Henry Kissinger: Nuk ka asnjë shembull të mirë historik për luftën në Ukrainë

Diel, 17 July 2022 10:34

 

Ish-Sekretari i Shtetit i SHBA, Henry Kissinger, 99 vjeç, ka pasur të bëjë me disa liderë sovjetikë gjatë karrierës së tij politike. Ai thotë se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin bën llogari, por mban edhe inat. Dhe marrëdhënia e ardhshme e Rusisë me Evopën do të jetë një çështje kyç gjeostrategjike.

DER SPIEGEL: Zoti Kissinger, kur u lindët ju, Lenini ishte ende gjallë. Ju ishit 29 vjeç kur vdiq Stalini, 39 kur Hroshovi çoi raketat bërthamore në Kuba, dhe 45 kur Leonid Brezhnev shtypi Pranverën e Pragës. Cilin nga këta sundues të Kremlinit ju kujton më tepër Vladmir Putin?

 

Henry Kissinger: Hrushovin.

 

DER SPIEGEL: Pse?

 

Kissinger: Hrushovi kërkonte njohje. Ai donte të afirmonte rëndësinë e vendit të tij dhe të ftohej në Amerikë. Koncepti i barazisë ishte shumë i rëndësishëm për të. Në rastin e Putinit kjo është edhe më tepër akute, sepse ai e konsideron kolapsin e pozicionit rus në Evropë nga 1989 e këtej si një katastrofë strategjike për Rusinë. Ky ka qenë fiksimi i tij. Nuk ndaj të njëjtin mendim me ata që thonë se ai dëshiron të rifitojë çdo territor të humbur. Por ajo që ai s’mund ta durojë është që territori midis Berlinit dhe kufirit rus tani është i NATO-s. Dhe kjo e bëri Ukrainën një pikë kyç për të.

DER SPIEGEL: Hrushov shkaktoi krizën e raketave në Kuba, por në fund u dorëzua. Mendoni se është e mundur edhe për Putin dhe Ukrainën?

Kissinger: Putin nuk është aq impulsiv sa Hrushovi. Ai bën më tepër llogari dhe është më tepër inatçi. Mund të ketë qenë më e lehtë të bije dakord me liderë të dikurshëm. Nga ana tjetër, ka pak gjasa që tranzicioni nga Putin te pasuesi i tij të bëhet pa probleme. Por mbi të gjitha, evolucioni i Rusisë është çështje e Rusisë. Vendet perëndimore do të duhet të analizojnë se çfarë mund të bëjnë në varësi të atij evolucioni dhe rezultatit ushtarak në Ukrainë.

DER SPIEGEL: Kapitulli i parë i librit tuaj të ri ‘Lidershipi: Gjashtë studime në strategjinë botërore’ përqendrohet te kancelari i parë i Gjermanisë së pasluftës, Konrad Adenauer. Ju shkruani se politika e Adenauerit bazohej në pikëpamjen se ndarja e vendit të tij ishte e përkohshme. Këtë gjë kishit në mendje me deklaratën tuaj në Forumin Ekonomik Botëror në Davos kur sugjeruat që Ukraina të pranonte një ndarje të përkohshme të vendit, duke zhvilluar njërën pjesë në një vend të fortë ekonomikisht, demokratik, pro-perëndimor, në pritje që historia të ribashkonte vendin?

Kissinger: Ajo që thashë është: Për t’i dhënë fund kësaj lufte, vija më e mirë ndarëse do të ishte status quo ante (situata e mëparshme e gjërave) që do të thotë 93% e vendit. Është diçka krejt ndryshe. Nëse dikush e identifikon status quo ante-n si objektive, kjo do të thotë se agresioni nuk ka pasur sukses. Çështja atëherë është një armëpushim përgjatë linjës së kontaktit të 24 shkurtit. Territori ende i kontrolluar nga Rusia, që përbën rreth 2.5% të territorit ukrainas në Donbas dhe në Krime, do të ishte pastaj pjesë e një negociate të përgjithshme.

DER SPIEGEL: Por ju shtuat se vazhdimi i konfliktit përtej linjës së kontaktit të 24 shkurtit ‘do ta kthente atë në një luftë jo për lirinë e Ukrainës... por në një luftë të re kundër vetë Rusisë’.

Kissinger: Në asnjë moment nuk kam thënë se Ukraina duhet të lëshojë territor. Thashë që vija logjike ndarëse për një armëpushim është status quo ante.

DER SPIEGEL: Shumë ukrainas e kanë kuptuar ndryshe. Deputeti Oleksiy Goncharenko tha se ju jetoni ende në shekullin e njëzetë dhe se Ukraina nuk do të lëshojë asnjë centimetër të territorit të saj.

Kissinger: Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk e thotë këtë. Përkundrazi, as dy javë nga deklarata ime, ai tha në një intervistë me Financial Times se rikthimi te status quo do të ishte fitore e madhe dhe se do të vazhdonin të luftonin diplomatikisht për pjesën tjetër të territorit. Kjo është në linjë me pozicionin tim.

DER SPIEGEL: Në prezantimin e librit, ju citoni Winston Churchill: ‘Studioni historinë. Në histori gjenden të gjitha sekretet e artit të shtetit’. Cili precedent historik mendoni se është më i përshtatshëm për të kuptuar dhe përfunduar luftën në Ukrainë?

Kissinger: Kjo është një pyetje shumë e mirë, për të cilën aktualisht nuk më vjen ndërmend asnjë përgjigje direkt. Sepse lufta në Ukrainë në një nivel është një luftë për balancimin e fuqisë. Por në një tjetër nivel ajo ka aspektet e një lufte civile dhe kombinon një tip klasik evropian të problemit ndërkombëtar me një totalisht global. Kur kjo luftë të marrë fund, çështja do të jetë nëse Rusia do të arrijë një marrëdhënie koherente me Evopën – të cilën gjithmonë e ka kërkuar – apo nëse do të jetë thjesht një territor aziatik në kufijtë e Evropës. Dhe nuk ka asnjë shembull të mirë historik.

DER SPIEGEL: Ju, bashkë me gjashtë personalitetet që profilizoni në librin tuaj të ri, keni formuar botën në të cilën jetojmë sot. Dhe nuk është një botë e stabilizuar. Në Evropë është lufta në Ukrainë. Në Azi, duket se mund të vijë një konflikt për Tajvani. Në Lindjen e Mesme, programi bërthamor i Iranit vazhdon të krijojë re të zeza. Pse duhet që politikanët të ndjekin shembujt që jep libri juaj?

Kissinger: Unë nuk them që ata duhet të ndjekin shembujt e njerëzve që kam portretizuar, sepse ata janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, po ashtu edhe situatat e tyre. Por mendoj se mund të mësojnë nga problemet me të cilat u përballën këta udhëheqës. Që në botë ka konflikte nuk është gjë e re. E re është që në periudhën tonë kemi për herë të parë impaktin e rajoneve të ndryshme kulturore mbi njëri-tjetrin në baza të përhershme. Për disa konflikte aktuale, shembujt nga libri im mund të jenë të dobishëm. Të tjerë mund të jenë unë për periudhën tonë. Unë nuk kam shkruar ndonjë libër kuzhine për marrëdhëniet ndërkombëtare.

DER SPIEGEL: Mendoni se politika e jashtme në kushtet që ju përshkruani dhe veçanërisht ashtu siç e praktikuat ju dhe Richard Nixon është ende mënyra më efektive për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare-dmth që shtetarët preferohen para vizionarëve dhe ruajtja e stabilitetit preferohet para imperativave normative?

Kissinger: Shtetarët dhe vizionarët janë thjesht dy lloje të ndryshëm udhëheqësish.

DER SPIEGEL: Preferenca juaj është e dukshme. Në libri tuaj, përmendni Theodore e Franklin D. Roosevelt, Kemal Atatürk dhe Jawaharlal Nehru si ‘shtetarë’, ndërsa identifikoni Akhenaten, Jeanne d’Arc, Robespierre e Lenin si ‘vizionarë’. Mendoni se ruajtja e ekuilibrit të fuqisë është ende rruga më e këshillueshme për t’u ndjekur në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Kissinger: Mendoj se ekuilibri i fuqisë është parakusht për gjëra të tjera, por jo stacioni final në vetvete. Ekuilibri i fuqisë në vetvete nuk garanton stabiliteti, por pa atë nuk mund të kesh stabilitet.

DER SPIEGEL: Presidenti Joe Biden e ka përshkruar situatën aktuale gjeopolitike si luftë midis demokracisë dhe autokracisë. Edhe qeveria e re gjermane ka vendosur të ndjekë një politikë të jashtme të bazuar më tepër te vlerat. Cila është përgjigjja ju për këtë?

Kissinger: Preferenca për demokracinë është e qartë. Demokracia e vërtetë, për mua, është sistemi më i dëshiruar. Por në marrëdhëniet e botës së sotme, nëse bëhet objektivi kryesor, do të çonte në një impuls misionar që mund të rezultonte në një konflikt ushtarak të tipit të Luftës 30-Vjeçare. Tani, Presidenti Biden ka thënë se nuk ka ndonjë synim të ndryshojë qeverinë kineze, se nuk përpiqet të ndërhyjë në çështjet e brendshme. Mendoj se ai përballet me të njëjtat probleme që përballet çdo lider tjetër i madh tani. Sigurisht, ka situata ku ke obligimin të mbrosh veten dhe kjo është ajo që Evropa ka perceptuar nga konflikti në Ukrainë. Zotësia prej shtetari në këtë prridhë është të jesh i zoti të përfshish rolin historik të ekuilibrimit të pushtetit, rolin e ri të teknologjisë së lartë dhe ruajtjen e vlerave thelbësore. Kjo është një sfidë e re për këtë periudhë.

DER SPIEGEL: Si e vlerësoni deklaratën e Bidenit se Putin ‘nuk mund të qëndrojë në pushtet’.

Kissinger: Nuk ishte fjali e matur.

DER SPIEGEL: Kur shihni se si ka ecur deri tani lufta në Ukrainë, mendoni se e rrit apo e zvogëlon dëshirën e udhëheqjes kineze për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e Tajvanit?

Kissinger: Mendoj se asnjërën. Putin qartësisht e nënvlerësoi rezistencën që do të haste. Kinezët, megjithatë, do të përdorin gjithë fuqinë e mundshme kundër Tajvanit sapo ta kenë të qartë se asnjë zgjidhje paqësore nuk do të jetë e mundshme. Dhe nuk mendoj se kanë arritur në atë pikë.

DER SPIEGEL: Por nëse e arrin këtë konkluzion një ditë, si do të ndryshonte ai konflikt nga ky në Ukrainë?

Kissinger: Në rastin e Ukrainës, një aspekt i problemit ushtarak është se dy grupe nukleare po luftojnë një luftë konvencionale në territorin e një vendi të tretë, i cili, sigurisht, ka shumë armë nga ne. Por ligjërisht, një sulm mbi Tajvanin do të çonte Kinën dhe Amerikën në konflikt direkt që nga fillimi.

DER SPIEGEL: I druheni garës së armëve bërthamore në Lindjen e Mesme?

Kissinger: Jo, unë i druhem përdorimit në armëve bërthamore. Kur Irani të jetë fuqi bërthamore, vende si Egjipti e Turqia mund të ndihen të detyruara ta ndjekin. E pastaj, marrëdhëniet mes tyre, plus marrëdhëniet e të gjithëve atyre me Izraelin, do ta bëjnë rajonin edhe më të trazuar se sot.

DER SPIEGEL: Para luftës në Ukrainë debatohej nëse SHBA duhej të afrohej me Rusinë për t’i bërë presion Kinës. Tani çështja është nëse Washingtoni duhet të ulë tensionet me Pekinin përballë kërcënimit rus, siç bëri Nixon 50 vjet më parë. Mendoni se Amerika është mjaftueshëm e fortë të përballet njëherazi me dy kundërshtarët e saj më të mëdhenj?

Kissinger: Nëse përballje me dy kundërshtarët do të thotë zgjerim i luftës në Ukrainë në luftë kundër Rusisë, teksa në të njëjtën kohë mbetesh në pozita jashtëzakonisht armiqësore me Kinën, mendoj se do të ishte një kurs shumë i pamatur. Unë i mbështes përpjekjet e NATO-s dhe Amerikës për të mposhtur agresionin kundër Ukrainës dhe për rikthimin e Ukrainës në territoret e paraluftës. Dhe e kuptoj nëse Ukraina vazhdon të kërkojë për korrigjime shtesë. Kjo mund të arrihet brenda kuadrit të një tabloje më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Por edhe nëse kjo arrihet, duhet zgjidhur çështja e marrëdhënies së Rusisë me Evropën, pikërisht çështja nëse ajo është pjesë e historisë evropiane apo një kundërshtar i përhershëm me bazë në territore të tjera. Kjo do të mbetet çështje kryesore e madje e pavarur nga përfundimi i luftës në Ukrainë, për të cilën as edhe një herë të vetme nuk kam thënë se duhet të bëjë lëshime të territorit të saj.

*Henry Kissinger u lindur më 1923 në qytetin bavarez Fürth para se të largohej bashkë me prindërit nga Gjermania naziste për në SHBA më 1938. Ai u bë Sekretar i Shtetit më 1973 nën Presidentin Richard Nixon dhe konsiderohet gjerësisht si një nga burrat e shtetit më influencues në periudhën e pasluftës

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...