Ai i quan shqiptarët banditë, ti i thua mik

Tuesday, 14 May 2019 14:40
Nga Enver ROBELLI

 

Kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka mendim të qartë për shqiptarët e Kosovës. Ata i quan banditë, kretenë (nga frëngjishtja: crétin: kokëbosh), i krahason me indianët mesjetarë të Amerikës, domethënë racë e ulët. Ministri i tij i Mbrojtjes shqiptarëve u drejtohet vetëm me «šiptari», një fjalë përbuzëse siç është «Nigger» për njerëz të racës së zezë. Me deklaratat raciste të Vuçiqit dhe shërbëtorëve të tij do të mund të mbushej një libër i vëllimshëm. Mediat e kontrolluara nga Vuçiqi çdo ditë nxisin urrejtje ndaj shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë, me sa duket, ka mendim të qartë për Aleksandër Vuçiqin. Në një intervistë për televizionin e Vuçiqit «Pink» Edi Rama tha se ka pasur probleme për shkak se ka marrëdhënie normale me kryetarin e Serbisë dhe për shkak se disa herë e ka quajtur mik. Është e kuptueshme që politikanët në komunikimet e tyre publike duhet të jenë më të kujdesshëm se si flasin. Edi Rama nuk mund ta quajë kriminel Vuçiqin për shkak të etiketës diplomatike, por kur kryetari serb përdorë fjalët më të ndyra e më raciste ndaj shqiptarëve, kryeministri i Shqipërisë nuk duhet ta quajë mik. Këtu nuk duhet të ketë vend për kortezi.

Edi Rama e quan mik, sepse ndoshta mendon se kjo është sjellje kinse europiane. Jo, është sjellje e papërgjegjshme, inferiore. Nuk jemi në vitin 1945, kur shqiptarët i përfaqësonte Koçi Xoxe. Inferioriteti i Ramës u vërejt disa herë gjatë intervistës. Gazetarja serbe flet për «institucionet e përkohshme të Kosovës dhe Metohisë», të cilat kanë marrë vendim për tarifa ndëshkuese kundër mallrave nga «uža Srbija», nga Serbia e brendshme. Me këtë gazetarja sugjeron se Kosova është pjesë e Serbisë. Ajo mund ta thotë këtë gjatë gjithë intervistës, por kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë në gjendje të kundërshtojë propagandën serbe.

Duket se Edi Rama ka këshilltarë të dobët ose nuk ka fare këshilltarë. Rama mund të jetë brilant, sepse është i bekuar me shumë talente, por nonshalanca, neglizhenca, arroganca, refuzimi për të dëgjuar kritikat, ofendimi i të tjerëve e kanë shndërruar në politikan që përgjigjet me stihi dhe shpesh pa përmbajtje. Ballafaqimi me Serbinë nuk mund të zhvillohet me retorikë të galerive të artit, por me fakte, me dije për historinë dhe zhvillimet politike në rajon në dekadat e fundit.

Kjo intervistë kishte pak momente të fuqishme. Për shembull kur Edi Rama përmendi krimet serbe në Kosovë, krime «me karakter gjenocidi», kur nënvizoi se Kosova është e pavarur. Por këto janë gjëra të pritshme, në fund të fundit. Për fat të keq Edi Rama e humbi rastin të denoncojë fushatën e nacionalistëve serbë kundër bukëpjekësve shqiptarë në Serbi. Tha se ka dëgjuar që është dëbuar një bukëpjekës për shkak se ka bërë shqiponjën. Gazetarja kundërshtoi duke thënë jo, nuk është dëbuar, vazhdon të punojë. E po mirë, pak a shumë kështu reagoi Rama.

Situata është më dramatike dhe për këtë duhej të fliste Edi Rama. Nëse nacionalistët rrethojnë një furrë buke, ia vendosin pronarit shqiptar dy koka derri mbi veturë, nëse policia qëndron indiferente dhe nëse regjimi i Vuçiqit hesht, nëse mediat kriminale serbe u bëjnë apel lexuesve të përpilojnë lista të bukëpjekësve shqiptarë, atëherë duhet të ketë një reagim serioz të palës shqiptare – në Tiranë dhe në Prishtinë. Pse kjo heshtje?

Heshtje ndaj Serbisë që ka shkaktuar katër luftëra në Ballkan në çerekshekullin e fundit. Që vazhdon të destabilizojë Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi, që ka qenë pjesë e agjendës ruse për të shkaktuar tensione në Maqedoni, që mohon krimet e kryera në Kosovë, që u boton «komplete veprash» kriminelëve të luftës, që organizon parada kërcënuese ushtarake afër Kosovës dhe me gjeneralin Vladimir Llazareviq, të dënuar për krime lufte në Kosovë, shënon 9 majin, ditën e fitores kundër fashizmit. Serbia është mbase i vetmi vend në Europë që ditën e fitores kundër fashizmit e feston me një fashist. Do të duhej të kishin shqiptarët politikanë të tjerë, që të vërtetën nuk e sakrifikojnë në altarin e interesave të përditshme dhe afatshkurtra për pushtet.

Nuk mund të kalohet asnjë ballafaqim me opinionin serb pa i përmendur 900 kufoma që forcat serbe i kanë bartur nga Kosova në Serbi – disa i kanë hedhur në një gropë në poligonin e policisë në Batajnicë, disa në Danub dhe lokacione të tjera. Vetëm në Batajnicë janë gjetur trupat e mbi 700 shqiptarëve, mes tyre 75 fëmijë. Shifrat janë abstrakte, por pas shifrave fshihen tragjedi njerëzore. Fatime Kelmendi tregon se kur kanë arritur në fshatin Tërstenik forcat serbe vranë djalin e saj të moshës një vit e gjysmë. Prej 5 anëtarëve të vrarë të familjes Kelmendi, tre u gjetën në Batajnicë. Gati dy dekada më vonë asnjë shenjë nuk tregon se aty është zbuluar varri më i madh masiv në Serbi. Është ndërtuar një kishë për policët e njësisë speciale që vazhdojnë të ushtrojnë aty.

Në Batajnicë u gjetën trupat e pajetë të 744 shqiptarëve, në kampin e policisë në Petrovo Sello 61 kufoma, 84 te liqeni Peruçac, 52 në lokalitetin Rudnica. «Po, kam qenë i involvuar kur kamionët me trupa arritën në Batajnicë, por nuk e kam ditur kur, ku dhe në ç’mënyrë janë kryer krimet. Nuk e kam kundërshtuar fshehjen e krimeve», kështu ka deklaruar para Gjykatës së Hagës Vlastimir Gjorgjeviqi, kryeshef për sigurinë publike në Ministrinë e Brendshme të Serbisë më 1999. Askush nga kryerësit e drejtpërdrejtë të krimeve nuk është dënuar deri më sot. Nuk është dënuar askush nga ata që u përpoqën të fshehin gjurmët e krimit.

Këto janë temat për të cilat duhet të flasin politikanët shqiptarë. Por hapja e këtyre temave do të pengonte vëllazërinë mentale mes politikanëve të drejtuar nga oligarkët dhe tajkunët mediatikë, të cilët nuk e kanë problem nëse e fusin edhe Shqipërinë nën ombrellën e ndikimit të Beogradit. Andaj vazhdon maskarada: ai i quan shqiptarët banditë, ti i thua mik.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...