Si vërshëllimë bilbili në sekondën e fundit?!

E mërkurë, 06 May 2020 14:27

Nga Qemal SAKAJEVA

Kosova ishte viktimë e shpëtuar në sekondën e fundit. Populli - si asnjë tjetër në kontinent - vuan pasoja post-traumatike me ndjeshmëri tepër të lartë,  aq sa kur një rrezik i vërdalliset si hije, gjithë shoqëria vihet në alarm.

Dikur, nga tejzgjatja e vuajteve, derisa Perëndimi u bind se zgjidhja do të bëhej me  bombardim, Kosova nuk kishte guxuar ta besonte sulmin as si ëndër. Por atëherë kishte diçka madhështore:  askush nuk mendonte ndryshe, të gjithë ishin të bashkuar rreth çlirimit dhe pavarësisë.  Këtë herë më e vështira nuk është vetëm te Serbia. Rreziku është shfaqur edhe nga brenda Kosovës: presidenti i vendit e sheh zgjidhjen me copëtim të territorit! Kështu po shkohet te ato që po emërtohen bisedime. Të mëparshmet thirreshin dialog. Shkallëzimi diplomatik me terma  gjuhësorë synon të bëjë ndarjen në dy pjesë kohore dhe përmbajtësore. Por ajo që pritet të ndodhë është një ndeshje.

Futbolli është përballja në fushën e  blertë e dy palëve - dy skuadra - dhe nuk tingëllon pa kuptim në shqipe përdorimi për të i fjalës ndeshje. Pjesë me rol të pazevendësueshëm janë dhe tre gjyqtarët, të cilët kanë shumë në dorë për përfundimin e një ballafaqimi. Mund të sillen shembuj e statistika se si gjyqtarë kanë ndikuar në rezultat. Si FIFA dhe UEFA i kushtojnë vëmendje caktimit të tyre për gjykim duke vështruar edhe histori të mëparshme. Gjyqtarët kur dalin në fushë, duhet të jenë të paparagjykuar. Nga ky mosbesim ka ndodhur që, për ndeshje të caktura, në Shqipëri janë  kërkuar gjyqtarë të huaj! Ja ku janë përsëri në kohën e dytë të dy palët, e Kosovës dhe e Serbisë. Por Kosova dhe jashtë Kosovës,  pjesën e parë - dialogun - të “arbitruar” nga Federica Mogherini e kanë cilësuar skandaloze.

Të dy palët - edhe Prishtina edhe Beogradi - e dinë çfarë kërkojnë. Ndërmjetësit e mëparshëm  - fillimisht Baronesha Ashton e pasuar nga  Federica Mogherini - nuk e çuan lojën në përfundim. Historia e dështuar me Mogherinin  nuk ka marrë fund. Ndërmjetësimi  prej saj la pas situatë të rrezikshme, me devijimin e zgjidhjes me çështje territoresh. Pikërisht kur po kërkohet përfundimi i kohës së dytë dhe të krejt përballjes Kosovë - Serbi, janë thirruar të tjera figura për të ndërmjetësuar. Shqiptarët, që kanë bërë kompromiset më të mëdha, për pavarësinë dhe në respekt të aleatëve të mëdhenj, po ndodh të përjetojnë drojën e një vërshëllime bilbili, si  një penallti në sekondën e fundit: ndarja e Kosovës, bosnjëzimi i saj dhe amnistia e krimeve si zgjidhje!

A është e drejtë të paragjykohen tri figurat e rëndësishme, ndërsa fantazma e cenimit të sovranitetit territorial dyshohet të zbresë mbi tavolinën? Shqiptarët janë bërë dyshues, që atëherë kur Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme në BE erdhi  Josep Borrell. Borrell është spanjoll, ka qenë ministër i jashtëm i Spanjës dhe Spanja është vendi më i fuqishëm i pesëshes që ka penguar njohjen e pavarësisë nga BE, edhe pas kaq shumë vitesh. Borrell nuk është vetëm spanjoll, së pari është katalanas. Katalonja e tij këmbëngul për t’u pavarësuar nga Spanja, duke i shkaktuar Madridit dhimbje të fortë kreje. Por Borrel është kundër pavarësisë së Katalonjës dhe ka theksuar se idea për pavarësi është ndërtuar mbi mit. Në Beograd ka qenë shprehur se është kundër “shpalljes së njëanshme” të pavarësisë nga Kosova. Spanja ka qenë kundër deklaratës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa në prag të Samitit të Zagrebit, Madridi deklaroi se nuk do të marrë pjesë nëse Kosova do të cilësohet shtet. Për t’u kapërcyer ky kushtëzim spanjoll, të gjithë përfaqësuesit e shteteve  u paraqiten pa simbolin kombëtar. Edhe pse Borrel përfaqëson dhe zbaton politikat e BE lidhur me bisedimet Kosovë - Serbi, në Kosovë janë mjaft dyshues mbi rolin i tij, megjithse ai ka kryer një lëvizjeje taktike krahasuar me Federica Mogherinin: nuk është përfshirë në ndërmjetësim të drejtpërdrejtë. Por këto ditë përsëriti formulën tashmë të njohur se nuk do të ishte kundër korrigjimit të kufirit nëse palët do të jenë dakort, se “BE nuk mund të jetë më katolik se Papa”, tha. Por Borrell a e di se presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti Aleksandar Vuçiç nuk janë Papë të sovranitetit të Kosovës? Me deklarimin më të fundit, është e vështirë që shqiptarëve t’u hiqet mosbesimi ndaj Josep Borrell.

Ndërmjetës i BE është sllovaku Vladimir Lajçak. Edhe pse ky do të zbatojë politikën e Brukselit për çështjen, gjithashtu paragjykohet ngaqë ka qenë ministër i jashtëm i Sllovakisë dhe Sllovakia, përveç se nuk e njeh Kosovën, Bratislava ka mbajtur qëndrime zyrtare e shprehur deklarata spektakolare në mbështetje të Serbisë. Përveç kësaj, sipas mediave, Lajçak ka veprimtari të mëparshme diplomatike në Beograd dhe në mbështetje të Serbisë, pa bërë fjalë për shkollim thelbësor në Rusi, çka u sjell shqiptarëve ndjenjën e dyshimit se ndikimi i qendrimeve ruse ndaj zgjidhjes mund të shprehet. Por në Kosovë ka pasur dy qëndrime: njëri nga zyra e Presidentit Thaçi, se nuk do të bashkëpunojë me Lajçak si ndërmjetës, kurse tjetri krah është mbështetës - dukshëm diplomatikisht - që më shumë ngjan të jetë shprehje e konfliktit politik Kurti -Thaçi. Përfundimi i bisedimeve do t’i bindë shqiptarët nëse e kanë paragjykuar Lajçak drejtësisht apo padrejtësisht.

I treti, por jo për nga rëndësia, është amerikani Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Tramp, që në mënyrë energjike dhe të shpejt kërkon arritjen e marrëveshjes Serbi-Kosova, duke i paraprirë kësaj dhe lavdëruar marrëveshjet e nënshkruara shpejt për fluturimet ajore, qarkullimin hekurudhor e rrugor. Mënyra e arritjes së tyre ishte vetëtimë dhe nuk u mor vesh si ndodhën. Tani Grenell kërkon që, po aq shpejt të përfundojnë bisedimet dhe të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve. SHBA është shteti për të cilin Kosova betohet, mban titullin e çlirimtarit dhe i mbetet mirënjohëse përjetësisht, megjithkëtë ndaj Richard Grenell janë krijuar paragjykime, duke dyshuar se ai është më shumë i përfshirë në arritjen e një marrëveshje të shpejtë se sa për përmbajtjen, ndërsa shqiptarët janë të preokupuar për përmbajtjen  se sa për shpejtësinë. Grenell ka deklaruar më shumë se një herë që nuk ka folur për shkëmbim territoresh, nuk ka parë një plan, madje “nuk mendon se është ide e mirë”. Por, përveç që  ai nuk ka thënë nëse ky plan ekziston ose  jo, kur dihet që treshja Vuçiç - Thaçi - Mogherini kanë investuar kohë, diplomaci dhe fjalime për të, nga politika amerikane është thënë se SHBA do të mbështesin zgjidhjen që e pranojnë të dy palët. Qeveria Kurti mund të provohej të ishte qeverisje e keqe, edhe pse koalicioni më i madh, por u rrëzua në kohën e tri absurditeteve: e para, kur gjithë qeveritë e shteteve të botës po merren veç me COVID-19; e dyta,  u rrëzua vetëm pas 51 ditësh kur dihet që 51 ditë në 1460 ditë të mandatit të plotë të një qeverisje janë sa për të mësuar adresat, zyrat dhe titullarët e institucioneve; e treta, ajo ishte një qeverisje ende pa veprime të ndëshkueshme . Dhe për këtë ka pasur deklarime në Kosovë dhe jashtë Kosovës, se Richard Grenell ka qënë i përfshirë, edhe duke kërkuar prerë: brenda javës të hiqet reciprociteti! Mirëpo reciprociteti është një marrëdhënie universale e gjithëkohshme, deri te ato njerëzore ndërmjet individëve: të them mirëmëngjes, më thuaj mirëmëngjes! Serbia, bashkë me mosnjohjen e pavarësisë,  nuk e njeh as reciprocitetin si sjellje ndaj Kosovës: ajo do ndarjen e saj, bosnjëzimin dhe përfitimin e rreth 500 milonë dollarëve për çdo vit duke shituar mallëra atje. Populli i Kosovës gjykon beson se i dërguari i Donald Tramp, diplomati Grenell  do t’i mbetet besnik linjës së njohur amerikane të mbrojtjes se sovranitetit të vendit.

Kështu do të nisin bisedimet Kosovë - Serbi me datë ende të pacaktuar, të cilat quhen bisedime, si ndryshim nga të mëparshmet që u emërtuan dialog. Koha e dytë e kësaj beteje do të jetë tejet e vështirë, prej të cilës Kosova përveç se e çliruar dhe e pavarur nuk lejon t’i cenohet territori; nuk pajtohet me bosnjëzimin për hir të pakicës serbe e cila është një pakicë klasike për nga numri i vogël i popullsisë;  dhe nuk mund të amnistohen krimet.

Kosova si viktimë lufte ushpëtua në sekondën e fundit. Vrasësi ishte Serbia.

Kosova të mos bëhet viktimë paqe në sekondën e fundit. Problem ka mbetur Serbia.

Modifikuar më Premte, 08 May 2020 16:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...