Bumerangu i reformës në Arsimin e Lartë

Diel, 09 December 2018 19:29

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla deklaroi dje se “protesta e studentëve ia vlejti si katalizator për një debat shterues për reformën në arsimin e lartë, për të cilën studentët nuk kanë informacion”! Më kujtohet se gjatë prezantimit të Raportit përfundimtar të Reformës në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, zonja Ministre e vlerësoi atë si “një standard të ri të vendosur në Shqipëri në politikbërje”. Ministrja tha se kjo është një reformë që vë në qendër të saj universitetin, jo si një strukturë burokratike dhe si e tillë me një autonomi të cunguar. Një reformë që ka kërkuar realisht një autonomi, që nxit kërkimin shkencor etj.

Ku jemi tani pas dy vjetësh që reforma ka filluar të implementohet? Pse nuk funksionon Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe me fillimin e zbatimit të tij po evidentohen vetëm probleme?

Qeveria e cilësoi këtë reformë si një proces të madh transformues në arsimin e lartë, por ndryshe nga sa paralajmëruan stafet akademike, ai u konsiderua vetëm si atribut i qeverisë, pa marrë parasysh mendimin e grupeve të interesit, të përfaqësuesve të universiteteve, të ekspertëve dhe forumeve të pavarura akademike. Gjatë procesit të reformës nuk pati asnjë lloj bashkëpunimi mes palëve të interesuara për zhvillimin e arsimit të lartë, në një atmosferë debatesh dhe besimi.

Si pedagog dhe drejtues me përvojë në sistemin e arsimin e lartë, gjatë kohës kur po diskutohej projektligji, edhe unë kam sugjeruar mendimet e mia në disa artikuj të botuar ne shtypin e përditshëm, me qëllim që komisioni për hartimin e projektligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor të përgatiste një draft të denjë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, sipas standardeve dhe referencave më të mira evropiane.

Mbetem i mendimit se procesi i hartimit të ligjit duhej të ishte bërë në kuadrin e një transparence të plotë dhe mbledhjes së të dhënave relevante, vlerësimit të përparimeve që janë arritur deri më sot në institucionet e arsimit të lartë. Pritëm më kot që komisioni për hartimin e projektligjit në fjalë, të vlerësonte debatin, konfliktin e përqasjeve e të zgjidhjeve që vinte nga stafet akademike universitare. Por, për ironi, bota akademike u zhvendos me “takt” në hije. Prej kohesh në Evropë është bërë normë, që drafteve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor u paraprin mendimi dhe sugjerimi i botës akademike universitare, nëpërmjet një procesi shumëplanësh dhe transparent, në raport me Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Por zëri i akademikëve dhe përfaqësuesve universitarë nuk u dëgjua, vetëm një pjesë e kërkesave të tyre u mor në konsideratë në variantin përfundimtar të projektligjit. Shkurt, nuk u bë një prapaktheu korrektues nga varianti i parë, ashtu siç u tha, u sugjerua dhe pak a shumë u pranua, por u ndoq kjo logjikë e mbrapshtë me një pasion këmbëngulës.

***

Ligji i ri për arsimin e lartë, sipas konceptit të hartuesve dhe promovuesve të tij, është i mirë për shtetin, paçka se nuk është i mirë për shoqërinë! Hajde ta zbërthejmë këtë logjikë të mbrapshtë: Për të realizuar këtë marrëdhënie, shtet – universitet kërkohet padyshim një pavarësi e dyanshme, bazuar në sovranitetin unik të gjithsecilit. Shteti dhe qeveria kërkojnë të ruajnë të drejta të patjetërsueshme në administrimin financiar të universiteteve, duke cenuar të drejtat dhe liritë akademike.

Është e paimagjinueshme se si agjencitë e ngritura ekskluzivisht për të realizuar frymën kontrolluese të shtetit synojnë të kontrollojnë gjithçka, që nga vlerësimi i standardeve të cilësisë, deri te shpërndarja e fondeve për kërkim shkencor. Konventa e Lisbonës na vjen në ndihmë në këtë rast, duke na mësuar se institucionet e arsimit të lartë duhet të fitojnë autonomi më të madhe financiare, krahas lirive akademike, paralelisht me kërkesat dhe pritshmëritë për të qenë më llogaridhënës dhe për të reaguar më mirë ndaj nevojave të shoqërisë. Në kuadrin e përgjegjësisë publike që ato kanë, financimi publik duhet të mbetet përparësi kryesore, për të garantuar qasje të barabartë dhe zhvillim progresiv.

 

***

Një ligj i gabuar të dënon përnjëherësh. Kështu duhet të lexohet protesta e studentëve. Ligji i ri i arsimit të lartë nuk është vetëm çështje tarifash. Ligji duhej të siguronte detyrimisht një dimension të ri evropian të IAL-ve. Por si pasojë e konfuzionit dhe mosgjetjes së strategjive të duhura dhe ideve reformuese, mendoj se e ka dobësuar perspektivën arsimit tonë kombëtar në raport me prirjet e sotme evropiane. Duke u shoqëruar me VKM absurde dhe ndërhyrje qeveritare, duket qartë se ai ka cenuar rëndë parimet e autonomisë institucionale dhe të lirisë akademike.

Ligji ka frenuar Institucionet publike të Arsimit të Lartë të zhvillojnë mënyra të reja të menaxhimit dhe qeverisjes, duke bërë më në fund ndarjen mes menaxhimit ekonomik dhe akademik, pra nuk ka vendosur një ekuilibër mes autonomisë dhe menaxhimit të parasë publike. Universiteteve u nevojiten sisteme menaxhimi financiare efektive dhe operacionale.

Ligji aktual nuk u përngjan modeleve të arsimit që kanë aplikuar vendet e BE-së, por është një model i përçudnuar, i cili ofron një perspektivë cinke e fataliste, duke iu larguar sistemit të vlerave për të cilat u zhvilluan shkenca dhe arsimi, që janë vlera reale dhe me kuptime konkrete në jetën tonë të përditshme. Nuk e di sa janë të përgjegjshëm ata që e kanë krijuar dhe kush duhet të marrë kosto përgjegjësie, por theksoj përsëri, ashtu si para 2 vjetësh, se kur bëhet fjalë për ligje bazike, kaq të rëndësishme, paradoksalisht gjithmonë ekziston një përpjekje diabolike për ta dështuar procesin dhe për të penguar arsimin, si projektin më të madhërishëm njerëzor. Kjo është, as më shumë e as më pak, një përqeshje e vetvetes dhe përfaqëson një sistem që bazohet në vlera të jashtme totalitare apo post-totalitare e kontrolluese, duke e bërë kështu sa dramatike, aq dhe komike procesin e modernizimit, duke krijuar ashiqare mundësinë për të rënë në kurthe tragjike, në pengesa e gremisje. Intelektualët shqiptarë ka kohë që shtrojnë pyetjen: përse në bashkësinë tonë shkencore, bashkësinë politike, arsimore dhe kulturore ne nuk jemi të aftë t’i lidhim interesat dhe aftësitë tona me komunikimin, edukimin dhe kulturën civile të demokracisë? Kam përshtypjen se kjo pyetje, edhe për shumë kohë, mund të mbetet pa përgjigje.

***

Mësimet që vijnë nga bota perëndimore janë mëse të qarta dhe të kthjellëta: sapo shteti fiton terren në kontrollin mbi universitetet, aq më shumë ato humbasin aftësinë për të vepruar dhe për t’u thelluar në kërkimin shkencor. Ky është perceptimi i njohur që ka Evropa demokratike, por dhe përvoja jonë e këtyre viteve të fundit. Nëse universiteti gëzon autonomi të plotë akademike dhe financiare, përfitimi merret shpejt dhe ai është një përfitim i madh kombëtar. Ndaj, për zhvillimin e arsimit të lartë, zyrtarët burokratë duhet ta ngulin mirë në mendje se nuk kërkohen programe qeveritare, por vetëm programe kombëtare. Ligji i ri i arsimit të lartë vendosi një mënyrë të tillë sjelljeje, të detyrueshme për universitetet, që njeh shtetin si padron që mund të bëjë gjithçka në kurriz të lirive akademike dhe veprimtarive shkencore, prandaj u kthye ne boomerang, madje ka tronditur sistemin.

Ne si shoqëri kemi lejuar që universiteti të humbë rëndësinë dhe peshën që ka pasur dhe të shndërrohet në një leckë që fërfëllohet andej-këndej nga kushdo që është në pushtet.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...