Alajdinët e sotëm

Premte, 08 June 2018 17:49

Nga Qemal SAKAJEVA

 

Njerëzit e ditur nuk i përkasin profecisë.

Parashikimit, po.

Sepse, dija e tejpërshkon terrin dhe i zdritë edhe ato skuta, ku nuk mbërrin rrezja e mendjeve të pandriçuara. Ka plot mendime, që  flenë të patrazuara te çdo njeri. Nëse nuk ka një shtysë zgjimi, ato bëjnë gjumin e madh.

Kjo vlen edhe për sa do të rrëfej, diçka që e di qysh në vitin 1967. Ngacmimi erdhi si një klikim i urisë që ndjen vendi për investime.

Dikur, emrat e hidrocentraleve në Shqipëri ishin ideologji marksiste, teksa, të gjithë hidrocentralet, sipas radhës që u ndërtuan, u pagëzuan kësisoj: “V.I. Lenin”, u quajt hidrocentrali i parë, i Lanabregasit, në Tiranë; “Karl Marks” e “Frederik Engels”, u emërtua hidrocentralet mbi lumin e Matit, në Ulëz, të Burrelit; “Josif Visarionoviç Stalin” mori emrin hidrocentrali i lumit të Bistricës, në Sarandë; “Mao Ce Dun” u thirr hidrocentrali i Vaut të Dejës; ndërsa “Drita e Partisë” ishte ishte emërtimi më i çudtishëm, i zgjedhur për  hidrocentralin më të madh mbi lumin e Drinit, në Fierzë, të Tropojës. Ato emra u vunë si metaforë e ndriçimit ideologjik të mendjeve të shqiptarëve me marksizëm, por qëllimi qe për të mbijetuar e përjetësuar ideologjinë komuniste.

Në kohën e pluralizmit, ato emra nuk thirren më - shkuan në harrim.

Ajo që mbetet është vepra si shkencë dhe domosdoshmëria për burime të reja energjie, që në disa raste bie ndesh me çështje edhe më madhore: për shembull, mes nevojës për energji dhe ruajtjes së vlerave unike të mjedisit, siç është mbrojtja e lumit të Vjosës dhe shmangia e shkatërrimit të Luginës së Valbonës. Mes  gjithë kësaj, bie në sy shkretimi njerëzor nëpër ato vise.

Pikërisht, kjo, më solli ndërmend  profesor Alajdin Frashërin, dhe tregimin për profesorin e austriak në Universitetin e Vjenës, pak para Luftës së Dytë Botërore. Profesor Frashëri më pati dhënë vetëm një vit mësim, dhe vetëm një lëndë - Mjetet Optike të Matjes. Gjatë dhjetë minutave të pushimit midis dy orëve të njëpasnjëshme, i mblidheshim përreth, të dëgjonim plot kureshtje, për një botë e njerëz të panjohur. Me të folurën e matur, si numërim fjalësh, të sakta ngjashëm me shkencën që zotëronte, me emocion të lodhur nga koha e larguar, ai shtjellonte ide, që i lëshonte enkas, të nxiste ndër ne, për atë ditë mësimi apo dhe për vitet që secili kishte përpara.

Njëri prej profesorëve të vet, i qe kthyer në monument dijesh brenda trurit dhe, siç dihet, shtatoret shpirtërore ngrihen e s’bien. Ai, përveç që e sillte atë, aty mes nesh, përcillte edhe domethënie që të na shndërroheshin në synim.

Profesori austriak  i Alajdin Frashërit, kishte qenë dijetar i njëmendtë: anëtar nderi i disa akademive. Ai u jepte studentëve njohuri mbi potencialet hidroenergjetike të botës dhe nevojë e studimit të tyre për t’i vënë në shfrytëzim.

Ashtu, studenti shqiptar Alajdin Frashëri, ditën e provimit u gjënd përpara profesorit:

- Çfarë të ka rënë në tezë? - e kishte pyetur ai.

- Lumi Vollga, - qe përgjigjur studenti.

- Nga cili vend vjen, zoti student?

- Nga Shqipëria, - u përgjigj ai.

- Ti nuk do të shkosh në Rusi. Bashkimi Sovjetik ka shkencëtarët dhe inxhinierët e vet. Ti do të kthehesh në Shqipëri. Prandaj, më fol për lumin Drin.

Studenti mbeti shtangur nga kërkesa e beftë e profesorit. A kishte njohuri edhe si austriak, ngaqë Perandoria e dikurshme Austro-Hungareze qe shtrirë deri në Shqipëri, dhe në mbështetje të shqiptarëve, duke kryer vepra të vlefshme kombëtare. Por studenti  nuk mundi t’i  shqiptonte tjetërçka, veç: “Profesor, nuk di asgjë!”

Natyrisht, u rrëzua në provim.

Kur u paraqit në vjeshtë, me njohuri të mjaftueshme për Drinin, gjetur  nëpër libra të autorëve të huaj, por pa ia rrokë profesorit mendimin siç duhet, akademiku qe shfaqur një stërvitës i jashtëzakonshëm:

- Nuk dua të më flasësh për lumin Drin, - i tha. - Më fol për lumin Vjosa.

Vetëm atëherë studenti e mori të plotë domethënien: studio potencialet hidroenergjetike të vendit tënd dhe pastaj eja në provim!

Alajdinët e paktë shqiptarë të  atëhershëm qenë kthyer në Shqipëri, mijëra Alajdinët e sotëm shqiptarë shkollohen nëpër botë për të ikur nga Shqipëria!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...