Ruhemi nga ujku, por çakalli po bën namin

Premte, 22 February 2019 16:40

Nga PËLLUMB NAKO & AHMET PRENÇI

Pikërisht në këtë atmosferë shpërthyese, të shoqëruar me manifestime, qeveria shqiptare gjeti arsyen e nevojshme për të shtuar organikën e Policisë. Vetëm me 100 vetë. Sigurisht, nuk ka arsye për ndonjë alarm lidhur vetëm me këtë fakt. Por kur sheh se ky vendim, më i fundmi i qeverisë, i hap rrugën hyrjes së forcave ushtarake në radhët e Policisë, shpjegimi bëhet më i thjeshtë. Vendimi në fjalë mund të perifrazohet pa frikë si futje në radhët e Policisë së njëqind a më shumë ushtarakëve për të prirë forcat e rendit në këtë stinë të sapofilluar manifestimesh. Për t’i mësuar ato në përdorimin më efikas të gazit lotsjellës e të tjera eskperiencëra militare. Dikur historia filloi me dyqind petritë, sot gjenerali po e vazhdon me njëqind rambo, që do të shpëtojnë qeverinë.

Kjo nuk është qasja e duhur e një shteti që çirret e thërret se është demokratik. Sidomos për momente të tilla tensioni socialo-politik. Edhe pse opozita ka djegur mandatet dhe jeta e institucioneve politike po reduktohet, një qeveri vërtet e përgjegjshme për mbarë popullsinë (edhe atë “të manipuluar”) duhet që në momente të tilla të mendojë të marrë masa të karakterit normativ për të bërë më të dukshme dhe transparente për publikun se cilat janë përgjegjësitë e palëve në përplasje. Manifestimet konfliktuale në vendin tonë paraqesin ende mangësi të karakterit ligjor, sidomos të institucionit që përfaqëson forcën e shtetit. Më shumë se futja e rambove në Polici, qeveria duhet të rregullojë urgjentisht dhe qartë me ligj përcaktimin e autoritetit të duhur shtetëror, që do të ketë për kompetencë dhënien e urdhrit për përdorimin e forcës nga ana e Policisë. Deri më sot nuk ka ndonjë klauzolë ligjore direkte për të përcaktuar shprehimisht se cili do të japë urdhrin e përdorimit të forcës në emër të Republikës. Akti është po aq ligjor sa dhe solemn. Po ashtu, asgjëkund nuk parashikohet me ligj se çfarë lloji apo përbërjesh kimike duhet të ketë gazi lotsjellës, që përdoret kundër manifestuesve. Kush e urdhëron përdorimin e tyre? Kush e certifikon përdorimin e tij për të parë sesa i dëmshëm është për shëndetin kur përdoret? Kush e ka për detyrë ligjore të kërkojë këtë certifikim dhe kush e lëshon certifikatën? Por qeveria preferoi tjetër gjë. Zgjidhjen militare.

Nuk kishte si të delte ndryshe edhe Prokuroria. Të gjithë pamë në manifestim persona dhe policë të shtrirë si rezultat i përdorimit të tij. Askush nuk po mban përgjegjësi. Prokuroria filloi procedimin penal për shumë manifestues. Por nuk e pa të udhës të kërkonte një raport nga mjekët e Urgjencës, ku u mjekuan demonstrues e policë. Të përcaktonin nëse gazi është i dëmshëm. Nuk e panë të udhës të hapnin një procedim penal për këtë rast. As verifikime administrative dhe t’i bënin publike.

Ndërkohë, publiku i gjerë nuk ka dijeni nëse PAMECA, organizatë policore e Bashkimit Europian që asiston Policinë që prej vitit 1977, e po ashtu ICITAP i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që prej 20 vitesh kryen të njëjtën gjë, i kanë paraqitur me shkrim kundërshtitë e tyre Ministrisë së Brendshme lidhur me këtë veprim. Vendimi i mësipërm i qeverisë është tërësisht në kundërshtim me ato që dy organizmat rekomandojnë, me parimet e demokracive të vendeve të tyre. Me siguri ato kanë raportuar nëpër ambasadat respektive. Megjithatë, nuk kemi ndonjë reagim publik.

Këtu duhet kujtuar se lista e shkeljeve të bëra në Polici nga lidershipi politik aktual është e gjatë ndër vite e po ashtu dhe heshtja e ndërkombëtarëve.

Pa mohuar kurrsesi ndihmën e dhënë për Policinë shqiptare, financimet e panumërta gjatë këtyre viteve, ICITAP dhe PAMECA duken qartë se janë anashkaluar dhe shpesh nga autoritetet vendimmarrëse të rilindjes. Anashkalime këto, të lidhura me themelet e Policisë të ndërtuara më parë po me ndihmën e tyre. Por përsëri është heshtur. Asgjë publike. Mjaftojnë disa raste, nga më themeloret.

Që kur erdhi në fuqi, qeveria e majtë sanksionoi me ligj ndalimin e rifutjes së oficerëve të Policisë së përjashtuar nga puna, më vonë se dy vite nga largimi i tyre. Pra, oficerë që dënohen për atë që janë e jo për atë që kanë bërë. Shumica dërrmuese e tyre tashmë kanë fituar gjyqin. Ndërkohë, disa vite më parë Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë një nen të qeverisë së mëparshme, që bënte të njëjtën gjë me ish-sigurimsat. Asnjë nga ndërkombëtarët nuk u shpreh publikisht për problemin e oficerëve në fjalë. Ndërkohë, PAMECA bëri publik qëndrimin e saj në lidhje me disa hetime të Prokurorisë së asaj kohe.

Disa muaj më parë, po kjo qeveri i hapi rrugën hyrjes së studentëve nëpërmjet një sistemi totalisht të kundërshtuar vite më parë si nga ICITAP dhe PAMECA. Policia e asaj kohe iu bind rekomandimeve dhe nuk bëri ndryshime ligjore. E sotmja e kreu veprimin.

Por nuk mjafton me kaq. Këto ditë qeveria hodhi edhe hapin tjetër, më të rëndin. Atë të futjes së ushtarakëve në radhët e Policisë. Dhe për më tepër, futja e tyre kryhet nëpërmjet një sistemi ndryshe nga ai i deritanishëm e po ashtu, ndryshe nga ai i futjes së studentëve. Kaos.

Nuk kemi mendimin e të pyesim ICITAPin e PAMECA-n se përse vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri kur përfituesi i tyre, qeveria e majtë nuk u dëgjon këshillat dhe rekomandimet. Më këtë rast do t’u sugjeronim për të kuptuar shprehjen “Ujku, ujku, por çakalli po bën namin”, e cila do të thotë që tehun e presionit ta drejtojnë më shumë te qeverisja.

Marrë nga Panorama.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...