Themeluesi i PS: Qeveria ‘Rama’ më e dobëta e kabineteve socialiste pas ’90

E mërkurë, 20 May 2020 15:10

Profesori i Ekonomisë, Sherif Bundo në një shkrim për Panorama.al, ka analizuar qeverisjen e kryeministrit Rama, të cilën e ka quajtur më të dobëtën që kanë patur socialistë pas viteve ’90.

Themeluesi i Partisë Socialiste në analizën e tij të dytë ka përmendur abuzimet e “Rilindjes” , teksa ka përmendur shembullin e Abdyl Frashërin që sipas tij shiti një karvan me florinj për Shqipërinë, ndërsa qeveritarët e sotëm  po shesin pronat publike për florinj.

Nga SHERIF BUNDO 

Menaxhimi i krizave ekonomike varet nga katër faktorë: nga fakti se çfarë gjendje ekonomike ke trashëguar, nga fakti se çfarë vizioni dhe sa i qartë je në atë që dëshiron të bësh, nga fakti se sa i vendosur je të bësh atë që do dhe atë që kërkon publiku dhe nga fakti se çfarë mjetesh dhe instrumentesh përdor për të realizuar qëllimin. Krizat vunë në provë qeverisjen dhe fati e solli që në krye të shumicës qeverisëse, në vendin tonë të ishin socialistët.

Përfaqësimi politik i Partisë Socialiste,
nën nivelin mediokër

Pse ka rënë në nivele kaq të ulëta intelektuale dhe profesionale përfaqësimi politik i Partisë Socialiste? Përse është ulur kaq shumë reputacioni dhe shpresat për Partinë Socialiste? Si ka mundësi që ajo parti që kishte në gjirin e vet, në mënyrë të padiskutueshme, nivelin më të lartë intelektual dhe transformues, kishte energji të pashtershme demokratike dhe transparence, të katandiset në një forcë politike që kur është në qeverisje, ta zhytë vendin në një kaos dhe krizë të paprecedent? U bënë gjashtë vjet që vendi ka qeveri, por vendit i mungon qeverisja.

Nëse nuk kemi aftësinë dhe forcën ta shohim të vërtetën në sy, nuk do të kemi kurrë mundësinë të reformohemi dhe të luajmë rolin e një gjeneratori të fuqishëm që mund të çojmë përpara shoqërinë. A mundet vërtet dhe seriozisht të mendojë qoftë edhe një shqiptar i vetëm, që për gjendjen aktuale të vendit në këto vitet e fundit nuk e kanë fajin ata që qeverisin, por ata që qeverisen? Janë disa pyetje që shqetësojnë çdo socialist të ndershëm, të thjeshtë dhe që është i çliruar dhe i zhveshur nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë ndaj halleve dhe listës së gjatë të problematikave infinit të krijuara në këto gjashtë vite qeverisje.

Shoh politikanë dhe drejtues të lartë politikë me diskutime të rrafshëta, si trotuaret e rrugëve, ku qarkullojnë mendime dosido, të varfra në ide dhe që mbartin vulgaritet dhe mungesë serioziteti, që ngjajnë më shumë me fjalorin e fëmijëve të lagjes, sesa të një njeriu serioz. Politikani presupozohet se është njeri serioz, që e njeh jetën mbarë e prapë dhe ulet mbi të këmbëkryq pa u shqetësuar, por kur është i bindur së është duke i shërbyer interesit publik.

Në të kundërt, gjumin nuk e bën dot të qetë asnjë ditë dhe gjithë jetën. Dhe kështu duhet të ndodhë! Dobësia për të majtën dhe lidhjet e forta me të dhe me shumë personalitete të shquara të saj, nuk më pengojnë të bëj analiza objektive, të thelluara dhe të ndërtoj qëndrime të forta kritike, apo të kuptoj hendekun e madh të krijuar midis të majtës së vërtetë dhe demagogjive të ashtuquajtura të majta. Kur kuptoj se politikanët e së majtës në pushtet e përdorin pozitën e tyre vetëm dhe vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe të familjeve të tyre, më kap trishtimi. Nuk ka vend për idealizëm ideologjik, por nuk duhet lejuar të kultivohet as vetëm egoizmi ekstrem material.

Ndaj shqetësimeve të shprehura më lart, brenda Partisë Socialiste, te socialistët e vërtetë, ka në mënyrë pothuaj të plotë një qëndrim që është sa i qartë, aq edhe gjithëpërfshirës: Partia Socialiste nuk e meriton të ndëshkohet në këtë mënyrë. Ajo nuk meriton të katandiset në këtë nivel mediokër përfaqësimi dhe nuk është vërtet ky perceptimi dhe as potenciali për aftësitë qeverisëse të kësaj partie të majtë, që në vetvete mbart energji dhe forcë të pashtershme demokratike, transformuese dhe qeverisëse. Por, përse kemi mbërritur në këtë situatë? Po përpiqem të shpjegohem shkurt:

Filozofia e aplikuar nga lidershipi i PS-së që në kohën e ardhjes në pushtet, se do t’i marrim qeverisë së djathtë “të fortët” dhe me ta do të marrim pushtetin, ishte një filozofi e destinuar të dështonte. Pushtetin ta jep elektorati me votë dhe jo të fortët. Nuk ka nevojë të lodhemi shumë për të sjellë fakte dhe argumente për këtë të vërtetë. Në legjislaturën e kaluar, një numër i madh deputetësh ishin me prejardhje nga një e kaluar e errët dhe biznesi jotransparent, nga të cilët 36 deputetë me rekorde kriminale. Në këtë legjislaturë, mbi 12 deputetë të tillë dhe së fundi, opozita dhe shoqëria civile kanë reklamuar para do kohe një listë me 27 emra të tjerë.

Po t’i shtosh listës edhe drejtuesit e zgjedhur lokalë, një pjesë të inkriminuar dhe me rekorde të tilla, të krijohet përshtypja që dora është futur në llumin e shoqërisë për të zgjedhur përfaqësuesit politikë të së majtës në pushtet. Rastet e kryetarëve të bashkive Shkodër dhe Vorë janë fare skandaloze. Por, problemi qenka shumë më i gjerë se kaq. Akuzat e opozitës rezultojnë të vërteta, për fat të keq. Po pse nuk ka forcë dhe aftësi vetëkorrigjuese Partia Socialiste, por duhet të presë ta korrigjojë duke e sulmuar opozita, që vetë është problematike? Vërtet nuk ka potenciale të pastra dhe me moral të shëndoshë Partia Socialiste e Shqipërisë?

Kjo parti, forumet drejtuese dhe grupet parlamentare të së cilës kanë qenë model i ndershmërisë dhe i profesionalizmit, nuk ka aftësinë të gjenerojë dhe propozojë djem dhe vajza të afta, të pastër dhe të paimplikuar në qeverisje? Asnjë socialist nuk është dakord se burimet njerëzore të Partisë Socialiste kanë shteruar. Po atëherë, çfarë ka shteruar? Ka degjeneruar filozofia e drejtimit të saj. Kanë humbur lidhjet shpirtërore midis socialistëve të vërtetë dhe ato janë zëvendësuar me lidhje interesi, me lidhje mafioze, me lidhje farefisnore, me lidhje të forta njerëzish të paaftë. Ka ndryshuar sistemi i vlerave dhe i vendimmarrjes. Realisht, janë përjashtuar nga vendimmarrjet forumet dhe strukturat e saj. PS është një lumë i fuqishëm burimi intelektual dhe profesional. Partia Socialiste sot dhe qeverisja e saj ndihet larg, shumë larg botës intelektuale dhe akademike. Duket sikur bota politike aktuale ka një lloj fobie apo kompleksi inferioriteti nga bota akademike dhe intelektuale. Ndryshe nuk kam si ta shpjegoj atë fjalor të rëndomtë, derdhur lumë mbi artistët, mbi gazetarët, mbi politikanët, mbi studentët, mbi pedagogët, mbi akademikët dhe, edhe mbi kolegët e partnerët.

Parlamenti fallco dhe deputetët e kthyer në lolo. Nuk ka një shqiptar që ka besim te këta ligjëvënës. Atëherë, unë pyes: kujt i shërben kjo klimë? Kujt i vlen kjo politikë? Kush e krijoi këtë kontekst politik? Gjykatat e bllokuara dhe pushteti vendor jashtë funksioni. Shkurt gjithë shoqëria në kolaps. Të mos harrojmë, një situatë e tillë mbas një goditje të fortë prej dy krizave shkatërruese.

Ndihem shumë i dëshpëruar kur shkruaj kështu. I dëshpëruar, sepse si ekonomist dhe financier prisja të krijoheshin shtabe me profesionistë dhe ekspertë të fushës. Prisja që vendi të thërriste në ndihmë kulturën dhe eksperiencën e djemve dhe vajzave të talentuara që kanë rritur nënat shqiptare. Prisja që brezi i mesëm 35-50-vjeçar i studentëve të ekselencës, që njoh me dhjetëra e dhjetëra, që na kanë zbukuruar auditorët dhe kanë shtuar inteligjencën profesionale, të viheshin në punë. Mbi shpatullat e këtij brezi të talentuar prisja vërtet që të binte barra e përgjegjësisë për vendin. Prisja që idetë dhe platformat për rimëkëmbjen e ekonomisë nga krizat të merrnin jetë.

Prisja të gjeneroheshin skemat e kreditimit, të aplikoheshin procedura lehtësuese, të anashkalohej rënia në batakun e menaxhimit të emergjencave dhe të fokusoheshim te perspektiva, te vizioni dhe kuraja, tek iniciativat dhe politikat fiskale inkurajuese. Prisja shumë. Por jam zhgënjyer dhe zhgënjimi është shkalla më e lartë e dëshpërimit njerëzor.

MOS E SHPËRDORONI EMRIN DHE FRYMËN E RILINDJES SË VËRTETË

Si për ironi të fatit, profili qeverisës dhe filozofia politike që dëshironte të implementonte grupi që qeveris vendin qysh prej gjashtë-shtatë vitesh, është vetemërtuar me termin ‘Rilindje’. Një term i përdorur me nivel të lartë inflacionist në vitet e para dhe që duket hapur se sot nuk është më term i pëlqyeshëm as për vetë autorët. Pse e braktisi grupi qeverisës termin Rilindje? Kuptoi që dështoi? Kjo do të ishte një shenjë e mirë reflektimi. Por, a ka ndodhur vërtet kështu? Çfarë rilindi në këto gjashtë vite? Personalisht, në dy vitet e para të qeverisjes kam bërë publikisht avokatin e qeverisë. Kam kërkuar ta lënë qeverinë të punojë, në mënyrë që filozofia e saj të lexohej nëpërmjet punës dhe veprimtarisë konkrete. Po kështu, në këta tre muaj të krizës së pandemisë kam botuar shkrime me ide dhe propozime për atë se si mendoj unë që ekonomia të rimëkëmbet dhe ridinamizohet. Kështu duhet sjellë me çdo lloj qeverisjeje, i duhet lënë në dispozicion një minimum kohe për ta testuar nga veprimet. Por, në vëmendjen dhe koshiencën time peshojnë shumë dështimet. Dështimi më i madh është zhgënjimi i plotë, i gjithanshëm, i shpejtë dhe i frikshëm. Është thyer besimi dhe besimi është gjithçka. Njerëzit e thjeshtë thonë me gojën plot se nuk shohin optimizëm. Kjo qeveri dhe kjo qeverisje nuk më rezulton aspak më e mirë se qeveria e mëparshme që ajo zëvendësoi, edhe pse ajo u konsiderua e dështuar. Përkundrazi, dhe këtë e them me bindje të plotë dhe me argumente, në kushtet e një krahasueshmërie relative dhe konkrete, kjo është qeveria dhe qeverisja më e dobët e të gjitha qeverive socialiste të periudhës postkomuniste. Po, kjo qeveri nuk është as në nivelin e qeverive të kryeministrave socialistë të stabilitetit të vitit 1991-1992 dhe të qeverisë tremujore të pajtimit kombëtar të vitit 1997. Në periudhë kohore shumë të shkurtër, ato dhanë kontribute historike. Ato pajtuan, sot jemi tmerrësisht të përçarë dhe pa asnjë shpresë. Sot jemi me struktura dhe institucione të shkatërruara dhe jofunksionale. Çfarë rilindi në këto vite të qeverisjes së socialistëve? Rilindi voluntarizmi dhe u kthye në filozofi qeverisëse, sipas vullneteve individuale të një njeriu të vetëm. Vullnetet individuale që kthehen në ligje dhe ligje që nuk reflektojnë nevojën e shumicës së popullsisë. Rilindja e drogës dhe trafikut të narkotikëve ka qenë e frikshme. Nga Lazarati u shpërnda në të gjithë vendin. Rikthimi i vrullshëm, njëkohësisht i frikshëm, i braktisjes së vendit është një shqetësim që s’ka të sosur. Kjo është e dhimbshme dhe një sëmundje e frikshme, që siç duket nuk po kurohet dhe që ka prekur pjesën më vitale të vendit, rininë.

Rilindje dhe ringritje në një nivel stratosferik të fenomenit të korrupsionit. Në fushën e korrupsionit, duket sikur kjo qeveri ka vendosur rekorde. Vërtet, sa ironike tingëllon krahasimi dhe përdorimi shpërdorues i termit Rilindje! Abdyl Frashëri shiti një karvan flori për të bërë Shqipërinë. Këta qeveritarë kanë shitur pronat publike për të bërë karvanë me florinj. Madje, qeveria e tanishme e vetëquajtur rilindje nuk denjoi as ta përfshinte Frashërin, këtë fshat me vlera të mëdha patriotike, atdhetare, kulturore dhe turistike, në listën e 100 fshatrave turistike. Me siguri, po qe se dikush afër oborreve qeverisëse do ishte me origjinë nga Frashëri, apo nga Dangëllia dhe po qe se do të kishte blerë troje dhe toka në Frashër, apo në Bredhin e Hotovës, do ishte ndryshe edhe vendimmarrja për Frashërin. Sigurisht që për Frashërin do të ketë një qeveri tjetër, e majtë ose e djathtë qoftë, që do ta ngrejë në piedestalin që i ka rezervuar fati, roli dhe historia këtij fshati të shquar, por pse të mos ishte kjo qeveri që është vetëquajtur ‘Rilindje’ dhe që ka kopjuar diçka, qoftë edhe në formë, nga Frashëri? Pse të mos e bënin socialistët këtë vendim të shumëpritur?

Me koncesionet që vetë i kritikuan aq ashpër, kanë abuzuar më shumë. Nuk ka nevojë asnjë qytetar i madh apo i vogël për fakte. Ato i gjen përditë në media, në tenderët e frikshëm me prokurim të drejtpërdrejtë, me ofertë të pakërkuar, në koncesionet dhe partneritetet private dhe publike, në dominimin dhe kthimin e qeverisë në shërbëtore servile të një grupi të vogël oligarkësh të mëdhenj, për kushtet e vendit tonë. Rilindi fenomeni i shkatërrimit të administratës publike dhe të meritokracisë. Rilindi partitokracia, fenomen tipik i pasluftës Nacionalçlirimtare.

PËR TË KONKLUDUAR

Fenomene të tilla tregojnë për varrosje të virtyteve njerëzore dhe të koncepteve bazë të demokracisë, që e shtyjnë shoqërinë përpara. Demokracia nuk është vetëm një formë qeverisjeje, por është një sistem vlerash, një mënyrë jetese e lidhur fort me traditën, me vlerat morale, me forcën e opinionit dhe me energjitë e edukatës njerëzore. Jo, socialistët nuk e meritojnë të mbajnë barrën e përgjegjësisë të fenomeneve të tilla. Nëse kjo është një strategji për të goditur dhe shkatërruar të majtën, kjo nuk duhet lejuar. Ka ndodhur shpesh që klika të hequra si të majta, kanë uzurpuar dhe shkatërruar idetë e majta dhe forcat politike të majta. E majta është duke përjetuar një krizë identiteti dhe alternativash. Kjo është përgjegjësi e madhe dhe këtë barrë duhet ta mbajë tufa e të paaftëve dhe njerëzve mediokër, të veshur me pushtet, që për shkak të forcës me të cilën shtrëngojnë lugën e përftimit nga pushteti dhe pushtetet, ulin kokën dhe ndjekin barinjtë e tyre në vathën e korrupsionit, mjafton që korita në të cilën i çojnë ata të ketë tagji dhe ujë për të jetuar dhe për t’u dhjamosur.

Modifikuar më E mërkurë, 20 May 2020 15:14
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...