Çfarë i shqetëson ambasadorët në Tiranë

E mërkurë, 24 Prill 2024 17:15
Nga Armand Shkullaku
 

Qëndrimi aspak proporcional i disa ambasadorëve, mes batërdisë që ka ndodhur në bashkinë e Tiranës dhe disa tymueseve në dyert e saj, ka ngjallur një reagim të fortë tek ajo pjesë e qytetarëve që refuzojnë dhunën dhe korrupsionin e pushtetit. Reagim që ngërthente brenda dëshpërimin, zhgënjimin, revoltën. Përballë korrupsionit tronditës dhe unikal në Europë, a duhet të ishin ca shishe me benzinë shqetësimi më i madh i ambasadorëve të jashtëzakonshëm e fuqiplotë?

Pavarësisht ndjenjës së përzier që shkakton qëndrimi i ambasadorëve, ai është në vazhdën e shërbimit ndaj pushtetit të Tiranës. E vetmja e veçantë këtë herë kishte të bënte me faktin se ashtuquajtura dhunë ishte aq e papërfillshme sa nuk e justifikonte shkallën e reagimit dhe koordinimit të menjëherëshme të përfaqësive të SHBA, BE e Mbretërisë së Bashkuar. E drejta e protestuesve prevalonte për së largu mbi shqetësimin për “dhunë”. Atëherë pse iu dha kaq rëndësi një ngjarje minore, ndërkohë që korrupsioni në bashki rezulton në shkallë sipërore?

I vetmi shpjegim mund të jetë ai se ambasadorët, të paqtuar në ujërat e ndenjura të Rilindjes, i druhen prishjes së një statuskoje ku vegjetojnë mes burokracisë dhe dolce vita-s në raport me pushtetin e Tiranës. Ata nuk i shqetëson ajo dhunë, që në vendet e tyre as do të mbahej shënim, por ideja se një rritje e protestave mund të krijonte një situatë të re për të cilën as nuk janë dhe as nuk duan të jenë të përgatitur. 

Të mësuar me një pushtet të gjatë, që garanton stabilitet duke asgjesuar demokracinë, me një opozitë që nuk po shfaq shenja fuqie për ta lëkundur regjimin e Tiranës dhe me një shoqëri civile të tredhur, ambasadorët, ashtu si një pjesë e madhe e shqiptarëve, duket se janë përshtatur me banalitetit e së keqes. Disa nga dembelizmi e disa nga privilegjet, kanë preferuar të mbyllin sytë e veshët ndaj rrënimit të demokracisë në Shqipëri, që po i dërgon qindra mijë shqiptarë në vendet që ata përfaqësojnë. Më keq akoma, po i kthen në avokatë të pushtetit, në një nivel që nuk e kemi hasur kurrë në këto 30 vite.

Pra, kush ka pritur një qëndrim ndryshe nga ai i dënimit të “dhunës”, nuk ka kuptuar se shqetësimi i vërtetë i ambasadorëve është të mos prishet statuskuoja e stabilitetit dhe jo korrupsioni që i nxorri njerëzit para dyerve të bashkisë. A nuk janë të njëjtën që ndonëse vetë BE e kritikoi ligjin special “Fusha”, nuk nxorrën asnjë zë në sinkron me opionion vendas e ndërkombëtar? Janë po këta ambasadorë që u tronditën nga ca vezë mbi muret e bashkisë dhe heshtën për turp kur u shemb teatri kombëtar dhe u dhunuan aktivistët pro tij.

A kanë folur ndonjëherë për gazin lotsjellës mbi qytetarët, kur vetë vendet e tyre e kanë dënuar përdorimin e tij në konventat europiane? A janë dëgjuar qoftë dhe një herë të shqetësohen për kërcënimet ndaj gazetarëve, ndonëse edhe Gjykata e Strasburgut i ka marrë në mbrojte nga pushteti i Edi Ramës? Konformimi i tyre me regjimin e Tiranës ka arritur në atë shkallë sa, kur nuk flasin për ngjarje të tilla flagrante, as mund të imagjinohet të mbajnë qëndrim për censurën e mungesën e transparencës që manifestohet në kronikat e gatshme ku dhe ata vetë shfaqen me lopatë në dorë duke mbjellë ndonjë pemë. Aq më pak për përdorimin e administratës e fondeve publike në fushata elektorale, abuzimin skandaloz me fondet e taksapaguesve europianë si në rastin e rindërtimit apo ndihmës për fermerët. Ambasadorët kanë kohë që e kanë ulur kokën edhe kur Rama iu sulmon SPAK-un apo iu gris marrëveshjet si ajo e 5 qershorit, kur ndryshoi sipas qejfit kodin zgjedhor për të mbajtur me çdo çmim pushtetin.

Qëndrimi i ambasadorëve nuk do të ndryshojë përsa kohë pushteti i Tiranës garanton të ashtuquajturin stabilitet dhe opozita nuk ka forcën për ta krisur atë. Nëse protestuesit do të hynin në bashki apo do ta rrethonin atë duke u ngujuar aty, nëse do të ishin shumë më tepër në numër dhe do nxisnin revoltë kudo ku ka padrejtësi, ambasadorët do të detyroheshin, me dhimbje, ta prishnin rehatinë rilindase. Në vend të dënimit të dhunës, do të flisnin për kompromis, për negociata, për zgjidhje të krizës, për përgjegjësi dypalëshe etj. Deri tani ndihen të sigurtë nën ombrellën e Ramës, se ngjarje të tilla janë larg së ndodhuri dhe bëjnë çmos edhe vetë që t’i largojnë sa më shumë. Prandaj njëzëri u shqetësuan për “dhunën” dhe jo krimin në bashkinë e Tiranës. Ata nuk kanë arsye ta prishin rehatinë, përsa kohë vetë shqiptarët po e kërkojnë atë në vendet e tyre.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Duhet fitore, por mund të mjaftojë edhe barazimi me Spanjën. Mësoni të gjithë skenarët dhe kombinimet e rezultateve për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë

Sport

Duhet fitore, por mund të mjaftojë edhe barazimi me Spanjën. Mësoni të gjithë skenarët dhe kombinimet e rezultateve për kualifikimin e mundshëm të Shqipërisë

      Shqipëria luan këtë të hënën ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj. Kuqezinjtë përballen në Euro 2024 në sfidën e tretë në grup me Spanjën e kualifikuar, duke...

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Sport

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Ky është Europian rekordesh për shqiptarët.   Kur ishte menduar se si zakonisht, rekordin për konsumin e birrave do e shënonin anglezët apo skocezët, panorama ka ndryshuar.     Sipas gazetës gjermane, Waltroper Zeitung, kampionët...

Ekspertja: Pse SPAK nuk ndjek paranë e kompanive që ka hetuar, pse nuk bllokon ‘5D’

Politikë

Ekspertja: Pse SPAK nuk ndjek paranë e kompanive që ka hetuar, pse nuk bllokon ‘5D’

  Ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj ka folur në lidhje me skandalin e inceneratorëve se kush pritet të digjet tani. Gjatë bisedës, Shehaj tha se SPAK nuk po ndjek paranë e kompanive...