Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, (KAS), është mbledhur sot për të dhënë vendimin pas shqyrtimit të ankesave për zgjedhjet per 24 qendra votimi në qarkun e Beratit ndonëse vendimi ishte me hile, por nëse shikohen me kujdes do dalin manipulimet.
Sot u dha vendimi nga KAS për ankimin e LSI për qarkimin e Beratit. KAS vendosi për hapjen dhe marrjen e dokumentave për disa qendra votimit në qark, duke specifikuar edhe qendrat e votimit ku do të kontrollohen nga KAS. Ligjore do të ishte hapja e kutive dhe numërimi i votave të pavlefshme.
KAS do të shqyrtojë nga të dhënat e materialeve zgjedhore të këtyre 24 kutive përputhshmërinë e listave të zgjedhjeve, identifikimin elektronik të tyre.
KAS rrëzoi kërkesën e PD-së e cila kërkonte që të merreshin informacionet shtesë për provat shtesë nga institucionet shëndetësore dhe organet ligjzbatues, si SPAK dhe Prokuroria, për të vërtetuar sipas PD shkeljet zgjedhore. Me kërkesën e dy anëtarëve të KAS, Braho dhe Çefa, KAS do të administrojë dhe kryqëzimin e të dhënave nga pajisja PEI, identifikimi elektronik.
Përfaqësuesi i PD në KQZ, Ivi Kaso e ka quajtur të paligjshëm vendimin e KAS për të pranuar si prova vetëm disa nga materialet e dorëzuara nga ky subjekt politik. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, Kaso tha se KAS e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion palëve garuese në zgjedhje prova që ata vetë nuk kanë mundur t’i sigurojnë. Ai shprehet se PD do t’i dërgojë kërkesat ankimore edhe në shkallët e tjera.
“PD i është drejtuar institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat nuk janë vënë në dispozicion dhe nuk besoj se do i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë që provat tu vihen në dispozicion procesit ankimor dhe sa kohë këto prova nuk disponohen, procesi nuk mund të jetë i plotë, i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë. KQZ ka detyrimin të administrojë çdo që gjë që palët garuese në proces zgjedhor dhe ankimuese, nuk kanë patur mundësi ta sigurojnë dot vetë. PD gjithçka që ka pretenduar e ka të provuar dhe provat i ka të depozituara në KAS, një pjesë e të cilave janë bërë publike. Ne kemi pretenduar që dimensioni i plotë i gjithçkaje që ka ndodhur do të publikohet dhe do të vijë në vëmendjen e publikut në tryezën e KQZ vetëm pasi të administrohet i gjithë dokumentacioni që ata refuzojnë që ta ndajnë me PD, mediat dhe aktorë të tretë. Pritshmëria jonë për KAS është që ata të zbatojnë ligjin“, tha ai.
LSI e ka humbur mandatin e deputetit vetëm për 77 vota, ndërkohë kjo forcë politike ka dokumenta filmike e prova të tjera se ia ka vjedhur PS-ja një mandat deputeti në Berat.
Po kështu LSI ka fakte edhe për qarkun e Durrësit, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit.
KAS njoftoi se do të mblidhet sërish ditën e hënë