Një udhëtim në Barcelonën e Carlos Ruiz Zafon

Hënë, 14 October 2019 18:29

Barcelona e viteve '40 nuk i ngjan aspak magnetit të turistëve që ne njohim sot. Daniel Sempere, personazhi kryesor i romanit “Hija e Erës” të Carlos Ruiz Zafon, endet mes gjurmëve të shkatërrimit të lëna pas nga milicia e Frankos, në kërkim të një shpjegimi për fundin e romancierit misterioz të viteve 30, Julián Carax.

Ky i fundit, autor i një libri “jashtëzakonisht të pasuksesshëm”, të titulluar po ashtu “Hija e erës”, duket se është tretur në eter, së bashku me hirin e librave të tij të djegur.

Biri i një shitësi librash të dorës së dytë, Daniel ndeshet me këtë vëllim në “Varrezat e Librave të Harruar”, një bibliotekë labirint, e ndodhur në pjesën më antike të qytetit, ku vepra të autorëve të pakohë, por ende të palexuar janë bërë bashkë si shpirtra të vdekur.

Romani në fjalë, “Hija e Erës” gati me pëshpërimë tërheq vëmendjen e djaloshit. Më tepër se sa komploti i librit, historia e errët e publikimit të tij duket se është nxitës drejt zbulimit të misterit për djaloshin me ëndrra letrare.

Lënia pas dore e librit nuk është thjesht një mizori e fatit, por rezulton se një figurë kërcënuese është vënë në ndjekje të çdo kopje të disponueshme për ta djegur atë – dhe shumë shpejt ky njeri do të vihet në ndjekje të vetë Danielit.

Ngjarjet e romanit ndërthuren me njëra-tjetrën si ca matrioshka nga dyqani i antikuarëve, duke formuar një “vertigo” të pashmangshme për personazhet e Zafón-it, që duket se janë modele arkaike të importuara nga letërsia e klasike, megjithëse kjo strukturë është ajo që e bën këtë roman të parezistueshëm.

Energjia emocionale e krijuar nga drama dhe konflikti i një kasti të madh të personazheve është doemos një mjeshtri e autorit për t’u nënvizuar.

Mprehtësia e Danielit e bën atë narratorin e përsosur për një udhëtim drejt zbulimit të misterit. Gjithashtu, falë ndihmës së mikut të tij Fermín Romero De Torres, lexuesi njihet me të fshehtat e Barcelonës, me katakombet dhe gargojlsat e “Sagrada Familia”-s.

Por, përsosmëria, apo ideja e një mekanizmi ideal është vështirë të mbërrihet. Romani përshkruhet nga një tendencë për të dhënë përshkrime, pa e vrarë mendjen gjatë për konsistencën e tyre, duke dhuruar “perla” ilustruese, të cilat mund të qepeshin si butona fantazie vetëm në këmishën e një qyteti imagjinar, dhe jo në Barcelonën e ç’shenjtëruar nga Lufta.

Ky roman është një pasqyrë përshkrimesh lëbyrëse, të pakursyera, dhe njëherësh në kërkim të një krasitjeje të vazhdueshme nga ana e autorit, të cilin ashtu si personazhet e tij pasionante, egoja nuk e lë të veprojë me gjakftohtësi.

Sidoqoftë, romani është një triumf i mbijetesës së letërsisë artistike, e aftë për të emocionuar dhe përcjellë mesazhe universale.

Duke e lexuar, ju do të keni mundësinë të njiheni me Barcelonën e perëndimeve të kuqërremta, biçikletave të kuqe, fustaneve të mëndafshta dhe librave me kapak të verdhë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...