“FC – Kosova”-Bruksel,vatër edukimi e fëmijëve shqiptarë

E mërkurë, 09 May 2018 18:59

Nga Eden Babani

“FC – Kosova” (Klubi i Futbollit – Kosova) u përurua zyrtarisht të shtunën, më 22 shtator 2012, në vazhdën e festimeve për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas programit të asaj dite të mbushur me veprimtari shqiptare, përurimi zyrtar u bë fill pas ceremonisë përkujtimore, e cila u mbajt te përmendorja e Skënderbeut, ku u mblodhën afro 1000 bashkatdhetarë me banim në Belgjikë, si edhe të ftuar nga Shqipëria, nga Kosova e nga trojet e tjera etnike shqiptare.

Lyer mjediset me ngjyrat e Flamurit tonë Kombëtar, mes atij gjelbërimi pafund të më shumë se njëzet hektarëve të Parkut Zhozafat (Josaphat) dhe në një kryqëzim rrugësh nga më të rrahurat e Brukselit, “FC – Kosova” shkëlqente nën rrezet e një dielli si me qenë i brigjeve të Jonit, enkas që të ngrohte zemrat tona larg vendlindjes. Rast i rrallë për sezonin klimatik të viseve që rrëqethen nën briskun e erërave veriore, qielli i të cilave është thuajse i hirtë prej reve të ngarkuara me avujt e Atlantikut.

Fushat sportive dhe anekset tepër komode të shërbimit, si: zyrat, dhomat e zhveshjes, klubi, një kuzhinë e vogël, por me pajisje bashkëkohore etj., “FC – Kosova” i pati marrë në dorëzim muaj përpara, kurse ceremonia zyrtare e përurimit ishte fiksuar bash për “Të Shtunën Shqiptare”, ditën e festimeve në nderim të 100-vjetorit të Pavarësisë, parashikuar nga Administrata Komunale e Schaerbek-ut.

Pak ditë më vonë, të ftuar prej Kryesisë, unë dhe fotografi Asllan Krasniqi bëmë një vizitë në mjediset e Klubit. Kryetari, Xhevat Abazi, ish-futbollist i njohur i Ligës së Parë të Kosovës me ekipin “Ramiz Sadiku”, na foli për rrugën e lodhshme, por në ngritje të “FC – Kosova”, themeluar këtu e njëzet e një vjet përpara. “Dhurata që na u bë tashmë nga ana e Administratës së Komunës, duke na dhënë në përdorim këto mjedise të mrekullueshme, tha ai, është fryt i një pune të pandërprerë, deri në çastet që po përjetojmë”. Kryetari Abazi dëftoi me dorë drejt fushës sportive, ku disa ekipe të moshave të ndryshme po zhvillonin stërvitjen ditore. Në mënyrë të veçantë, ai falënderoi bashkëpunëtorin e afërt të Burgmestrit të komunës, zotin Burim Demiri, i cili e nxiti procedurën dhe e çoi përpara dosjen, deri që organet  administrative përkatëse morën vendimin e dhënies në përdorim të mjediseve sportive.

Për miradministrimin e saj, “FC – Kosova” zgjedh një kryesi ku bëjnë pjesë kryetari, sekretari dhe trezorieri (administrues i financës). Kryesia e sotme përbëhet përkatësisht prej zotërinjve Xhevat Abazi, Afrim Gashi dhe Ram Islamaj. Të ardhurat e klubit, shpjegon trezorieri, rrjedhin kryesisht prej anëtarësimit, një kuotë e detyrueshme vjetore, ndonëse simbolike, caktuar për çdo të ri ose fëmijë që stërvitet, si edhe prej sponsorëve, ndër të cilët përmendim Direct Immo, Alba Cars, Garage Karreveld, Albi Market etj., të gjitha prona të bizneseve me origjinë shqiptare.

Qysh prej disa vjetësh, “FC – Kosova” është konsideruar nga shtypi belg si një ndër më të organizuarit në Bruksel e në rrethinat (Brabant Flamand), në një rreze prej më shumë se 50 km. Nën përkujdesjen e 18 trajnerëve, atje stërviten gjatë javës rreth 200 futbollistë të moshave 6 deri në 21 vjeç, prej të cilëve 65% me prejardhje shqiptare. Duke përmendur emrat e trajnerëve shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre për stërvitjen e të rinjve, kryetari Abazi kujtoi gati i përlotur trajnerin e njohur kuksian, të ndjerin Naim Lika, i cili, përpara se të ndërronte jetë, punoi me ekipe të njohura të Koresë së Jugut, në prag të Botërorit 2002, që u zhvillua bash atje dhe në Japoni.

Ekipi i parë, i cili vitin e kaluar ka fituar të drejtën të marrë pjesë në Kategorinë e Tretë Provinciale, stërvitet prej trajnerit Patrik Teire, futbollist i njohur i skuadrës së famshme në rang europian, Molenbeek – Saint-Jeane . Nën drejtimin e z. Teire, me një bagazh prej më shumë se 400 ndeshjesh në Ligën e Parë të kampionatit belg dhe me një përvojë profesionale për t’u admiruar, “FC – Kosova” po bëhet gjithnjë dhe më e njohur në mjediset sportive të Brukselit e të Brabantit Flamand. Javën e shkuar, shumë tifozë dhe dashamirë të futbollit ndoqën nga shkallët e tribunës, ndeshjen zyrtare “FC – Kosova” – “Pettie”, që përfundoi me rezultatin e thellë 5 – 1. U dalluan futbollistët Berat Islamaj (2 gola), Etien Madawar dhe Adrian Bakalli.

Çdo të shtunë e të diel, ditët e ndeshjeve zyrtare (sipas moshave), në mjediset sportive të “FC – Kosova”, valëvitet Flamuri ynë Kombëtar. Klubi e ka mbajtur flamurin me shkabën dykrenore qysh në krye të herës, kur u themelua, më 1991. Për çdo keqkuptim tonin dhe me modestinë që e karakterizon, kryetari shton: “Nuk e ndërruam flamurin tonë emblemë edhe pas shpalljes së Republikës së Kosovës. E ruajtëm si simbol të kombit, që të mbajmë gjallë te brezi i ri ëndrrën shqiptare të bashkimit, të bindur se një ditë ajo do të jetësohet”.

 

"Marrë nga libiri 'Rrëfime të bashkëkohësisë', i gazetarit Eden Babani" 

Modifikuar më E mërkurë, 09 May 2018 19:06
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...