Minishengen “Beograd-Handke”, Maxishengen Serbi-Rusi

Tuesday, 17 December 2019 16:08

Nga Qemal SAKAJEVA

S’ka pasur më karikaturë politike në rajon se sa takimi në Novi Sad, më pas në Ohër, dhe i paralajmëruar  për të ndodhur për së treti në Durrës (nëse?!, sepse Durrësin  e rrëzoi termeti përdhe), për të jetësuar idenë e Beogradit në një Minishengen Ballkanik (Serbi - Maqedoni -Shqipëri, me disa karrige të lëna bosh e në pritje: Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Kosovë).

Zgjidhjet e panatyrshme përveçse janë të paracaktuara të dështojnë, disa herë ato paralajmërohen edhe nga një ngjarje e vetme, në dukje fort rrethanore. Këtë asgjësim që - e pritshme se do të ndodhë - nuk e bën Shqipëria (Kosova e ka paralajmëruar mospranimin, Mali i Zi e ka kundërshtuar), por thyeqafësi i Minishengenit bëhet vetë ideatori - presidenti  Aleksandar Vuçiç. Goditjen vrastare e kreu  me dy plumba të vetëm. Pasi gjykata Themelore e Prishtinës, mbështetur në nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës, e dënoi me dy vjet heqje lirie ish-ministrin e pushtetit vendor Ivan Todosejeviç ardhur  nga Lista Serbe, sepse, në një tubim në Zveçan,  më 24.3.2019, në mënyrë publike tha se “Masakra e Reçakut ishte trillim” dhe “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”, vetëm 10 ditë më pas, më 5.12.2019 Vuçiç - me fjalor fyes nga më të përzgjdhurit, enkas për tër të fyer maksimalisht viktimat shqiptare dhe denoncuesin amerikan - tha se  “krimi në Reçak ishte i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai, mashtruesi i botës, hajni dhe genjeshtari (William Walker).

Ky është sulm serb kundër shqiptarëve mu në  palcën e çështjes, dhe ndërkohë Beogradi kërkon t’u marrë atyre  gjithçka në paqë - edhe paratë në tregti të pabarabartë, edhe territor përmes termash hermetikë, edhe pavarësinë përmes zhbërjes së njohjeve - duke ruajtuar të pacenuar  ideologjinë e luftës spastruese: gjenocidin. Serbia është trimëruar rreth kësaj çështje për tri shkaqe madhore: 1. Kjo që kreu,  një zezonë edhe për njerëzimin, u maskua me uniformën e bisedimeve pa pasur kurrfarë pendese për krimet që kreu, duke shkuar drejt barazimit mes vrasësit dhe viktimës;  2. Bota demokratike heshti  dhe nuk donte që krimet e Serbisë të përcaktoheshin si gjenocid dhe të dënoheshin si të tilla;               3. Politika e Kosovës gaboi rëndë sepse nuk ndërmori asnjë veprim, nuk gjeti kurajë  të  kërkonte përcaktimin e masakrave, përdhunimeve dhe  spastrimin etnik si gjenocid serb, por u mjaftua me pavarësinë dhe fillimin e bisedimeve, ndërsa u përfshi nga një korrupsion i lartë që  ndikoi edhe si rrënim politik. Dy lëshime të mëdha të pafalshme nga ndërkombëtarët, pasi lufta qe fituar, janë: normalizim të marrëdhënieve pa kushtin e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe moscilësimin e krimeve serbe si gjenocid serb ndaj shqiptarëve.

Por Aleksandar Vuçiç vjen si politikan në krye të Serbisë mu nga qendra e zbatimit të strategjisë së  gjenocidit. Koha në pushtet provoi se ai nuk gjeti forca madje as të heshtte.  Ai  synon të pastrojë Serbinë nga krimi pa pranuar fajësi. Pa u mbushur java, pikërisht më 10.12.2019, ndërkohë që në Stockholm të Suedisë shkrimtari Peter Handke iu dorëzua Çmimi Nobel për Letërsi, përballë një stuhie kundërshtuese shtetesh e individësh nga mbarë bota, si  mbështetës i Serbisë në gjenocid, presidenti Vuçiç u përgjigj menjëherë,  si  të ishte ngritur nga varri vetë Millosheviçi, duke thënë: “ Serbia ju konsideron mik të veçantë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju, e përjetojmë si të fituar prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriçit, kemi edhe një tjetër laurat të Nobelit”,  i shquar për “cilësi të pakarahasueshme morale, guxim dhe dinjitet”?! Kush është Ivo Andriç, - ky nobelist serb për letërsinë i vitit 1961, me romanin “Ura mbi Drin”, dihet: ai ka mbetur një programues historik i platformës së gjenocidit serb kundër  shqiptarëve. Kush është Peter Handke, nobelist në vitin 2019 për Letërsinë, tashmë dihet:  ai ka marrë në mbrojtje gjenocidin serb në Kosovë dhe Bosnjë, ka mbështetur Sllobodan Milleshviçin, ka mbajtur fjalim te varri i tij ditën e varrimit, kurrë nuk është penduar dhe mban pasaportë serbe lëshuar nga shteti i Kasapit të Ballkanit. Sado të polemizohet me figura të tilla, problemi është te Serbia dhe politika e Beogradit e shpërfaqur me guxim nga çdo president, deri te Vuçiç: atje mohohet gjenocidi, ata mburrin figurat që i prinë gjenocidit  gjatë gjithë historisë, pa njohur as kurrë pendesë për krimet e përbindshme. Por në korin botëror kundërshtues e dënues, ndoshta tri janë veprimet më domethënëse: në Kosovë Peter Handdke u shpallë “non grata”; në Sarajevë gjithashtu cilësohet “non grata”; kurse mjekja dinjitoze suedeze Christina Doctare, fituese e Nobelit për Paqë në vitim 1998, e ktheu mbrapsht Çmimin Nobel të saj.

Minishengeni Ballkanik është djallëzi serbe me terma euro-perëndimor për të përkufizuar një ish-Jugosllavi tjetër (minus Slloveni e Kroaci, plus Shqipëri). Por i  vërteti është “Minishengeni Beograd-Peter Handke” : ide të njëjta, sjellje të njëjta, qarkullim me të njëjtën pasaport, përfitim i ndërsjellë. Kurse Maxishengeni  - edhe pse i pashpallur si i tillë - është strukturë ndërshtetërore e njohur qyshkur dhe e ka emrin Serbi - Rusi. Argumentet s’kanë të sosur: ndërmjet tyre janë vendosur më shumë se “katër shtylla të arta”, përcaktime që i përkasin Shengenit të Bashkimit Europian.

Modifikuar më Premte, 20 December 2019 16:45
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...