Flet Kastriot Islami:
Pyetje 1: Ne nje analize tuajen te fundit, ju shpreheni se prishja e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 përbën një nga “dhunimet” kryesore të standarteve demokratike që përcaktojnë zgjedhjet e lira e të ndershme. Si ndikoi prishja e kesaj marreveshje dhe ndryshimet kushtetuese ne cenimin e zgjedhjeve qe u zhvilluan 6 muaj me vone.
Përgjigje: Në shumë intervista para 25 prillit, një prej të cilave edhe në TV tuaj, kam treguar përse nisur nga prishja e marrëveshjes së 5 qershorit, zgjedhjet nuk do të mund të jenë të lira e të ndershme dhe në përputhje me standartet demokratike. Kam deklaruar se ato do të mund të jenë vetëm të pranueshme, por jo të lira e të ndershme. Po e zhvilloj këtë analizë logjike përsëri edhe me ju. Prandaj kjo analizë s’është si kofini pas të vjelave, por edhe sikur të ishte e tillë ka vlerë që të nxirren mesimet e duhura për të ardhmen qoftë të afërt apo qoftë të largët.
Së pari në 30 vjet pluralizëm gjithnjë, ngul këmbë gjithnjë, edhe kur PD por edhe kur PS kanë pasur shumicën e cilësuar në parlament, me insistimin ndërkombëtar është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore, me përbërje të barabartë maxhorancë-opozitë dhe me vendimarrje konsensuale, madje dy partitë drejtuese të maxhorancës e opozitës kishin të drejtën e vetos për të penguar cfarëdo lloj loje për të anashkaluar konsensusin maxhorancë-opozitë. Dhe pastaj parlamenti, pavarësisht cila forcë politike e kishte shumicën e cilësuar ishte i detyruar të vendoste ato ndryshime në Kodin Zgjedhor që ishin miratuar me konsensus në Komsionin e Refomës Zgjedhore. Nëse ndonjë deputet apo grup parlamentar do të kishte eventualisht ndonjë propozim për ndryshime në Kodin Zgjedhor, ato duhet paraprakisht të miratoheshin në KRZ…
Përse e gjitha kjo?
Sepse së pari, miratimi nga parlamenti i ndryshimeve në kodin zgjedhor duhet bërë me konsensus meqë bëhet fjalë për rregullat e lojës, sepse vetëm kështu mund të vendoset besimi i palëve te procesi zgjedhor. Ky është synimi kryesor i këtij ushtrimi që teknikisht është i thjeshtë por politikisht duket kompleks. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë palët shkojnë në zgjedhje me mosbesim apo besim të pamjaftueshëm te procesi zgjedhor, që që ndikon në integritetin e zgjedhjeve…
Së dyti, nisur nga parimet e Kodit Etik të Këshillit të Europës për zgjedhje të lira e të ndershme nuk duhet të bëhet asnjë ndryshim më shumë se një vit para nga data e zgjedhjeve. Edhe marrëveshja e 5 qershorit e ka thyer këtë kod por të paktën marrëveshja u miratua në Këshillin Politik me konsensusin e palëve… kurse prishja e njënashme e marrëveshjes dhe miratimi i njënashëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, janë një dhunim i rëndë i këtij Kodi Etik ne menyre te njëanshme.
Së treti, duhet patur mirë parasysh sesi është arritur deri te marrëveshja e 5 qershorit…
Opozita kishte përcaktuar qëndrimin se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, madje në vijim të këtij qëndrimi propozoi që zgjedhjet të përgatiteshin nga një qeveri kujdestare e ngritur 3 muaj para zgjedhjeve, sic kishte ndodhur në Maqedoni. Partnerët kryesorë tentuan të gjenin një zgjidhje mes këtyre kërkesave të opozitës dhe qëndrimeve të Ramës që refuzonte kategorikisht këto kërkesa. Në fund partnerët kryesorë propozuan ngritjen e Këshillit Politik me pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse dhe vendimarrje konsensuale, saktësisht sic ishte vepruar për 30 vjet me KRZ. Opozita u detyrua të pranonte këtë zgjidhje ndërkohë që kishte marrë vendimin se do të futej në zgjedhje në cdo rast me besimin se vota masive qytetare do të tejkalonte të gjithë marifetet e Ramës. Për më tepër që opozita nuk mund të kishte qëndrim tjetër vecse të merret pjesë në zgjedhje, natyrisht duke denoncuar më fuqimisht cdo dhunim të ligjit apo cdo tentative për tjetërsimin e rezultatit; kjo mund dhe duhet të ishte bërë në mënyrë më efikase…por edhe kjo i mbetet diskutimeve të brëndshme të opozitës për tu evidentuar dhe analizuar me qetesi…
Por Rama realisht e prishi në mënyrë të njëashme marrëveshjen dhe miratoi i vetëm me bishtat klienteliste antiopozitare ndryshimet në Kodin Zgjedhor, madje edhe në sistemin zgjedhor, me një synim të qartë për të mundësuar grabitjen e mandatit të tretë. Ndër të tjera duhet të kujtohen dy ndryshime : 1) ndalimi i konkurimit me koalicionin e përbërë që e ndëshkonte rëndë një opozitë shumëpolare si kjo e 25 prillit përballë një copëze të vetme unike si Rilindja dhe 2) gjoja hapja e listave që ishte një mashtrim për të prodhuar atë që të gjithë e panë në 25 prill dhe po e shikojnë me përbërjen e parlamentit të ri. Personalisht më ka shqetësuar më shumë fakti se këto ndryshime janë bërë në mënyrë të njëanshme dhe kundër opozitës reale, natyrisht edhe përmbajtja e tyre.
Miratimi i njënashëm i ndryshimeve në sistemin zgjedhor, pa opozitën reale dhe kundër saj, është një veprim i dukshëm, në mes të ditës dhe për më tepër me ligj i grabitjes së mandateve… Kjo quhet kapje e zgjedhjeve… Opozita besoj e kishte të qartë këtë fakt por ajo mendoi në atë kohë se numri i mandateve që do të grabiteshin nga këto ndryshime do të perballoheshin nga vota masive qytetare dhe nga sistemi i mbrojtjes nga veprimet e tjera manipuluese si blerja e votës, kërcënimi i zgjedhësve, miratimi një flete votimi që prodhoi mbi 83 mijë fletë të pavlefshme, e tjerë e tjerë… Ka dy mundësi për ta shpjeguar këtë: ose opozita nuk arriti të mirëllogariste dimensionin e ndikimit të marfiteve në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor ose marifetet për tjetërsimin e rezultatit zgjedhor rezultuan aq të konsiderueshme sa që me sa duket ishte e pamundur për një grupim politik që ti përballonte. Këto përfundime duhet ti nxjerrë opozita nga analiza që besoj do të bëjë në ditët në vijim…
Pyetje 2: Nese heqim faktoret si blerje vote, perdorim asetesh publike, perdorim administrate, perfshirje e krimit ne zgjedhje etj dhe marrim per baze rezultatin e shpallur nga KQZ, si do ishte shperndarja e mandateve ne Kuvend ne rast se mazhoranca nuk do prishte koalicionet?
Përgjigje: Nëse nuk do të ishte bërë ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor, që është një dhunim i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, opozita do të kishte dalë me koalicion të përbërë sic e parashikonte sistemi i mëparshëm zgjedhor, dhe kështu nuk do të kishte konsumuar energji duke debatuar nëse duhet të konkuronte me 1-listë apo me 2-lista. Nëse bëhen llogaritë e sakta me votat aktuale, që nuk është një llogari fort realiste, sepse kemi bërë supozimin se në të dy rastet do të merreshin të njëjtat vota nga opozita dhe Rilindja, del se Rama do të kishte 69-70 mandate dhe opozita 67-69 mandate… Kjo do të thotë ndryshe se opozitës, vetëm nga prishja e kësaj marrëveshje i janë grabitur rreth 4-6 mandate. Sipas po të njëjtave llogarive LSI i janë grabitur rreth 6-7 mandate. Ajo që është më thelbësorja, nëse do të ishte zbatuar marrëveshja e 5 qershorit, Rama nuk do të mund të zotëronte i vetëm shumicën parlamentare, që ishte një synim i qartë i tij.
Kujtoj se në këto llogari është marrë parasysh vetëm ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor, sepse po të futen në llogari edhe faktorët e tjerë, të paktën ato që përmenden qartas në raportin e OSBE/ODHIR me shumë gjasa tjetërsimi i rezultatit zgjedhor është edhe më i madh; mund të shkojë edhe deri në 12-15 mandate, që janë shumë për tu përballuar nga një grupim politik i gjëndur përballë makinerisë-shtet që kishte shumë para, shumë individë me rekorde kriminale dhe përdori buxhetin e shtetit e mekanizmat administrativë të shtetit…dhe në rrethanat e sistemit akatual zgjedhor, proporcional…
Pyetje 3: Ne raportin paraprak te ODIHR shihet me shqetesim perdorimi i administrates ne zgjedhje per interesat e Partise Socialiste nderkohe qe shefja e misionit vezhgues Ursula Gacek ne nje interviste per Dojce Velle e quan shqetësues qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit. C’po ndodh ne kete drejtim kur Shqiperia ka 30 vjet qe de jure presupozohet te jete ndare nga sistemi totalitar.
Përgjigje 3: Fatëkeqësisht sic thuhet edhe në raportin e OSBE/ODHIR Rilindja që drejton vëndin po kthehet në parti-shtet, ose e thënë me terma të zbukuruar nga partnerët, kemi të bëjmë me qëndrim jo i qartë i kufirit parti-shtet, që është e njëjta gjë. Partia-shtet ekziston dhe vepron prej 8 vitesh në mënyrë të dukshme… Ky kthim prapa nuk është një kthim i thjeshtë në komunizëm por një kthim në një qeverisje autoritare të një pakice miliarderësh apo e një grupi të pasurish që në shumë nga vëndet e lindjes quhen oligarkë…
Përfundimi është evident: Partia-shtet tani nuk është më partia komuniste-shtet por është partia-shtet e oligarkëve, kriminelëve dhe trafikantëve të cilët janë kudo, edhe në parti edhe në shtet, kontrollojnë gjithcka edhe në parti edhe në shtet, dhe nuk është e lehtë të munden vetëm nga një grupim politik që zotëron kapacitetet dhe mjetet politike të një organizimi politik të një vendi të varfër e me shumë probleme. Aq më tepër të pa mbështetur sic duhet nga partnerët dhe i mbështetur nga një komunitet i varfër, një pjesë madhe e të cilit është në mbijetesë dhe një pjesë jo e vogël tenton ta gjejë zgjidhjen te emigrimi; dhe pothuajse të gjithë kanë tradita demokratike minore, madje që e kanë të pamundur të kuptojnë e realizojnë detyrën që buron nga termi demokraci që do të thotë qeverisje e popullit apo që Curcilli e ka thënë ndryshe: cdo popull meriton qeverinë e tij….
Pyetje 4: Teksa DASH ka uruar Kryeministrin Rama per fitoren, SHBA, permes ambasadores se tyre ne OSBE, shprehen se partia në pushtet mori përparësi të konsiderueshme përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Po keshtu, shprehet ambasadorja vërejmë konstatimin se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe përforcohet shqetësimi mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. Se pari a jane kontradiktore keto qendrime, dhe ne pergjithesi si do e gjykonit qendrimin e faktorit nderkombetar ndaj procesit zgjedhor te 25 Prillit.
Përgjigje: Së pari edhe ambasadori i SHBA në OSBE është pjesë e Departamentit të Shtetit; kjo nuk duhet harruar. Së dyti për momentin shikoj disa diferenca deridiku te qenesishme; të cilat duhen ndjekur me vëmendje nga opozita. Së treti duhet të kemi parasysh se në misionin ndërkombtar të vëzhgimit të zgjedhjeve janë të gjithë vendet “partnere” të Shqipërisë, SHBA dhe vëndet e BE por edhe disa vënde kryesore. Kështu që deklaratat apo raportet e OSBE/ODHIR janë burimi prej nga rrjedhin të gjithë qëndrimet e tjera, por SHBA e BE e vende te tjera kanë edhe burimet e tyre të informacionit. Unë kam qënë pjesë e shumë prej këtyre misioneve, do të vecoja prezencën time gjatë 5 vjetëve si raportues i KiE në të gjithë zgjedhjet në Gjeorgji dhe e kam parasysh shumë mirë sesi hartohen deklaratat edhe raportet. Qëndrimet e ndryshme për këto zgjedhje janë atipike, jo si ato që kemi parë pak a shumë gjatë 30 viteve në Shqipëri apo edhe në vende të tjera të ngjashme me Shqipërinë. Duhet patur parasysh se raporti ka shumë kritika, e mes qëndrimeve apo deklaratave te ndryshme ka shumë diferenca që duhen të ndiqen me vëmendje nga opozita.
Pyetje 5: Dihet se zgjedhjet parlamentare ishin nje nder kushtet qe BE i ka vendosur Shqiperise per hapjen e negociatave. E pyetur per kete ceshtje, shefja e diplomacies portugeze, vend i cili merr presidencen e rradhes, u shpreh se thelbesor eshte respektimi i shtetit ligjor. Si do e deshifronit kete deklarate dhe a mendoni qe ka shanse reale per thirrjen e konferences se pare nderqeveritare.
Përgjigje: Për pjesën e parë të përgjigjes nga shefja e diplomacisë portugeze mund të them se ajo me një gjuhë të drunjtë nuk i është përgjigjur direkt pyetjes, ose thene ndryshe i është shmangur pyetjes duke dhënë një përgjigje te sakte por që ska lidhje me pyetjen. Përsa i përket pjesë së dytë të pyetjes suaj, përgjigja nuk është e thjeshtë. Sepse hapja e negociatave me një vënd të BP është shumë komplekse dhe varet nga shumë faktorë. Nëse Këshilli Europian do ti qëndrojë strikt kërkesave që i ka bërë vëndit tonë, vecanërisht atyrë që lidhen me zgjedhjet, por edhe me korrupsionin, trafiqet, shtetin ligjor, demokracinë, zgjedjhjet e tjerë ateherë vendimi i tij do të jetë ai i shtyrjes së hapjes së negociatave. Rama duket se e ka ndjerë një vendim të tillë dhe ka filluar të reagojë si brënda me kërkesën për bashkëqeverisje ashtu edhe ndaj BE si edhe me parë duke e akuzuar se ka forca euroskeptike që e pengojnë të zgjerohet.
Pyetje 6: Folem per problemet e shumta qe shoqeruan procesin zgjedhor dhe pergjegjesite e qeverise e Partise Socialiste. Do doja te dija nje opinion tuajin per sjelljen e opozites e ne vecanti Partise Demokratike. Cfare mund te bente me mire opozita ne keto zgjedhje dhe si e shihni prespektiven e Partise Demokratike ne vazhdim.
Përgjigje: së pari duhet një emision tjetër shumë më i gjatë për tju përgjigjur vetëm kësaj pyetjeje. Se dyti, opozita krahas angazhimit maksimal për të ngritur frymën e fitores, duhet të kishte marrë edhe masa më të forta për mbrojtjen e suksesit dhe denoncimin dinamik, pra gjatë të gjithë kohës, me fakte e prova të asaj që ajo sot e cilëson grabitja e madhe. Duke filluar nga denoncimi i fuqishëm i prishjes së njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit….Tani opozita duhet që me qetësi e racionalitet të analizojë se cfarë ka ndodhur dhe të zbulojë shkaqet që cuan në këtë situatë, si dhe ku ka grabitur kundërshtari por edhe ku ka caluar organizimi i brëndshëm e nuk jane arritur objektivat e vendosur, e tjerë e tjerë… Po e mbyll me kaq se kjo është një temë shumë e gjatë…/syri.net