1948/Federata Jugosllavi-Bullgari-Shqipëri

E Enjte, 10 October 2019 16:18

Nga Kastriot Dervishi

Për arsye të pavarura prej tij, në vitin 1948 Enver Hoxha e dëshironte Shqipërinë në një federatë ku do të bënin pjesë edhe Jugosllavia dhe Bullgaria. Qendra e këtij shteti do ishte Beogradi. Ky projekt që nuk u realizua aksidentalisht, është shprehur në shumë fjalime e diskutime të E.Hoxhës nga viti 1944 (kongresi komunist i Përmetit) e deri në vitin 1948. Çështja e bashkimit në formën e federatës, del në mbledhjen e datës 14.3.1948 të Byrosë Politike. E.Hoxha e shihte Shqipërinë (bashkë me Bullgarinë) pjesë të kësaj federate ku Tito do ishte udhëheqësi i madh. Udhëheqësi komunist bullgar Dimitrov, në një letër që i dërgonte Hoxhës, kërkonte që këtë projekt të përfshihej edhe Hungaria. Por Hoxha thotë se bashkimin (me jugosllavët) duhej ta bënin sa më parë, duke u ankuar për Savo Zllatiçin pse nuk vinte e t’u thoshte çfarë mendonte për këtë. Në të vërtetë, Savo dhe gjenerali Milan Kupreshanin nxisnin Hoxhën t’i bënte telegram Titos. Pra çështja e bashkimit zhvillohej përballë një rreziku grek nga jugu, por edhe nga paqartësia e marrëdhënieve sovjetiko-jugosllave nga ana tjetër. Hoxha mendonte se çështja e federatës ishte diçka formale, që priste “momentin oportun”, pasi ata po punonin në fakt në baza federale, por bashkimi nuk varej nga ata (PKSH). Edhe si se duhej të njoftoheshin sovjetikët ishte një pikëpyetje e madhe. Pa i ditur zhvillimet sovjetiko-jugosllave, Hoxha iu drejtua me një letër Titos më 17.3.1948 në të cilën shkruan për bashkimin e dy ushtrive dhe federatën. Ndër të tjera shkruan:

“Bash në këto momente, ne morëm nga ministri ynë në Bullgari një lajm ku na thotë se në një bashkëfjalim që ka pasur me shokun Dimitrov, ky i fundit i ka në mënyrë konfidenciale se çështja e federatës e të tre vendeve është një çështje e shpejtë dhe se shoku Stalin është i këtij mendimi dhe për këtë Komiteti Central i PKB-së do ta shqyrtojë me KC të PKJ-së dhe pastaj do ta parashtrojnë në KC të PKSH-së dhe nga qershori mund të mblidhen parlamentet e të tri vendeve për të marrë vendime në këtë drejtim. Fundi i vitit 1948 do të na gjejë të bashkuar që të tre shtetet në një federatë”.

Pasi kërkon një këshillim me Titon, pasi kujton çështjen e unifikimit të ushtrive, planeve të përbashkëta, etj, Hoxha shkruan:

“Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet në me gjitha forcat, por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër na është sugjeruar nga shokët jugosllavë (Kupreshanin dhe Zllatiç-shënim), na duket një iniciativë që nuk duhet ta marrim pa u këshilluar me ju dhe Komitetin Central të PKJ-së” .

Çështja e bashkimit u ndërpre në prill 1948 pasi u mor vesh konflikti i Stalinit me Titon, pavarësisht se Hoxha në mbledhjen e datës 25.4.1948 thotë se ishin dakord me të . Por Hoxha mori flamurin e shpëtimtarit të situatës duke thënë se letra sovjetike ishte një “armë me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e kritikës marksist-leniniste” dhe një “mësim i madh” .

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...