Mini Shengeni i Vuçiçit fyen konceptin e BE

E mërkurë, 04 August 2021 10:42

 

Është kohë vere dhe përsëri në media, në mungesë të zhvillimeve tjera, ka zënë shumë vend nisma e kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “Ballkanin e Hapur”. Në parim ky mund të shihet si një nismë e radhës e bashkëpunimit rajonal, krahas shumë syresh që ekzistojnë që nga viti 2000 dhe nga zhvillimi i Samitit të Zagrebit.

 

Në atë samit u hap ajo që edhe sot quhet “perspektiva evropiane” dhe “Procesi i Stabilizim Asociimit”. Shumë nisma që nga atëherë kanë pasur suksese të konsiderueshme, por nuk kanë rezultuar as me zgjidhjen e problemeve kryesore në rajon e as në tejkalimin e së kaluarës dhe shërimin e plagëve nga e kaluara.

Kur ishte zhvilluar Samiti i Zagrebit, situata ishte ndryshe në Serbi nga ajo që është sot. Ky samit në vitin 2000 ishte zhvilluar pas rënies nga pushteti të Slobodan Milosheviqit në Serbi dhe pasi NATO-ja ishte vendosur në Kosovë. BE-ja dërgonte porosinë se “Në Serbi janë mposhtur forcat e errëta nga e kaluara dhe Serbia është nisur në rrugën nga e ardhmja e ndritshme evropiane”. Pjesëtarë të atyre “forcave të errëta” ishin radikalët e Sheshelit dhe socialistët e Milosheviqit ku ishin edhe dy liderët kryesorë të Serbisë së sotme, Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin dhe të tjerët.

Tash 20 vjet më vonë shohim se vetëm Kroacia ka arritur të përmbyll ciklin e plotë nga MSA-ja e deri tek anëtarësimi në BE. Të tjerët nuk janë as në gjysmën e rrugës ose nuk janë nisur fare në atë rrugë.

Me hyrjen e Sllovenisë në BE nuk kishin përfunduar idetë për krijimin e unioneve të ndryshme rajonale, as me anëtarësimin e Kroacisë nuk mund të thuhet se ishin zhdukur idetë e tilla. Disa ide janë parë edhe si të dëmshme, disa si alternativa të integrimeve në BE, e disa vetëm si “faza që do të çojnë më lehtë drejt BE-së”.

Prandaj nuk është lehtë të gjykohet as Minischengeni, i ripagëzuar si “Ballkani i hapur” i Edi Ramës, Zoran Zaevit dhe Aleksandar Vuçiqit. BE-ja nuk ka një qëndrim të prerë për këtë. Por thënë të vërtetën, BE-ja sot nuk ka qëndrim të qartë për shumë gjëra. Ajo, në mungesë të unitetit për të vazhduar procesin e zgjerimit, në mungesë të guximit për të thënë se duhet gjetur një alternativë tjetër për këto vende që nuk do të nënkuptonin anëtarësimin të plotë në BE, në mungesë të ideve për zgjidhjen e problemit kryesor në Ballkan, e ai është njohja e Kosovës nga Serbia dhe nga 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë ende, vetëm përsërit se në parim “mbështet bashkëpunimin rajonal”.

Idetë, as “Procesi i Berlinit”, e sidomos ajo e “Ballkanit të Hapur” nuk do ta përshpejtojnë procesin e integrimit në BE, e nga ana tjetër, nuk janë as alternativë e këtij integrimi.

Kosova, pas dëmeve të mëdha që pësoi në dialogun e kotë me Serbinë, ka arsye të dyshojë dhe të jetë shumë, shumë e matur ndaj ideve të tilla rajonale sikur ajo e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Sepse, Beogradi duke përdorur Shqipërinë dëshiron të dërgojë sinjale se nuk ka asgjë kundër shqiptarëve edhe pse në këtë shtet tash është zyrtarizuar edhe me vendim gjykate se ministrat e Serbisë kanë të drejtë të fyejnë shqiptarët. Kjo, pas një padie që një deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë paditi ministrin e Brendshëm, Aleksandar Vulin, i cili në lojën e Aleksandar Vuçiqit luan lojën e “policit të keq”, ku Gjykata gjeti se përdorimi i termit “shiptari” nuk është ofendues. Pra, në Serbi janë ministrat serbë ata që vendosin se çka është ofenduese e çka jo për shqiptarët.

Prapa ideve të Serbisë qëndron qëllimi për të injoruar Kosovën si subjekt dhe si territor. Krerët serbë vazhdojnë edhe të tallen me Kosovën, pos që e mohojnë si shtet dhe kanë pretendime zyrtare territoriale. Vuçiq, për shembull, kur Kosova filloi të njihej në platformën Netflix tha “le të shohin filma tash!” me tallje dhe “le të luajnë top” (pasi Kosova është edhe anëtare e federatave të sportive). Me fjalë të tjera, ai dëshiron të thotë se “Serbia merret me punë serioze”.

Edhe pse Vuçiqi është lider i pak kontestuar i të gjithë serbëve në rajon, Edi Rama nga Tirana nuk e ka këtë rol. Tirana do të duhej këtu të jetë edhe më e kujdesshme sesa vetë Prishtina, edhe pse nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria dhe Serbia të kenë raporte sa më të mira që të jetë e mundur, sidomos tregtare. Por, Kosova në raportet mes Shqipërisë e Serbisë nuk mund të injorohet as fizikisht, sepse Shqipëria dhe Serbia nuk kufizohen mes vete dhe nuk janë fqinje të para, pos nëse Kosova konsiderohet si “pjesë e Serbisë” apo “pjesë e Shqipërisë”.

“Liritë e lëvizjes” për të cilat u morën vesh tre liderët mund të zbatohet vetëm duke kaluar nga Shqipëria përmes Maqedonisë së Veriut për Serbi dhe anasjelltas.

Përvoja e deritashme në rajon ka dëshmuar se vullneti për bashkëpunim tregtar nuk ka mjaftuar, sidomos nga Serbia e cila më së shumti edhe ka përfituar nga kjo. Por, kjo nuk ka ndihmuar në tejkalimin e problemeve politike. Dhe kjo do të jetë kështu derisa të mos normalizohen raportet mes Kosovës e Serbisë, jo mes “shqiptarëve dhe serbëve”.

Ajo që u jep një hije dyshimi qëllimeve të Serbisë me këtë “Ballkan të Hapur”, pos imazhit të “shtetit konstruktiv” dhe “atyre që shikojnë nga e ardhmja e jo nga e kaluara” është fakti se vetëm Shqipërinë dhe Maqedoninë, Serbia i konsideron si shtete të cilave nuk ua konteston ekzistencën. Kosovën e mohon si shtet, në Bosnjë-Hercegovinë mbështet liderin e serbëve, Milorad Dodik, në veprimet e tij për shpërbërjen e këtij shteti. Edhe pse Vuçiqi deklarohet se “Serbia mbështet integritetin territorial të Bosnjw-Hercegovinës”, ai nuk harron pa e shtuar se “sikurse pret që të respektohet edhe integriteti territorial i Serbisë me Kosovën e Metohinë si pjesë e saj”. Pra, Serbia praktikisht, duke e krahasuar Kosovën me Republika Srpskan, e mohon edhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Sepse Kosova e njohur apo jo nga Serbia, është shtet e Republika Srpska nuk është. Malin e Zi Serbia e njeh si shtet, por dëshiron ta shndërrojë në një “Serbi të dytë”, që po e bën përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe partive pro-serbe e pro-ruse në këtë vend.

Kosova dhe Shqipëria janë shtete dhe, për momentin, e njohin njëra-tjetrën. Nuk duhet t’u mbetet hatri në Prishtinë kur Tirana vendos të ketë raporte më të mira me Beogradin. Por, as në Tiranë nuk duhet të vërsulen me sulme, e shpesh edhe me etiketime nënçmuese, kur kosovarët nuk duan të harrojnë se çfarë u ka ndodhur, kinse për hir të një “të ardhme të përbashkët”. Në Kosovë nuk duhet të bëjnë llogari se kush nga politikanët e Shqipërisë i ndihmoi më shumë Kosovës. Populli i Shqipërisë, edhe shteti, iu gjet në ndihmë Kosovës që nga viti 1999. Të gjithë në mënyrën e tyre. Përjashtim bën vetëm qeveria e udhëhequr nga Pandeli Majko në vitin 1999, e cila i ndihmoi Kosovës në mënyrë të pakrahasueshme me të gjitha qeveritë para dhe pas saj. Në atë kohë, qëndrimi i Qeverisë Majko ishte edhe më i qartë në favor të luftës së NATO-s për çlirimin e Kosovës sesa i vetë udhëheqësve politikë të shqiptarëve të Kosovës.

Nismat e “Ballkanit të Hapur” nuk do të kundërshtohen nga BE-ja, por ato nuk kanë ndonjë vlerë. Nuk do të jetë kjo një “Beneluks Ballkanik”, që do të shërbejë për ide të integrimeve të ardhshme siç ishte bashkëpunimi rajonal i Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut që me Francën, Gjermaninë dhe Italinë formuan atë që sot është BE. Sepse në BE u integruan shtetet e lira, të pavarura, duke njohur njëra-tjetrën dhe duke mos e mohuar as të kaluarën. Të krahasosh idenë e Bashkimit Evropian me bashkëpunim me mohuesit e gjenocidit, e Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë pa dyshim të tillë, është një ofendim për vetë idenë e krijimit të BE-së.

Por, duhet pranuar se ka shumë të vërteta edhe në konstatimet se për një kohë shtetet e rajonit nuk do të jenë të mirëpritura në BE. Por, as integrimet rajonale nuk duhet të ndodhin “për inatin e BE-së” e as “për hir të BE-së”.

/*Autori kolumnist i rregullt i Koha Ditore dhe korespondent i saj nga Brukseli/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...