SHBA dënojnë sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Hënë, 25 September 2023 16:34
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.
 

“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.

"Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian", deklaroi ai, sipas Radios Evropa e Lirë.
 
Sipas kryediplomatit amerikan, Policia e Kosovës “ka përgjegjësi të plotë për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”.
 
“SHBA-ja njeh dhe respekton rolin e Policisë së Kosovës si reaguesja e parë për situata të emergjencës dhe krizave”, tha Blinken.
 

Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni e vlerëson koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe atë të NATO-s, KFOR, “veçmas për të ofruar siguri për civilët në vendngjarje”, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta monitorojë situatën.

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës dhe gjatë ditës u përlesh me Policinë e Kosovës.

Të dielën, autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona janë arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...