“Prindërit e mi kanë qenë arsimtar”, Meta dekoron mësuesen e njohur në Devoll me titullin “Naim Frashëri”

Saturday, 24 October 2020 10:30

 

Presidenti Ilir Meta dekoroi mësuesen e shkollës 9-vjeçare “Selami Kodra” të fshatit Arrëz në Devoll, Luiza Dule (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”. Titulli për mësuesen e ndjerë u dha me motivacionin: “Në vlerësim për mësuesen e paharruar, nënën dhe familjaren model, simbol i përkushtimit të pashembullt në përhapjen e dijes dhe edukimit të brezave të rinj, duke sakrifikuar edhe jetën e saj”.

Meta u ndal në fshatin Miras të Devollit, ku u prit nga Prefekti i Qarkut të Korçës, z.Dhori Spirollari, autoritetet vendore dhe dhjetëra banorë. Me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në Shkollën e Mesme “Nesim Kaçani”, kreu i Shtetit nderoi veprën dhe jetën e mësueses Luiza Dule, e cila humbi jetën në një aksident tragjik në krye të detyrës.

 

Duke iu drejtuar familjarëve të saj, përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor, stafit pedagogjik, nxënësve dhe banorëve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

“Jemi këtu për të nderuar mësuesen e paharruar Luiza Dule, e cila sikurse edhe nxënësit e saj ma shprehën, jeton në zemrat e tyre, sepse i mësoi dhe i edukoi gjatë gjithë viteve të punës së saj me një pasion të jashtëzakonshëm. Të jesh mësues është një mision fisnik, që kërkon përkushtim e sakrificë çdo ditë të jetës. Këtë nuk e them vetëm si President i Republikës, por edhe për një fakt të thjeshtë se të dy prindërit e mi kanë qenë mësues dhe e di shumë mirë se sa shumë jetojnë me shqetësimet e nxënësve të tyre, se sa shumë gëzohen me arritjet e tyre.

 

Është përkushtim për të përhapur dritën e dijes te të gjithë, jo vetëm te fëmijët e tu. Siç ka thënë Luigj Gurakuqi, një nga personalitetet më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe të arsimit tonë: ‘Mësuesi është përhapësi i dritës’. Është sakrificë, sepse mësuesit, veçanërisht në zonat rurale, janë heronj të heshtur, të pazëshëm, që përballen çdo ditë me vështirësi të panumërta, në zona të thella dhe me rreziqe, por që gjithmonë vazhdojnë punën e tyre me pasion dhe me përkushtim.
Mësuesit, të cilët janë prindërit e dytë të të gjithëve, japin frymë nga shpirti i tyre për të edukuar breza të tërë.

Ata ndikojnë në mënyrë të pakthyeshme në jetët e fëmijëve tanë, që në momentin që hyjnë në dyert e shkollës. Dhe ndikimin e tyre shoqëria e ndien përgjatë gjithë kohës. Dashuria që ata na ndezin në zemër për dijen, kulturën, artin, shkencën, historinë apo gjeografinë është një nga dashuritë më të mëdha, që na shoqëron gjatë gjithë jetës sonë, në veçanti dashuria për Atdheun. Mësuesit nxisin, frymëzojnë e motivojnë nxënësit të realizojnë e të tejkalojnë potencialet që ata kanë brenda vetes.
Si misionarë të dijes, mësuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ia kanë dedikuar jetën e tyre frymëzimit dhe fuqizimit të nxënësve të tyre për të arritur gjëra të mëdha në jetë, por mbi të gjitha, për t’u bërë njerëz të mirë.

Shkollat nuk janë thjesht qendra të punësuarish gjatë gjithë jetës, ku mësuesit ndihmojnë nxënësit e tyre të mendojnë e analizojnë në mënyrë kritike, të zgjidhin problematika, të formojnë gjykime dhe të marrin njohuri nga të cilat përfitojnë jo vetë nxënësit, por e gjithë shoqëria jonë. Ato janë shumë më tepër se kaq. Ndaj profesioni fisnik i mësuesit meriton vlerësimin më të lartë nga gjithë shoqëria jonë, sepse mësimdhënia është thelbësore për zhvillimin social, kulturor e ekonomik të vendit, për vetë të ardhmen tonë.

 

Fisnikërinë dhe rëndësinë e madhe të profesionit të mësuesit, rolin e jashtëzakonshëm në edukimin e fëmijëve e kishte bërë pjesë të jetës së saj edhe mësuesja e paharruar Luiza Dule, duke zgjedhur këtë profesion.

Me dashurinë për mësimdhënien dhe nxënësit e saj, ajo kishte zgjedhur të udhëtonte çdo ditë, në diell e në shi, në borë e në vapë përvëluese, për te nxënësit e saj në fshatin Arrzë, në këmbët e malit të Gramozit. Bija e Devollit, nëna e 2 fëmijëve, gruaja e fortë, bujare, modeste, e përkushtuar dhe e emancipuar i donte nxënësit si fëmijët e saj dhe punonte për një të ardhme më të mirë për ta.
Mësuese Luiza u përpoq fort gjatë gjithë punës së saj si mësuese, të sillte ndryshime pozitive në jetën e komunitetit të nxënësve dhe prindërve në këtë zonë të largët, duke iu ofruar dije, kulturë, edukatë dhe mbi të gjitha dashuri.
Në një ditë dhjetori, si çdo ditë, ajo përsëri u nis drejt nxënësve të saj, edhe pse dita ishte e akullt dhe rruga ishte e ngrirë dhe e rrezikshme, dashuria dhe përkushtimi për detyrën, për nxënësit dhe misionin e saj fisnik bënë që ajo të nisej drejt shkollës së saj dhe nxënësve të dashur.
Fatkeqësisht, mësuese Luiza nuk arriti dot as atë ditë dhe as kurrë më, në shkollën e saj, te nxënësit e saj të dashur pasi aksidenti i mori jetën, duke shkaktuar dhimbje e lot te fëmijët, nxënësit, familjarët, kolegët, dhe të gjithë komuniteti.
Vitet do të kalojnë, por emri i mësuese Luizës do të mbetet i përjetshëm në zemrën e nxënësve, që ajo i edukoi dhe i deshi me shpirt, të kolegëve, me të cilët ndante pasionin për misionin fisnik të mësuesit, të fëmijëve, të bashkëshortit e familjarëve të saj, të cilët e kanë mbështetur pa kushte, në zgjedhjet që ajo bëri. Mësuese Luiza është sot një nga dëshmorët e shkollës sonë shqipe dhe të arsimit tonë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën për të mësuar, edukuar, e ndriçuar mendjen e fëmijëve tanë.
Për të dhe për të gjithë mësuesit tanë, të të gjitha kohërave, ne kemi vetëm mirënjohjeje dhe falënderim për përkushtimin, dedikimin, sakrificat dhe vetmohimin e tyre.
Në vlerësim të këtij përkushtimi në edukimin e brezave të rinj, të vetmohimit deri në sakrifikimin e jetës për arsimimin e nxënësve të saj, kam privilegjin të nderoj Luiza Dulen me Titullin e lartë ‘Naim Frashëri’. I përjetshëm qoftë kujtimi i mësueses së paharruar Luiza Dule dhe të gjithë t’i japim një vend më të merituar figurës së mësuesit kudo në Shqipëri dhe sidomos në shoqërinë tonë!”

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Shaqiri: Kryeministri në largim e ka shndërruar Shijakun dhe Durrësin si shesh xhirimi për cirkun dhe propagandën e tij

Politikë

Shaqiri: Kryeministri në largim e ka shndërruar Shijakun dhe Durrësin si shesh xhirimi për cirkun dhe propagandën e tij

  Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës, Bahri Shaqiri deklaron se Kryeministri në largim e ka shndërruar Shijakun dhe Durrësin si shesh xhirimi për cirkun dhe propagandën e tij. “Kryeministri...

Pse nuk duhet neglizhuar prezenca ushtarake në Othonoi

Politikë

Pse nuk duhet neglizhuar prezenca ushtarake në Othonoi

  Në disa gazeta greke dhe shqiptare ka qarkulluar lajmi i bujshëm se “qeveria greke po planifikon të vendosë prezencë ushtarake në Othonoi”, ishull që është i njohur si një referencë...

Mediu takim me strukturat në Laprakë: 25 prilli do të ndajë të mirën nga e keqja

Politikë

Mediu takim me strukturat në Laprakë: 25 prilli do të ndajë të mirën nga e keqja

  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në fjalën e tij gjatë rakimit me strukturat e PR në Laprakë ku theksoi se 25 Prilli është një datë e rëndësishme, sepse do...