Pse vetëvriten shtetasit?

Hënë, 04 June 2018 19:23

Nga Qemal SAKAJEVA

Statistikë e publikuar: gjatë vitit 2017 kanë vrarë veten 199 veta

Lajme të këtyre ditëve: vetëvrasjet vazhdojnë në të gjitha moshat

 

E dhënë statistikore që trondit: gjatë vitit 2017 janë vetëvrarë 199 veta; në vitin 2016 u vetëvranë 227 veta, ndërsa 315 të tjerë kanë bërë përpjekje të vetëvriten, por për fatin e mirë të tyre, të familjeve që u përkasin dhe të shoqërisë, ata kanë shpëtuar.

Të gjallët, a  mund t’i gjykojnë të vetëvrarët, pas vetekzekutimit të kryer? Edhe pse thuhet që, për të vdekurin nuk flitet keq, veprimi i skajshëm i vetasgjësimi është faj i trefishtë. At Giuseppe (Zef) Valentini, ky dijetar italian që jetoi e punoi gjatë në Shqipëri, që e deshi Shqipërinë si të qe me gjak shqiptar, ka shkruar se, i vetëvrari bëhet  fajtor kundër natyrës, sepse njeriu duhet të shmangë çdo rrethanë që rrezikon jetën;  i vetëvrari mbetet fajtor ndaj shoqërisë, sepse çdo njeri i merr asaj shumëçka dhe është i detyruar t’ia kthejë për të mos i mbetur borxh; i vetëvrari gjendet fajtor ndaj tagrit hyjnor, sepse ligji hyjnor urdhëron: ”Mos vra!” Mirëpo ata vrasin duke u vetëvrarë. Edhe vetëdenohen, edhe vetëgjykohen.

Por pyetja shtrohet nga e kundërta: të vetëvrarët, me veprimin barbar që kryejnë kundër vetes, ai i gjykojnë të gjallët ashtu? Kjo pyetje nuk mund të mos bëhet në këtë humbje të baraspeshës, mendore e shpirtërore, që kalojnë shumë njerëz dhe për shumë vjet.

Vetëvrasja, për një numër familjesh, është kthyer në humbje e dhimbje të pangushëllueshme. Për shoqërinë, vetëvrasjet janë  bërë lëngatë e rëndë. Për qeveritë, përgjegjësi e mënjanimit të shkaqeve. Për shpeshtësinë e përsëritjeve, vetëvrasja po  merr tiparet e një epidemie. Protesta e vetmuar dhe e heshtur e të vetëvrarit, nuk  mbërrin deri  brenda zyrave të shtetit dhe organizmit të shoqërisë, sepse vërehet një lloj shpërfilljeje, nga që i vetëvrari dhe faji ikin e mbyllen bashkë brenda në varr.

Vështrimi i kësaj dukurie, e kthyer në ngjarje të zakonshme të kronikave, nxit për të vështruar nëpër vite. Për shembull, kur Greqisë e Romës së lashtë po i shpërbëhej shoqëria nga zvetënimi moral, vetëvrasjet u shumuan deri në hutim. Në Francën e vitit 1793, vetëm në Paris e Versajë, pati 1300 të vetëvrarë. Gjatë viteve 1800 - 1900, vetëvrasjet në Gjermani kapën shifrën e frikshme, plot 300 000 njerëz. Kurse, në Shqipëri, atëherë e deri gati në gjysmën e shekullit të kaluar, vetëvrasjet thuajse nuk njiheshin fare. Madje, ndër ne, ka qenë dhe mbetur, si nëma më e rëndë, thënë për dikë e me zemërim: “Vrafsh veten!” Për t’i bërë parapritë kësaj gjëme familjare e shoqërore, At Giuseppe (Zef) Valentini, që më 1933, u përpoq të zgjonte dinjitetin njerëzor e t’i thërriste krenarisë shqiptare, duke shkruar në gegënisht, në revistën e njohur Leka, që e drejtonte vet: “Kur të huejt ndër kohna të kalueme shkruejshin mbi barbarizëm t’ahmarrjes së gjaqeve në Shqipni, na, pa mohue kët të metë, me nji kryenaltësi mjaft të madhe jua numërojshim disa virtyte të këtij kombi e jua plasshim ndër sy barbarizmin ma t’egrin e ma të poshtrin të tyne : vetvrasën”.

Mjerisht, ajo prej çka druheshim, na ka pllakosur.

Lehtësia e kryerjes së vetëvrasjes frikëson.

Mosha e të vetëvrarëve përfshinë fëmijë, të rinj e të moshuar

Mjetet e vetëvrasjes, edhe pse jemi popull i armatosur me armë të paligjshme, çuditërisht, kryesore nuk janë armët e zjarrit, por më së shumti përdoren mënyra të tjera barbare, helmim me helme të fuqishëm, varje në litar, hedhje nga kate të larta, prerje damarësh. Kurse, sipas një vëzhgimi të kanalit të njohur televiziv amerikan CNN, në SHBA vetëvrasjet më të shumta kryhen me armë zjarri, që njerëzit i mbajnë me leje nëpër shtëpitë e tyre.

Po t’i kthehesh e të shohësh mirë statistikat e vetëvrasjeve, shkaqet, rrethanat, mënyrat, të gjitha bashkë, thërrasin për domosdoshmërinë e zgjidhjeve të rëndësishme, sidomos për shtresat në nevojë për jetesë. Po të njihesh me fjalët e shkruara në minutin e mbramë, fajësia e vetëvrasjes ka kapërcyer nga fatkeqët te barkëdreqët. Ata nuk kanë bukë për fëmijtë. Nuk kanë punë për të përballuar jetën. Nuk kanë strehë mbi krye. Kanë mbetur në vetmi të madhe nga emigrimi i fëmijëve. Kujt i ka qëlluar të marrë pjesë në ceremoni mortore të të vetëvrarëve, përjeton diçka të pangushëllueshme. Aty askush nuk mungon, por duhet të jetë edhe shteti, për të pyetur vetëveten: pse vetëvriten shtetasit? Kush nuk pyet, nuk do të dijë. Por vrasjet janë bërë sëmundje e tmerrshme dhe, dihet që, sëmundjet kanë shkaktar dhe mjek. Ajo që duhet t’u  shërbehet atyre si bar shpëtimi është: Askush pa bukë! Askush pa punë! Askush pa strehë!

Poeti lirik rus Sergei Esenin, para se të vriste veten në 28 dhjetor të vitit 1925, në Hotel Angleterre të Shën Peterburgut, një ditë para vdekjes shkroi poemën “До свиданья, друг мой, до свиданья” (Mirupafshim, shoku im, mirupafshim) kushtuar Wolf Ehrlich. Duke mos pasur bojë në dhomë, me gjakun e tij shkroi këto vargje tronditëse:

“Në këtë jetë të vdesësh nuk është gjë e re,

por as të jetosh s’është e re sigurisht”.

Poeti ruso-sovjetik Vladimir Majakovski iu përgjigj atij pesë vite më pas, më 14 prill të vitit 1930, po me vetëvrasje - me një goditje në zemër, dhe po me poezi - vargje me të njëjtën frymë:

”Në këtë jetë nuk është e vështirë të vdesësh,

Të jetosh është shumë e vështirë”.

Më 26 mars të vitit 1928, qeveria italiane e pati ndaluar shtypin të  botonte lajme e pamje  të rënda të të vetëvrarëve, duke besuar se do të shmangej imitimi që nxitet nga informacioni dhe, kjo do të  ndikonte në pakësimin e tyre. Dhe, çuditërisht, ashtu pati ndodhur. Ndër ne, mediat e shumta i njoftojnë dukshëm, e shumëfishojnë lajmin disa herë, me numrin e madh dhe përsëritjen e  lajmit pafundësisht, nga të gjitha mediat dhe gjatë gjithë ditës. Shoqëria është e rënduar psikologjikisht nga vështirësitë e jetës, nga mungesa e të mërguarve të panumërt dhe nga ikja me vetëvrasje prej kësaj bote të vështirë. Duhet kryer ajo që duhet, sepse vetëvrasja po kthehet në kob kombëtar.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...