Ku fshihet? Kush e fsheh?

E Enjte, 21 November 2019 17:11

Nga Qemal SAKAJEVA

Qysh kur “befas”, njëzëri, në të njëjtën  kohë dhe për muaj të tërë, presidenti Aleksandar Vuçiç dhe presidenti Hashim Thaçi deklaruan ku mundën dhe sa mundën, se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën do të arrihet përmes shkëmbimit të territoreve, askush tjetër nuk ka folur më qartë se sa Xhejms Huper (James Hooper), analist i njohur për çështjet e Ballkanit dhe ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA. Atëherë, domethënë përpara  gati dy vjetësh, këta dy protagonistë që folën nën një regji , të vetmin ndryshim patën në terminologjinë e përdorur: Thaçi tha se “kjo është ide e imja” dhe e emërtoi korrigjim i kufirit, ndërsa Vuçiç gjithashtu tha se “kjo është ide e imja” por e cilësoi përkufizim mes serbëve dhe shqiptarëve.

Siç dihet, pasi e mbështeti përfaqësuesja e lartë për politikë të Jashtme e BE, Federica Mogherini, dhe  John Bolton, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i SHBA, i cili tha se e përkrah nëse të dy palët binin dakort, pati pasuar qëndrimi i Kancelares Angela Merkel, që ishte si kovë me ujë të ftohtë e hedhur në kazanin që vlonte. Më pas lajmet për çështjen thuajse u fashitën. Vuçiç dhe Thaçi mbyllën gojën. Ndërsa njoftimet e rralla bënin me dije se çështja ishte hequr nga tavolina, madje pati deklarata se kjo ide kishte vdekur si diçka e rrezikshme për rajonin.

Të shqetësurit përjetuan gëzim të drojtur, sepse mes diçkaje të vdekur dhe asaj të vënë në gjumë, ka ndryshim të madh. Dhe ja, mbërriti intervista e Xhejms Huper në Zëri i Amerikës, më 16 nëntor 2019, që qartëson  më  shumë se sa të gjitha deklaratat të marra bashkë, të mbështjella me ambalazh termash hermetikë diplomatikë. Huper, Kosovës dhe gjithë botës shqiptare, i bëri me dije që “... marrëveshja tashmë është negociuar. Marrëveshja ekziston. Në thelb është rënë dakord...” duke “Përfshirë një shkëmbim territoresh, por jo vetëm shkëmbim territoresh, por duke përfshirë edhe anëtarësim në OKB”, dhe paralajmëron i sigurtë: ”kjo nuk do të ndryshojë”. Për të shmangur çdo mëdyshje, analisti  Huper është maksimalisht këmbëngulës, duke thënë se, “E përsëris se nuk mund të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa një element territorial”  dhe “... ajo në fakt është zgjidhur mes palëve, mes zotit Vuçiç dhe zotit Thaçi”.

Nëse të gjitha këto që shqiptoi  Xhejms Huper janë të vërteta, domethënë se është arritur marrëveshja mes Vuçiçit dhe Thaçit për shkëmbim territoresh, për Kosovën kjo përbën diçka  shumë të  rëndë: një njeri i vetëm - presidenti i Kosovës - paska grabitur të drejtën e sovranit dhe me guxim ka shkuar në marrëveshje, dhe kurrë nuk e ka deklaruar këtë, siç e tha hapur Huper.  Por shkëmbimi i territoreve, qoftë me termin Thaçi - korrigjim i kufirit-, qoftë me termin Vuçiç - përkufizim mes serbëve dhe shqiptarëve -, nuk është diçka teknike, si për shembull njohje e ndërsjellë e patentave, targave, apo diplomave. Përveçse kjo e bën presidentin Thaçi të jetë përgjegjës në shkallën më të lartë, pas intervistës së Xhejms Huper e detyron me patjetër- edhe pse me shumë vonesë - t’i shpjegojë popullit, kuvendit, qeverisë dhe partive politike: kur është arritur marrëveshja dhe në cilin sirtar gjendet ajo. Te zyra e presidentit të Kosovës? Te zyra e presidentit të Serbisë? Te zyra e përfaqësueses për politikë të Jashtme të BE? Apo në Departamentin e Shtetit? Përderisa analisti Huper ka dijeni për marrëveshjen, përse nuk duhet të dijë kuvendi dhe qeveria e Kosovës?

Analisti Huper, duke lënë të kuptohet se edhe ai vetë është për shkëmbim territoresh për të shkuar te zgjidhja,  e rinxjerr mbi tavolinë duke bërë edhe një parashikim: Albin Kurti, si kryeministër i ardhshëm i qeverisë që formohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, “do të gjendet përballë realitetit dhe për të mund të jetë një realitet i vështirë për t’u pranuar. Realiteti është se marrëveshja është negociuar. Marrëveshja ekziston”, dhe çështje që mbetet është: si do të zbatohet?

Komploti qënka kryer.

Presidenti  Hashim Thaçi nuk ka guxim t’ia thotë popullit të vet.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...