Shqipëria po digjet!

E Enjte, 14 August 2025 12:30

Nga Mariela Shkurta

 
Me trishtim të madh lexoja sot (13 gusht) reagimin e një kryeministri, ku në vargjet e tij shihej qartë: asnjë keqardhje për gjendjen e rëndë që po kalon sot Shqipëria jonë, e cila kur u krijua kishte gjithë vëmendjen e Zotit, duke e pikturuar deri në detaj natyrën, malet, fushat e saj, e me një vijë bregdetare si askund tjetër.
 
Sot, kryeministri bëri një inventar të kapacitetit të mjeteve të emergjencave në shtetet fqinje, një absurditet i paprecedent, një tallje, një përçmim, një shkelje e inteligjencës që të vë në siklet kur e lexon. Natyrshëm, të lind një pyetje: si ka mundësi që një individ të ketë fuqinë e talljes kaq haptazi me inteligjencën e një kombi të tërë?!
 
Pas kësaj pyetje, mua më lind natyrshëm një tjetër (dhe kjo ndodh përherë, sidomos pas 11 majit): po si ka mundësi, si mundet një komb i tërë të tolerojë përçmimin e një njeriu të vetëm?! Si ka mundësi që, të lësh dikë të diktojë votën, të votojë për ty në të shumtën e rasteve?! Si ka mundësi që, të tolerosh dikë që vjen e të shkatërron çatinë që ke punuar një jetë të tërë ta ndërtosh, për të strehuar familjen?! Si ka mundësi që, të tolerosh dikë që vjen e të shkatërron biznesin me të cilin ti mban familjen?! Po si ka mundësi që, në vend që të protestosh e të ngresh zërin për të drejtën tënde, ti zgjedh të largohesh nga toka jote!?
 
Kur them: “Shqipëria digjet”, nuk flas vetëm për zjarret që e kanë gjunjëzuar vendin si kurrë më parë. E po të lexosh reagimin e kryeministrit, e gjen përgjigjen në rreshtat e tij. Për çfarë na hyjnë në punë avionët, kur edhe vendet e tjera digjen!? A është një fyerje inteligjence e qëllimshme, apo një injorancë e kreut të qeverisë? Kjo pyetje, besoj, nuk do shumë mund për t’iu përgjigjur. Mjafton të shohësh sjelljet e tij ndaj qytetarëve për ta kuptuar.
 
Faktori kryesor që i ka vënë sot flakën Shqipërisë është korrupsioni! Sot, luksi dhe pushteti nuk negociohen; ato vendosen mbi çdo gjë! Mbi dinjitetin dhe dëshirën për ta çuar vendin përpara, si në ekonomi, në turizëm por edhe në sektorë të tjerë, duke i dhënë Shqipërisë prosperitet në çdo fushë të mundshme.
 
Sot, në rrjet pashë një foto të një burri në moshë, i cili me lot në sy kishte përcjellë për në aeroport djalin, nipin e mbesën. Një bashkim familjar në Gjermani i ndau për së gjalli! Tani çdo gjë për të s’do jetë më si më parë. Nipër e mbesa tani do t’i shohë rrallë. Po sa të tjerë si kjo familje kanë braktisur vendin e tyre?! Me Delvinën, Gramshin, Tepelenën… me një vend të tërë në flakë, sa e sa të tjerë do të largohen?! Shumë mbetën pa shtëpi dhe buka e gojës u bë shkrumb e hi. A thua shteti do t’ju vijë në ndihmë?! Me një fond emergjence 9 euro për njeri, për 61 bashki, pak vështirë!
 
Unë kam hequr prej kohësh dorë nga shkrimet. Në fund të fundit, shumica nuk i lexon, sidomos kur janë të tejzgjatura. Sot e bëra një përjashtim. Dhe mendoj se ky shkrim nuk është aspak i gjatë, pasi nëse do të hidhja në një letër pakënaqësitë e qeverisjes, skandalet e saj, shpenzimet e luksit, korrupsionin etj., do të kisha shkruar një libër me disa vëllime. Kështu që, po e mbyll me kaq.
 
Këtë status e shkrova për veten time, më tepër, si një rrëfim te prifti për mëkatet e dikujt tjetër, por që i mbart unë mbi shpinë.

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...