Calavera: Kosova të vazhdojë agjendën e reformës evropiane

E Enjte, 28 June 2018 17:48

Drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, po qëndron në Prishtinë për të parë deri ku Kosova ka avancuar në reformat e kërkuara nga BE-ja.

Kosova duhet ta vazhdojë agjendën e reformës evropiane dhe të ketë prioritet reformat kyçe që janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe përmirësimi i klimës për investime. Këtë mesazh dha në Prishtinë drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, e cila po qëndron për një vizitë në Kosovë. Kosova me Bashkimin Evropian ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Calavera tha se ajo është optimiste sa i takon të ardhmes evropiane të Kosovës. Në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon, madje akoma me një regjim vizash për lëvizje të lirë në zonën Shengen.

Reforma të rëndësishme

"Reformat janë të rëndësishme, sidomos nga fusha e sundimit të ligjit, ajo për qeverisje të mirë, konkurrencë të drejtë, klima për investime e po ashtu edukimi dhe punësimi. Këto reforma janë shumë të rëndësishme për Kosovën e cila duhet të vazhdojë konsolidimin e progresit të saj. Ne kemi diskutuar rezultatet që tashmë i kemi arritur së bashku, dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që zyra jonë e BE-së në Kosovë është duke e shoqëruar agjendën shumë të rëndësishme që e kemi, për të sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, tha Ruiz-Calavera.

Reforma në administratën publike sipas zonjës Calavera është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian dhe kjo temë sipas saj, ka zënë vënd të veçantë edhe në bisedat me kryeministrin Ramush Haradinaj.

"Të gjitha vendimet që ndërmerren nga Qeveria në kuadër të reformës, duhet të jenë shumë kohezive duke shtyrë këtë agjendë përpara dhe në veçanti në reformën e administratës publike. BE duhet të sigurohet se vendimet që merren e sigurojnë qëndrueshmërinë e vendit”, tha Ruiz-Calavera, para se të zhvillojë takime tjera edhe me udhëheqës tjerë të institucioneve të Kosovës.

Çështje muajsh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që në qeverinë e tij ka, si thotë, prioritet përmbushjen e kritereve të agjendës evropiane, thotë se institucionet e kanë marrë shumë seriozisht këtë proces. Madje ai thotë se është çështje muajsh kur do të shihen rezultatet në temat e kërkuara nga zonja Calavera. "Biseda ka qenë e fokusuar në reformat për Kosovën, në ato në rend dhe ligj, administratën publike dhe arsim. I biseduam edhe punët e kryera, por edhe punët që i kemi para vetës. Jam thellë i bindur që në muajt dhe javët që vijnë edhe nga sugjerimet e drejtoreshës për zgjerim, do të shënojmë rezultate pikërisht në ato që janë tema kyçe”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Këtë javë Kosova pret edhe një lajm nga Komisioni Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, nëse qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen këtë vit, apo kjo do të shtyhet për më vonë. Drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, u shpreh optimiste se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin së shpejti pa viza. "Bashkimi Evropian do të dalë me një propozim i cili mund ta bëjë liberalizimin realitet”, tha Calavera duke mos saktësuar kohën se kur mund të ndodhë kjo.

Liberalizimi i vizave

E pikërisht ky hezitim i zyrtarëve evropianë që të tregojnë nëse Kosova ka përmbushur kriteret dhe kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, ka bërë që në Prishtinë të ndjehet një lloj nervozizmi me këtë pritje, sidomos pas ratifikimit të marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, që ishte një nga kriteret e fundit të kërkuara për liberalizimin e vizave. Një njohës i çështjeve evropiane, analisti Armend Muja, bën një krahasim me vendet e rajonit pikërisht në plotësimin e kritereve për liberalizim, ku BE-ja për Kosovën së fundi kishte dyfishuar kërkesat. Vendet e rajonit tash e tetë vjet, përkatësisht dhjet vjet kanë liberalizuar vizat. Armend Muja, nuk e amniston Kosovën në ngecjet e saja, por ai rendit disa fakte në raport me vendet e rajonit, por edhe me gjerë nga të cilat BE-ja kishte kërkuar që të plotësonin kriteret.

"1. Kontrolli i korrupsionit - E vërtetë që Kosova ngec në raport me vendet e BE-së. Sidoqoftë, në bazë të matjeve të Transparency International, Kosova renditet më mirë sesa Maqedonia, Shqipëria dhe larg Moldavisë dhe Ukrainës. 2. Liritë politike dhe civile - Sipas Freedom House, Kosova renditet si vend pjesërisht i lirë. Sidoqofte, edhe në këtë kriter, Kosova është lidere rajonale. Kosova qëndron përtej Shqipërisë, Maqedonisë, Moldavisë dhe Ukrainës. 3. Reformat ekonomike - Kosova është një nga vendet më të vlerësuara në Doing Business Report (Banka Botërore). Pra qëndron më mirë sesa Moldavia dhe Ukraina. 4. Krimi i organizuar - u referohet klaneve ballkanike që organizojnë trafikim droge, migrantesh, prostitucion dhe larje parash. Në bazë të Raporteve Vjetore të FRONTEX të BE-së, rrjeti i krimit të organizuar funksionon në boshtin Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi-Hungari-BE. Ky trafik shmang Kosoven”.

Sipas analistit Armend Muja, "liberalizimi i vizave nuk ka qene asnjëherë matës objektiv i arritshmërise së vendeve, por, në dy dekadat e fundit është perdorur kryesisht si mjet në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Modifikuar më E Enjte, 28 June 2018 17:51
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...