Zbardhet dosja për Tahirin/ Çfarë ndodhi me skafin e prishur të ish-ministrit, si u riparua me shpenzimet e Moisi Habilajt në Brindisi. Kush ishte zyrtarja e lartë që u takua me të në Greqi

Hënë, 08 July 2019 19:46

BLEONA METUSHI/ Përpos përgjimeve të autoriteteve italiane, në kërkesën për gjykim për ish-ministrin Saimir Tahiri janë renditur një sërë dëshmish, që sipas Prokurorisë, vërtetojnë lidhjen e tij me vëllezërit Habilaj.

saimir tahiri-gjykate4

Udhëtimi për në Greqi në verën e vitit 2014 me makinën “Audi” është parë me detaje nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në kërkesën për gjykim që disponon gazeta “Panorama”, janë zbardhur të gjitha lëvizjet e ish- ministrit, bërë në shtetin grek, e më pas të gjitha lëvizjet e skafit që sipas Prokurorisë, një ditë më vonë është marrë nga Moisi Habilaj për t’u rregulluar në një servis në Itali. Këto dëshmi, sipas organit të Akuzës, vërtetojnë marrëdhënien e ish-ministrit Tahiri me kushërinjtë e tij, megjithëse ai ka thënë se janë të largët.

Dëshminë e ish-ministrit e ka mbështetur edhe vetë Moisi Habilaj, i cili gjatë marrjes në pyetje për këtë çështje është shprehur se nuk e njihte ish- ministrin dhe se nuk është e vërtetë që bizhuteritë janë blerë për familjarë të tij. Ndërkohë, në kërkesën për gjykim bëhet një pasqyrë e të gjithë aktivitetit kriminal të Habilajve, që me bashkëpunimin me Taulant Haxhirajn, grupi i të cilit sipas Prokurorisë ka komunikuar me punonjësit e Policisë, Sokol Boden, Gjergji Kohilën dhe me Jaeld Çelën.

saimir tahiri-gjykate2

Për të pasqyruar bashkëpunimin e Policisë lokale me grupin kriminal, Prokuroria në kërkesën për gjykim sjell edhe një rast kur një nga parcelat është korrur nga Policia, por nuk është asgjësuar, më vonë droga e korrur është marrë nga grupi kriminal. Si prova për 3 ish-policët dhe Saimir Tahirin, Krimet e Rënda kanë renditur një sërë përgjimesh.

Tre ish-policët dalin në përgjime të autoriteteve shqiptare teksa komunikojnë me grupin kriminal dhe i mbajnë të informuar edhe për ndonjë hetim të mundshëm. Ndërkohë, ish-ministri rezulton vetëm në përgjimet e bëra nga autoritetet italiane, ku përmendet nga Moisi Habilaj e persona të tjerë.

Dëshmitë

N. B., PUNONJËS POLICIE

“Nga deklarimet e shtetasit N.B., punonjës Policie, për angazhimin e tij mbi kërkesën e Saimir Tahirit në funksionin e ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit, të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në gusht 2014. Si dhe për angazhimin më pas në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri. Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij punoi në Vlorë me detyrën e ndihmësspecialistit të Forcave Speciale, shofer dhe komandant skafi, pranë repartit ‘Delta Forcë’. Gjatë kësaj kohe dhe në vazhdimësi ai njohu Artan Habilajn, Moisi Habilajn dhe Aurel Konakçiun.

saimir tahiri-gjykate1

Në gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik 069 41 01 XXX u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe. Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur motorskafi, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej ta ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një teknik tjetër.

Të nesërmen, rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe me një shtetas tjetër të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin ‘Audi’, i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Botë. Mbërritën kur ishte ende natë, në vendin e ankorimit të skafit, ndërsa Artani, si drejtues mjeti, orientohej shumë mirë. Duke filluar që në mëngjes, ai dhe Aureli u morën me rregullimin e skafit, me mbishkrimin ‘Solemar’, me fuqi 234 KE, me dy motorë ‘Nanni’, me gjatësi rreth 12 metra, ndërsa Artani lëvizi pa ditur se për ku. Më vonë aty mbërriti edhe Saimiri.

Gjatë kohës së qëndrimit atje, u takua me babanë e Saimirit, Bashkimin, dhe shtetasen Elona Gjebrea, që ndodhej së bashku me bashkëshortin e saj. Rregullimi i skafit zgjati disa orë. Drekuan dhe darkuan së bashku me të gjithë personat e tjerë, ndërsa bënë edhe një xhiro me skaf. Ai dhe Aureli fjetën në skaf, ndërsa të tjerët u larguan për në vendin ku kishin qëndruar. Për Artanin nuk mësoi se ku fjeti. Të nesërmen paradite, ai, Aureli dhe Artani u kthyen në Shqipëri me skaf dhe automjetin ‘Audi’ e lanë atje për ta përdorur familja Tahiri. Në kthim, mbërritën në Sarandë. Për të kryer procedurat e hyrjes në port u paraqit Aureli si kapiten i skafit. Vulosën pasaportat dhe më pas udhëtuan po me skaf në drejtim të Vlorës. Rreth orës 23:00 mbërritën në ‘Triport’, ku ankoruan skafin. Pas rreth një muaji, Aureli e mori në telefon dhe i kërkoi ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonin skafin (e përmendur më sipër) në servis.

saimir tahiri-gjykate

Shkoi në Vlorë dhe takoi Aurelin dhe Moisi Habilajn, ndërsa skafi ndodhej në vendin ku e kishin lënë të ankoruar. Moisiu u kërkoi të shkruanin edhe emrin e tij, ndërsa shkoi në Kapiteneri dhe mori lejen e lundrimit. Udhëtuan të tre në drejtim të Italisë dhe mbërritën në Portin e Brindisit, duke qenë Aureli kapiten dhe ai motorist. Qëndruan disa ditë në Brindisi dhe te skafi shkuan disa persona, të cilët morën përsipër rregullimin e tij. Gjatë ditëve të qëndrimit atje, shpenzimet u paguan nga Moisiu.

U kthye se bashku me Aurelin me traget në Durrës, ndërsa Moisiu ishte larguar një ditë më parë. Disa ditë pas kthimit, Aureli e mori në telefon dhe e njoftoi se duhej të shkonin në Itali për të marrë skafin, i cili nuk ishte rregulluar. Shkuan me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas në Brindisi me tren. Të nesërmen morën skafin dhe u kthyen në Durrës. E nxorën skafin në tokë dhe e lanë atë, pasi ishte i prishur”.

DHIONIS ANDONI, KAPITEN I KAPITENERISË SË PORTIT TË VLORËS

“..Mbaj mend se te zyra e oficerit Ardit Bani, i cili ka qenë në shërbimin 24-orësh, ishte paraqitur shtetasi i quajtur Moisi Habilaj nga Vlora, që nuk e njihja dhe po debatonte me oficerin e shërbimit Ardit Bani, për listën e pasagjerëve të skafit të tij, ku në krye të listës ndodhej i shënuar emri i shtetasit Saimir Tahiri, si kapiten i skafit. Ne fillimisht e morëm se personi po bënte shaka, pasi shtetasi Saimir Tahiri në atë periudhë ishte ministër i Brendshëm.

VIJON…

Login to post comments

Lajmet e fundit

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Politikë

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e konsideroi si një skemë të ngjashme me atë të inceneratorëve, atë të krijuar nga drejtorët e Erion Veliajt me kompaninë ‘5D’. Për emisionin “Task Force”...