A do të ndryshojë politika amerikane ndaj Koresë së Veriut?

Hënë, 30 December 2019 19:30

Presidenti amerikan Donald Trump thotë shpesh se marrëdhëniet e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un mbeten pozitive. Por Presidenti Trump së shpejti mund të ketë pak zgjedhje, veçse të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Kimit, i cili brenda disa ditësh mund të zbulojë një politikë të re, të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kim, i cili u ka dhënë Shteteve të Bashkuara një afat deri në fund të vitit për bisedime bërthamore, do të mbajë një fjalim ditën e Vitit të Ri ku mund të japë disa të dhëna të rëndësishme për drejtimin e Koresë së Veriut në vitin 2020. Kim po kryeson gjithashtu një takim simbolikisht të rëndësishëm të partisë së tij në pushtet këtë javë.

Ndërsa askush nuk është i sigurt se çfarë do të njoftojë Kim - gjithmonë ekziston mundësia e një përparimi të minutës së fundit në bisedime - Koreja e Veriut ka lënë të kuptohet fuqimisht se do të bëjë presion ndaj Trumpit në vitin e ri, dhe Kim ka premtuar se do ta drejtojë vendin e tij në një " rrugë të re” nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk përparojnë.

Gjatë disa muajve të fundit, Koreja e Veriut ka kërcënuar të rifillojë provat e raketave balistike ndërkontinentale ose provokime të tjera të mëdha, madje duke paralajmëruar për një "dhuratë të Krishtlindjes" të paspecifikuar për Shtetet e Bashkuara që deri tani nuk është përcjell.

Presidenti Trump ka treguar një tolerancë të pazakontë ndaj provokimeve të Koresë së Veriut, të paktën sipas standardeve të presidentëve të tjerë të fundit amerikanë. Por ndërsa shtohen provat se qasja personale e Trumpit me Kimin nuk po çon drejt përparimit në bisedimet bërthamore, shumë kritikë dhe aleatë të Presidentit Trump po bëjnë thirrje që ai të ndryshojë kursin.

"Nga asnjë këndvështrim - nuk ka kuptim që Trumpi t'i mbajë gjërat ashtu siç janë," thotë Rebecca Heinrichs, eksperte për çështje të frenimit bërthamor dhe mbrojtjen e raketave në Institutin konservator Hudson.

Për çfarë ndryshimi flitet?

Pyetja është nëse Presidenti Trump duhet të bëhet pak a shumë pajtues.

Zonja Heinrichs, e cila ka mbrojtur disa aspekte të qasjes së pazakontë të Presidentit Trump ndaj Kimit, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të

zgjerojnë sanksionet e tyre ndaj Koresë së Veriut dhe të risjellin manovrat e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, të cilat u pakësuan për të ruajtur bisedimet.

"Gjatë dhënies së hapësirës diplomatike ndaj Kimit, zbatimi i sanksioneve dhe gatishmëria me aleatët rajonalë, janë zvogëluar ndërsa programi bërthamor dhe imazhi i Kimit është përmirësuar," thotë ajo.

"E gjithë qasja është shumë delikate"

Një tjetër kamp ideologjik preferon një qasje më pak agresive. Ata thonë se nuk ka prova që sanksionet do ta bindin Kimin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, por vetëm do të shtojnë më tej tensionet.

Në vend të kësaj, Presidenti Trump duhet të punojë drejt një marrëveshje të përkohshme, në të cilën Shtetet e Bashkuara ofrojnë lehtësime të kufizuara të sanksioneve, një pezullim zyrtar të stërvitjeve ushtarake, ose të dyja, në këmbim ndoshta të një moratoriumi të përhershëm të provave bërthamore të Koresë së Veriut dhe raketave balistike me rreze të gjatë veprimi, thotë Joshua Pollack, studiues i Koresë së Veriut në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Middlebury.

"Ne kemi pezulluar vazhdimisht manovra të kombinuara ushtarake me Korenë e Jugut, kështu që pse të mos i vendosim përfundimisht në tryezë?", pyet zoti Pollack. "Atëherë të dyja palët mund të merrnin kohën e tyre në bisedime."

Nuk është e qartë se Koreja e Veriut do të pranojë një marrëveshje të përkohshme. Ambasadori i vendit në Kombet e Bashkuara në fillim të këtij muaji deklaroi se denuklearizimi është jashtë tryezës së bisedimeve dhe se bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk janë më të nevojshme.

Trump minimizon kërcënimet

Nuk ka gjithashtu shumë prova që të tregojnë se Presidenti Trump është i angazhuar për ndryshime drastike në të dy drejtimet.

Trump rrallëherë ka diskutuar muajt e fundit Korenë e Veriut, dhe kur e ka bërë këtë, kryesisht është përqëndruar të theksojë marrëdhëniet e tij të mira me Kimin.

I pyetur në lidhje me kërcënimin e Koresë së Veriut për t'i dhënë një "dhuratë Krishtlindjesh" Shteteve të Bashkuara, Presidenti Trump u përgjigj: "Ndoshta është një dhuratë, ku ai më dërgon një vazo të bukur me lule, në vend të një prove me raketa."

Trump nuk pranoi të kritikojë Korenë e Veriut, pasi kreu 13 raunde provash të raketave me rreze të shkurtër veprimi në vitin 2019, megjithëse lëshimet shkelën rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërcënuan trupat dhe aleatët amerikanë në rajon.

Për Presidentin Trump, provokimet e Koresë së Veriut janë të sikletshme, pjesërisht për shkak se ai tashmë ka pretenduar se e ka zgjidhur problemin.

Pas takimit të tyre të parë në Singapor, Trump tha se ai e dinte "shumë mirë" se Kim do të kthehej në vend dhe do të fillonte një proces që "do t'i bënte shumë njerëz shumë të lumtur dhe shumë të sigurtë".

"Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut," tha Presidenti Trump në Twitter ndërsa kthehej nga samiti.

Zyrtarët amerikanë, përfshi Presidentin Trump, gjithashtu kanë këmbëngulur vazhdimisht se Kim pranoi në Singapor të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore, megjithëse në realitet deklarata e përbashkët i referohej "denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean" - një përshkrim shumë i paqartë që flet për lëshime të paspecifikuara nga secila palë.

Sipas një vlerësimi ((https://www.38north.org/2019/09/sheckerrcarlineserbin090419/)), Koreja e Veriut ka prodhuar materiale për rreth 10 bomba të tjera bërthamore që nga samiti në Singapor, që do të thotë se tani ka mjaft material për rreth 40 bomba.

A do ta pranonte Trumpi humbjen?

Ekspertja Heinrichs insiston se nuk është vonë për Trumpin që të modifikojë politikën e tij ndaj Koresë së Veriut, dhe se kjo qasje, nuk ka pse të jetë një siklet i madh politik.

"Nuk mendoj se ai duhet apo do të thotë se qasja dështoi," thotë zonja Heinrichs. "Ka më shumë të ngjarë që ai do të fajësojë Kimin dhe administratat e mëparshme amerikane për mos zgjidhjen e këtij problemi."

Ndërsa komentet e Trumpit për Kimin janë përqeshur gjerësisht në Uashington si kontradiktore ose të pasakta, zonja Heinrichs e sheh problemin ndryshe. Komente të tilla, thotë ajo, janë një përpjekje për të kënaqur Kimin - në thelb për ta zbutur atë për një marrëveshje të madhe. Dhe qasja e Trumpit, thotë ajo, mund të kthehet lehtë.

"Çdo president tjetër do ta kishte të vështirë të kalonte nga deklaratat "zjarri dhe furi" në letra të këndshme për t'u kthyer përsëri në presionin maksimal ... Nuk mendoj se do të ishte aq shumë një sfidë për Trumpin," thotë zonja Heinrichs.

"Ai duket të jetë imun ndaj presioneve. Ndonjëherë kjo krijon hapësirë për gjëra të mira dhe ndonjëherë rezulton në dhimbje të mëdha koke", shtoi ajo.

Fitore me një të shtënë?

Ekspertë të tjerë thonë se Trumpi, një yll i dikurshëm i programeve televizive dhe negociator i vetë-formuar, duket se po kërkon një fitore ndaj Koresë së Veriut që do të përcaktonte trashëgiminë e tij dhe nuk do të ndryshojë lehtë kursin.

"Absolutisht ai nuk mund ta pranojë dështimin," thotë zoti Pollack. "Por mund ta largojë nga vëmendja."

Sipas Gwenda Blair, një biografe e familjes Trump, e cila ka ndjekur pasuritë e patundshme të Trumpit dhe marrëveshje të tjera të tij për dekada, Trumpi shpesh ka deklaruar fitore para kohe ose është përpjekur për marrëveshje edhe kur fitorja është e pamundur.

"Ai dëshiron të bëjë diçka edhe kur është e pamundur," thotë zonja Bler.

Për të, dëshira e Trumpit për të arritur një marrëveshje bërthamore me Korenë e Veriut - e cila ka qënë e pamundur për diplomatët amerikanë për dekada - është si dëshira e deklaruar së fundmi nga Trumpi për të blerë Groenlandën.

"Do të ishte blerja më e madhe që nga Alaska," thotë ajo. "Por askush nuk ishte i interesuar të shiste".

Pra, çfarë do të bëjë Trumpi nëse Kim kurrë nuk pranon të denuklearizohet? Vetë Presidenti Trump paralajmëroi një skenar të tillë në konferencën për shtyp pas samitit në Singapor.

"Sinqerisht, unë mendoj se ai do t'i bëjë këto gjëra. Mund ta kem gabim. Dua të them, mund të qëndroj para jush pas gjashtë muajsh dhe të them, "E kisha gabim," tha Presidenti Trump, para se të shtonte:" Nuk e di në se do ta pranoj ndonjëherë, por do të gjej një lloj justifikimi"

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...