizimet me vaksina janë ende të kufizuara, ekziston nevoja për të “kuptuar se për çfarë kemi furnizim të tepërt dhe sa shpejt mund t’i eksportojmë ato doza. Dhe në shumë raste, ato mund të jenë vaksina të llojit mARN, si Pfizer ose Moderna, në krahasim me Johnson & Johnson, apo edhe AstraZeneca, nga të cilat kemi një nivel furnizimi në SHBA edhe pse ende nuk janë autorizuar këtu”, tha Dr. Krishna Udayakumar, drejtor i Qendrës Globale të Inovacionit në Shëndetësi në Universitetin Duke. “Duhet një nivel i madh planifikimi në nivel kombëtar dhe pronësie kombëtare që kjo të jetë e suksesshme”.

80 milionë doza të premtuara nga Shtetet e Bashkuara, nga 1 miliard të premtuara nga G-7a, do të jenë të pamjaftueshme për kërkesën globale. Vetëm rreth 1% e popullsisë në Afrikë ka marrë një dozë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ne kemi kyçur në Shtetet e Bashkuara dhe në G-7 dhe vendet e tjera të BE-së, furnizimin global pikërisht të gjërave që duhen për t’i dhënë fund kësaj pandemie”, tha Tom Hart, drejtori ekzekutiv në detyrë i fushatës ONE, një grup që lufton varfërinë ekstreme dhe sëmundjet e parandalueshme. “Na duhen 11 miliardë doza për të arritur imunitetin global të tufës”, shtoi zoti Hart./VOA

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...