Pak orë parë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votohen në Kuvend, dy përfaqësuesit e opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, dolën në një konferencë për mediat, nga ku hodhën akuza për sjelljen e maxhorancës, që vendosi t’i shkojë deri në fund kësaj nisme pa konsensus.
vasili bylykbashi
Bylykbashi e Vasili, dje gjatë deklaratës
Bylykbashi dhe Vasili e cilësuan këtë vendim të PSsë, si një shpallje hapur të frikës së kryeministrit Rama nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme dhe se gjithashtu përbën një thyerje të rregullave të garës elektorale, në kohën kur kjo e fundit ka nisur. Përtej sfidës se edhe me këto truqe, PS do jetë e humbur në 25 prill, ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh shkelet një rekomandim i OSBE dhe se gjithashtu koalicionet me listë të përbërë janë të mundshëm edhe me listat e hapura.
SHKELJA E REKOMANDIMIT
daljen para medieve, Oerd Bylykbashi nxori në pah edhe një shkelje të rekomandimeve të OSBE që bëhet me Kodin që pritet të miratohet në Kuvend. Është pikërisht pika që ka të bëjë me dhënien e mundësisë për kryetarët e partive që të mund të kandidojnë në 4 rajone të ndryshme.
“Dhënia e të drejtës së kryetarit të partisë që të garojë në shumë se një qark, në 4 qarqe siç është rasti aktual, së pari duhet thënë që është një Pazar i ulët i bërë në parlament për të kaluar këtë që kërkon Edi Rama: heqjen e koalicioneve me listë të përbërë, asgjë tjetër. Nga ana tjetër mashtroi shqiptarët se do të hapte listat e kandidatëve dhe këtë nuk e bëri. Por ajo që duhet theksuar gjithashtu është që ky Pazar për 4 qarqe ku një kryetar mund të kandidojë, bie ndesh drejtpërdrejtë me rekomandimin nr 2, të vitit 2009 për zgjedhjet në Shqipëri i cili godiste një të drejtë të njëjtë që kodi zgjedhor i asaj kohe i jepte kryetarëve të partive të garonin në më shumë se në 1 qark. Në atë kohë ODIHR e konsideroi se kjo ishte në kundërshtim me parimet e barazisë dhe të mos diskriminimit në zgjedhje, e për rrjedhojë Shqipëria duhet ta hiqte”, deklaroi Oerd Bylykbashi.
KOALICIONET
Sa i përket çështjes së koalicioneve parazgjedhore, Bylykbashi u shpreh se ekzistojnë modele që tregojnë se koalicionet me listë të përbërë me lista të hapura, janë të mundshme.
Ai solli para publikut modelin italian, që sipas tij është shumë lehtë i përshtatshëm për Shqipërinë. Sipas përfaqësuesit të PD në Këshillin Politik, ky model ka qenë i ofruar në çdo tryezë të këtij organi ekstra parlamentar.
“Modeli që propozon Partia Socialiste është antikushtetues, koalicionet nuk janë të drejtë që të propozojnë kandidatë. Kushtetuta është në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor në fuqi, me modelin e koalicionit që kemi sot, i cili është model që ekziston, është në fuqi. Koalicioni me listë të përbërë që ka Shqipëria është marrë nga modeli italian dhe sot është në fuqi në Itali, ligji zgjedhor italian. Ju keni Edi Ramën që ka gjithë këto kohë që thotë se “Nuk ekziston askund në Europë ky model”, –”Më jepni një rast të vetëm dhe tërhiqem”.
Ne e kemi marrë nga Italia në vitin 2003, ne e kemi marrë me konsensus në vitin 2003, pra PS-PD e kanë miratuar me konsensus këtë model. Dhe Italia, parlamenti italian e ka miratuar në nëntorin e vitit 2017 ligjin ashtuquajturin ligji “Rosato”, i cili aplikon për zgjedhjet për parlamentin italian, koalicionin me listë të përbërë siç e kemi ne, është sot në fuqi. Që në momentin e parë kur ka nisur debati në Këshillin Politik, por edhe në publik, opozita e ka bërë të qartë: Shqipëria ka marrë këtë model koalicioni dhe është një model koalicioni që garanton një lloj liste të hapur të partive politike, që u garanton zgjedhësve të jenë ata që vendosin me votë sa e fuqishme është një parti ose sa e pafuqishme është një parti. Pra nuk e vendosin koalicionet, nuk e vendosin marrëveshjet e kryetarëve. Nëpërmjet kësaj flete votimi (tregon modelin e fletës) i japin ata fuqinë partive.
Dhe ne që në fillim kemi thënë se ky model është marrë nga Italia dhe sot ju sjellim provën që rrëzon pretendimin e Edi Ramës që ky model nuk ekziston askund. Në Kodin aktual është në fuqi ekzakt modeli që vendi ynë fqinj Italia përdor prej shumë vitesh, por i rikonfirmuar në vitin 2017- të. E përsëris: Në sistemin zgjedhor italian për të gjitha nivelet e votimit, modeli i koalicionit me listë të përbërë përdoret edhe për votim me listë të mbyllur, siç e kemi pasur ne deri dje, edhe në votim me listë të hapur preferenciale siç do ta kemi në zgjedhjet e ardhshme.
Pra, pretendimi që hapja e listës rrëzon koalicionin me listë të përbërë, është zero. Nuk ka asnjë vlerë. Ju do të keni mundësinë të merrni referencat dhe ta dokumentoni këtë falsitet i cili heq edhe pretendimin e fundit në tentativën e Ramës për të ndryshuar rregullat pasi procesi zgjedhor ka filluar”, u shpreh Bylykbashi.
7
Faksimile e fletës së votimit të propozuar nga opozita
SFIDA
Në daljen e tij, ish-deputeti demokrat ka lëshuar edhe një sfidë ndaj maxhorancës, duke thënë se mund të bëjë çdo lloj ndryshimi të rregullave, apo truku për të përfituar sa më shumë vota, por fundin politik në 25 prill 2021, nuk e shmang dot.
“Me votimin e nesërm të bazuar në votimin e njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese, Edi Rama shkatërron pikërisht marrëveshjen e 14 Janarit, shkatërron konsensusin që ndërtoi Këshillin Politik, shkatërron marrëveshjen e 5 Qershorit dhe produktin konsensual të kësaj marrëveshje. Duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në elementë që u dakordësuan në 5 Qershor, u miratuan në aspektin teknik në 30 qershor dhe parlamenti i kaloi dhe i bëri ligj konsensual më datë 23 korrik të këtij viti. Ndërhyrjet e nesërme do të krijojnë konfuzion në mënyrën se si do të funksionoi sistemi zgjedhor dhe e gjithë kjo bëhet vetëm për një qëllim, sesi Edi Rama të reduktojë sa më shumë që të ketë mundësi humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme. Në çdo rast, asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor nuk do të ndalë atë që në 25 prill do të jetë fundi politik i kësaj maxhorance dhe fitorja e opozitës”, tha ish-deputeti demokrat.
VASILI
Ndërsa nënkryetari i LSI, Petrit Vasili tha se ata deputetë që nesër do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të japin llogari për shkelje të Kushtetutës.
“Secili nga ata që voton nesër do të marrë përgjegjësi dhe do të japë llogari për shkelje të kushtetutës. Rama ka në mendjen e tij vetëm 30 qershorin. Rama ka vetëm një hall, nuk do përballje. Çdo përballje me rregulla dhe ku votat numërohen Rama është një dramë. Ne kemi për detyrë që ta shpëtojmë. Sepse pas 25 prillit nuk do të votohet më asgjëkund. Koalicionet dhe listat e hapura vetëm e shëndoshin demokracinë”, tha ndër të tjera Vasili.