I pranishëm në komision është edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i cili u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.

“Një pjesë e dispozitave të ligjit, hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.

Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se mazhoranca i qëndron kërkesës për rrëzimin e dekretit të Presidentit

“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit.
Qëllimi i paketës anti-shpifje, vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtat e fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas. Një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra anti-shpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale.
Ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”, theksoi Gjonaj.

Fatjona Dhimitri: Si mund të gënjeni publikisht të thoni se ligji është konsultuar e dakordësuar me organizmat ndërkombëtare.

Gjonaj: Nëse doni të dini qëndrimin e qeverisë vazhdoj, nëse jo unë largohem. OSBE jo vetëm e mbështet ligjin, por do e monitorojnë zbatimin dhe hartimin e akteve nënligjore.