Historia e KJ/Ilir Meta në prill 1995: Edhe për 20-30 vjet në Lindje do të drejtojnë ish-komunistët

Saturday, 07 November 2020 09:12

(Botuar më 9 prill 1995 në KOHA JONE)

Intervistë me Nënkryetarin e Partisë Socialiste, Ilir Meta
Sërish në skenë “çështja Nano” me rezolutën e Unionit Ndërparlamentar Botëror. Si e mendoni pas kësaj rezolute perspektivën e lirimit të Nanos? A do të vijë nga brenda apo nga jashtë?
Ilir Meta: “Çështja Nano” do të vazhdojë të qëndrojë në qendër të zhvillimeve politike deri në zgjidhjen e drejtë e përfundimtare të saj, e cila po afron. Por edhe pas zgjidhjes së saj, “Çështja Nano” do të mbetet një eksperiencë e dobishme edhe pse e hidhur, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen ndaj cilitdo. Ne duhet të mësohemi që të respektojmë dhe jo të eliminojmë njëri tjetrin. Demokracinë duhet ta kuptojmë si konkurrim alternativash dhe konsensus të vlerave të tyre më të mira. Përndryshe nuk mund të ketë zhvillim të demokracisë dhe të vlerave demokratike të shoqërisë. Qëndrimi i fundit i Unionit Ndërparlamentar në Madrid ishte një rikonfirmim edhe më i avancuar i mbështetjes që opinioni ndërkombëtar dhe organizma të caktuara kanë dhënë e po japin për zgjidhjen e kësaj çështje kyçe për politikën shqiptare e cila do ti hapte rrugë fillimit të një klime të re në politikën shqiptare. Duke qenë se qëndrime të tilla janë mbajtur edhe më parë dhe reflektimi i autoriteteve shqiptarë ka munguar, duket e vështirë për të patur iluzione se kjo do të ndodhë tani. Por mundësitë për zgjidhjen e “çështjes Nano” dhe lirimin e Kryetarit të PS Fatos Nano, janë duke u shtuar. Dhe këtë unë e shoh para së gjithash në afrimin e zgjedhjeve të reja. Por injorimi i qëndrimeve të tilla të institucioneve ndërkombëtare, padyshim që po ju kushton shumë imazhit të vendit tonë. Në të gjitha takimet ndërkombëtare që unë kam zhvilluar apo kam qenë prezent, asnjëherë nuk ka munguar interesi për “çështjen Nano”.
Të dhënat e fundit të Eurobarometrit që ishin mbajtur sekret lidhur me testimin elektoral të partive politike shqiptare si i vlerësoni?
Nuk dua të prononcohem për testime sekrete, por ne kemi testimet e hapura që tregojnë se raportet elektorale kanë ndryshuar ndjeshëm në favor të opozitës së sotme dhe PSSH. Mendoj se raportet politike do të jenë edhe më në favor të PS dhe opozitës sesa ato të paraqitura në testimin sekret të Eurobarometrit. Këtë konkluzion e nxjerr edhe nga takimet e fundit që kemi patur me elektoratin në të gjithë vendin.
Po flitet gjithnjë e më shumë për përcarje në PS…
Kjo pyetje sinqerisht për mua po bëhet e bezdisshme. Mendoj se amplifikimi kaq i madh që po i bëhet “përçarjes” në PS, kërkon të “kompensojë”mungesën e përçarjes. Përçarjet në forcat politike ndodhin atje ku mungojnë hapësirat për të ngritur probleme, për të afirmuar qëndrimet e tua e personalitetit tënd. Mendoj se këto hapësira aktualisht nuk mungojnë. Por edhe në të ardhmen besoj se ne si forcë politike do të vijmë duke u hapur gjithnjë e më shumë ndaj mendimit të lirë në parti duke patur në konsideratë përvojën e të tjerëve e cila është e hidhur. Realisht, përçarje në PS e kërkojnë ata që i tremben rritjes elektorale të saj.
Ndërkohë po flitet për rrezikun e kthimit të komunizmit në pushtet, nëse fiton PS si një forcë ish-komuniste. Sa real është ky rrezik?
Drejtimi i Shqipërisë dhe i shumë vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore është përcaktuar përfundimisht, drejt demokracisë. Pavarësisht se cilat forca politike vijnë në pushtet, ky drejtim nuk mund të ndryshojë. Përsa i takon tezës së ish komunistëve dhe shoqëria jonë është një shoqëri ish komuniste. Kur shkëlqesia e tij Kryeministër i Hungarisë e Kryetar i PS, zoti Gjyla Horn vizitoi Austrinë, një gazetar e pyeti se si e shpjegonte ai, domethënë Horn, që në disa vende të Evropës Qendrore e Lindore po vijnë në pushtet ish komunistët, z. Horn, iu përgjigj se sipas mendimit të tij edhe për 20-30 vjet të tjera këto vende do të drejtohen nga ish komunistët, pavarësisht se cilat parti do të vijnë në pushtet. Pastaj ai pyeti gazetarin nëse ai njihte ndonjë politikan në këto vende që kishte lindur në vitin 1989 kur filluan revolucionet demokratike në këto vende. Po kështu një shkrimtar i njohur thotë se në vendet ish komuniste është zhdukur vetëm pjesa kanibaleske e diktaturës. Por formimi totalitar i shoqërisë ende nuk është zhdukur sepse krijimi i një formimi të ri cilësisht i ndryshëm nga ai i pari kërkon kohë. Si përfundim, dua të them se një forcë që lufton realisht për institucionalizimin e demokracisë është e vështirë të besosh se mund ta rrezikojë atë dhe mendoj se PS ka dhënë disa prova për këtë. Ajo nuk ka asnjë politikan që ka lindur në vitin 1990…
Duket sikur është spostuar vëmendja e opinionit publik por edhe e politikanëve nga çështja e Kushtetutës. Si e mendoni ecurinë e kësaj çështje dhe a mendoni se në të ardhmen Berisha si President do ta shfrytëzojë mungesën e saj për të destabilizuar Parlamentin e Qeverinë e ardhshme?
Së pari dua t’ju falënderoj se në këtë pyetje dhatë edhe një pjesë të përgjigjes që mendoj unë. Përpjekja për të miratuar projektkushtetutën me Referendum synonte transferimin e disa kompetencave të rëndësishme që ka aktualisht Parlamenti dhe Qeveria në “duart” e Presidentit. Kjo, edhe pse jo e justifikueshme, është e kuptueshme. Një institucion shumë i fuqishëm si ai i Presidentit të parashikuar nga PD në projektkushtetutë, kishte mundësi të mëdha për t’ju kundërvënë Parlamentit dhe Qeverisë së ardhshme. Ju me të drejtë mund të thoni se pse sot institucioni i Presidentit nuk i imponohet realisht Parlamentit dhe Qeverisë. Dhe kjo është e dukshme. Por kjo më shumë vlen jo nga raportet President-Parlament-Qeveri, por nga fakti se të tre këto institucione i përkasin të njëjtës forcë politike. Bazuar edhe në dispozitat kryesore kushtetuese, Parlamenti ka kompetenca të mjaftueshme për të luajtur rol përcaktues në zhvillimet politike. Por ky Parlament për vetë përbërjen e tij s’mund ta luajë këtë rol. Ndërkohë që po mendohet për të gjetur mënyra dhe forma veçanërisht nga opozita për miratimin e projektkushtetutës.
Në qendër të akuzave të tanishme për korrupsion është vënë nënkryetari i PS, z. Dokle. Si i gjykoni këto akuza?
Kjo që po ndodh është e kuptueshme pasi Dokle ka qenë dhe është figura kryesore në PS i angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit qeveritar. Për fat të mirë njerëzit e ndoqën vetë nënkryetarin e PS Namik Dokle në debatin televiziv që u zhvillua për këtë çështje. Kjo është edhe përgjigja ime për lexuesit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...